KryesoreLajme

Sulmi në Banjskë, DASH: Radojçiqi është një kriminel që duhet të bëhet përgjegjës

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se është në dijeni të raportimeve të mediave për takimin mes Marko Gjuriç, ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara dhe Milan Radoiçiç, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

“Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiç. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Evropa e Lirë.

Shtohet se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës”.

Në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një fotografi ku shihet Marko Gjuriç, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane.

Në foto Gjuriç dhe Radoiçiç shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori. Gjithashtu nuk dihet nëse fotografia është bërë në kohën kur Gjuriç ishte ambasador i Serbisë në SHBA. Radio Evropa e Lirë nuk arriti të përcaktonte vërtetësinë e fotografisë.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Marko Gjuriç, i cili pas publikimit të fotografisë tha se nuk duhet të turpërohet për kontaktet e tij, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për detajet e takimit me Radoiçiçin dhe se kur është bërë fotografia.

Ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, është emëruar ambasador në Uashington në tetor të vitit 2020. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç iu referua shkurtimisht fotografisë së Gjuriqit dhe Radoiçiçit në një konferencë për shtyp më 10 mars.

“Unë nuk e pyeta atë [Marko Gjuriçin] kur, ku, apo pse. Madje nuk e pyeta nëse u ngrit nga tavolina e tij për të parë Milan Radoiçiçin, për t’u ulur për një ose dy minuta, apo nëse ai erdhi me të”, tha Vuçiç.

Bashkimi Europian tha më herët më 11 mars se nuk u takon atyre të komentojnë për çdo takim të zyrtarëve serbë, por se “me kë takoheni flet për ju”.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

“Sidomos nëse bëhet fjalë për të dyshuar për vepra kriminale,” tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano më 11 mars në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konferencë për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i serbëve vrau policin kosovar Afrim Bunjaku në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës. Në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë. Kosova akuzon Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton atë.

Radoiçiç, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, kaloi një ditë në paraburgim dhe më pas u lirua për t’u mbrojtur me kusht që të mos largohej nga Serbia dhe të mos shkonte në Kosovë.

Lidhur me rrjedhën e procedurës kundër tij në Serbi, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë më 8 shkurt se dëshmia e të dyshuarit Radojiçiç është duke u kontrolluar./REL

Rruga Press

YouTube player