Bota

Suedia merr garanci nga SHBA-ja për aplikimin në NATO

Suedia ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara se do të ketë mbështetjes gjatë periudhës së aplikimit të mundshëm për t’u anëtarësuar në NATO, ka thënë ministrja e Jashtme suedeze në Uashington, Ann Linde, shkruan Reuters.

Suedia dhe Finlanda, dy shtete fqinje, qëndruan jashtë NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë, por aneksimi i Krimesë nga Rusia më 2014 dhe pushtimi i Ukrainës i kanë shtyrë vendet të rimendojnë politikat e tyre të sigurisë, me anëtarësimin në NATO që duket gjithnjë e më i mundshëm.

Të dy vendet janë të shqetësuara se do të jenë të pambrojtur gjatë procesit të aplikimit, i cili mund të marrë deri në një vit për t’u miratuar nga të gjithë anëtarët e NATO-s.

“Natyrisht, nuk do të hyj në asnjë detaj, por ndihem shumë i sigurt se tani kemi një garanci amerikane. Megjithatë, jo garanci konkrete sigurie, si ato që mund t’i merrni vetëm nëse jeni një anëtar i plotë i NATO-s”, ka thënë Linde pas takimit me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken.

Lexo më shumë  Konfirmohet përbërja e re – Komisioni i ri i Ursula von der Leyen merr miratimin përfundimtar

Linde nuk pranoi të thoshte se çfarë garancie kishte marrë nga Blinkeni.

“Kjo nënkupton se Rusia mund ta ketë të qartë se nëse drejton çfarëdo lloj aktiviteti negativ kundër Suedisë, të cilën ata e kanë kërcënuar, nuk do të ishte diçka që SHBA-të thjesht do ta lejonin të ndodhte… pa përgjigje”, shtoi ajo.

Një deklaratë e Departamentit të Shtetit të SHBA-së lëshuar pas takimit ka thënë se Blinkeni kishte riafirmuar përkushtimin e Uashingtonit ndaj politikës së NATO-s për të mirëpritur anëtarët e rinj, por nuk përmendi garancitë e sigurisë.

Lexo më shumë  Rubla ruse arrin nivelin më të ulët në 32 muaj kundrejt dollarit

Ministri suedez i Mbrojtjes ka thënë muajin e kaluar se një aplikim mund të shkaktojë një sërë përgjigjesh nga Rusia, duke përfshirë sulme kibernetike dhe masa hibride – të tilla si fushatat propagandistike – për të minuar sigurinë e Suedisë.

Moska ka paralajmëruar se mund të vendosë armë bërthamore dhe raketa hipersonike në enklavën evropiane të Kaliningradit nëse Suedia dhe Finlanda bëhen anëtarë të NATO-s.

Linde, e cila tani do të udhëtojë në Kanada për të diskutuar çështjet e sigurisë me qeverinë e saj, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, gjë që do të rriste stabilitetin në rajonet e Baltikut dhe Arktikut.

Si Suedia ashtu edhe Finlanda pritet të marrin një vendim nëse do të aplikojnë për t’u bashkuar me NATO-n këtë muaj.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *