Suedia ndan 7.5 miliardë dollarë mbështetje ushtarake për Ukrainën
Suedia po ndan edhe një buxhet prej 70 miliardë krunash (7.47 miliardë dollarë amerikanë) për përkrahje ushtarake për Ukrainën gjatë dy viteve të ardhshme, ka bërë të ditur të enjten (11.09.2025) ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, raporton Reuters.
Ai ka thënë se vendi i tij është i gatshëm ta përkrahë edhe më shumë Poloninë, nëse është e nevojshme.
Shumica e shpenzimeve do të ndahen nëpërmjet blerjeve të menaxhuara nga agjencia suedeze e mbrojtjes, ta zëmë kur vjen puna te sistemet shtesë të artilerisë “Archer”, një lloj që tashmë është përdorur prej trupave ukrainase në luftën kundër Rusisë.
Jonson ka thënë në një konferencë për media se pas inkursionit të dyshuar rus me dronë në Poloni të mërkurën, Suedia solidarizohet me Poloninë dhe se është i gatshëm që t’u kontribuojë aseteve ushtarake të vendit nëse është e nevojshme.
“Ne kemi vënë menjëherë kontakt me ministrin e Mbrojtjes të Polonisë, ku kemi thënë se jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion burime nëse Polonia identifikon një interes në këtë”, ka treguar Jonson, duke shtuar se çdo mbështetje e tillë do të koordinohet brenda NATO-s.
“Ne solidarizohemi plotësisht me Poloninë”, ka shtuar ai.
Polonia, e mbështetur nga avionë nga aleatët e NATO-s, ka rrëzuar disa dronë të dyshuar rusë në hapësirën e saj ajrore të mërkurën, hera e parë që dihet se aleanca ka kryer aksione gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.
Rruga Press

