Sulm kibernetik në Ukrainë që vuri në shënjestër faqet e internetit të qeverisë, çfarë dihet deri tani
Qeveria ukrainase ka akuzuar Rusinë se qëndron pas sulmit kibernetik të ditës së premte ndaj dhjetëra faqeve zyrtare të internetit.
Rreth 70 faqe të internetit qeveritare u mbyllën përkohësisht, në sulmin më të madh të tillë që ka ndodhur në Ukrainë në katër vitet e fundit. Përpara se faqet të dilnin jashtë linje, u shfaq një mesazh që paralajmëronte ukrainasit të “përgatiteshin për më të keqen”.
Qytetarët arritën të hynin në faqet zyrtare pas disa orësh.
SHBA dhe NATO e dënuan sulmin dhe i kanë ofruar mbështetje Ukrainës. Rusia nuk ka komentuar për hakimin.
Ekspertët në Ministrinë e Informacionit të Ukrainës publikuan një plan kohor se si u përhap lajmi për sulmin, duke theksuar se mediat ruse e raportuan atë përpara mediave ukrainase.
Ata pretenduan se sulmet ishin në përgjigje të asaj që ata e quajtën dështimin e Rusisë në bisedimet e saj të fundit me NATO-n mbi Ukrainën raporton “BBC”.
Ukraina është vënë nën presion të madh nga fqinji i saj, me një grumbullim prej rreth 100,000 trupash ruse pranë kufijve të saj. Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës thanë se në nëntë muajt e vitit të kaluar “neutralizoi” 1200 sulme kibernetike.
NATO tha se së shpejti do të nënshkruajë një marrëveshje me Ukrainën për bashkëpunimin e zgjeruar kibernetik, i cili do t’i japë asaj akses në platformën e shkëmbimit të informacionit të sulmeve kibernetike të aleancës.
Shtëpia e Bardhë thotë se do t’i ofrojë Ukrainës çdo mbështetje që i nevojitet për t’u rikuperuar nga sulmi.
Mesazhi që u publikua ditën e premte në faqet e internetit e hakuara u postua në tre gjuhë, ukrainisht, rusisht dhe polonisht. Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës tha se asnjë e dhënë personale nuk ishte vjedhur sipas vlerësimeve fillestare dhe asnjë përmbajtje nuk ishte ndryshuar.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se të gjitha burimet e tij po mobilizoheshin për të ndihmuar Ukrainën të përballet me “këtë lloj sulmi kibernetik”.
Rruga Press