“Sude”, “Rrapushë”, “Varrmihës”/ Rama ndan me sherr shpërblimet e pensionistëve
Pse nxinte kryeministri ditën kur ndau 100 milion euro për më të moshuarit
Pa krijuar një konflikt, pa pasur një armik për ta denigruar përballë, ekzistenca e Edi Ramës në politikë e humb kuptimin e saj.
Jo më kot, në fjalimin ku njoftoi se do të ndajë 100 milion euro për shpërblimet e fundvitit për pensionistët, i ndërgjegjshëm se 700 mijë prej tyre ishin sy e veshë para televizorit, ai lëshoi një batare me fyerje, tallje dhe akuza për këdo që muajt e fundit u ka folur pensionistëve se meritojnë më shumë, duke u premtuar më shumë.
E çuditshme është se ndërkohë që skërmitej në ekran, Rama po jepte një lajm të mirë. Ku kishte rast më të përshtatshëm për të rrezatuar pak pozitivitet, se sa në ditën kur njofton 100 milion euro shpërblim për festat e pensionistëve?
Pavarësisht kësaj, kryeministri doli përgjithësisht i nervozuar në fjalimin në parlament, që iu dedikua në masë të konsiderueshme edhe kundër armiqve të tij.
Po të lexosh tekstin ku njofton se do t’u shpërndajë secilit pensionistë nga 100 dhe nga 150 euro shpërblim në dhjetor, dhe ku premton një tjetër shpërblim në pranverë (para votimeve të 2025), ai ndahet si me thikë mes dy personazheve. Herë flasin shifrat e një ekonomisti që është ulur të menaxhojë taksat e shtetit dhe herë duket dëgjohet një i dehur që shan, ofendon dhe përbuz këdo që u ka folur pensionistëve ndryshe nga ai.
Në tekstin e shkruar nga Rama, bien në sy tonet përçmuese për qeverisjen e shkuar “rrapa zhgrapa“, për ata që i quan “Sude” dhe “Rrapushë”, të njëjtët që i konsideron “varrmihësit anti shtet të pensioneve”.
Fjalimi vazhdon me parashikimet apokaliptike për gjëmën që do të sjellë ai që e “ka fytyrën komplet të zezë nga bloza e diskreditimit publik” apo ai që e ka “të bardhë, ngaqë s’ka shkelur një ditë akoma në kantierin e shtet ndërtimit”.
Sido të jenë, të dyja palët, Rama i fut në të njëjtin thes, sepse thotë ai përfaqësojnë të njëjtën gjë, “prurës fatkeqësie për rikthimin e këtij vendi mbrapa në rrugën e piramidave dhe të agonisë pa shtet”.
Nëse një pensionist do ta dëgjonte këtë përshkrim të kundërshtarëve të Ramës, me siguri do ndalej të mendohej një moment.
Pse kaq shumë mllef ditën kur qeveria shpërndan 100 milion euro për më të moshuarit mes nesh?
Pse duhet shoqëruar një lajm i mirë, me kaq shumë inat dhe negativitet?
Çfarë e shqetëson Ramën kaq shumë në një ditë të mirë për pensionistët?
E vërteta është që javët e fundit, pensionistët kanë dhënë sinjale se janë të lëkundur në votën e tyre. Me shtrenjtimin e jetës në vend, indeksimi që iu bë me 4 mijë lekë rezultoi të ishte një boomerang për qeverinë. Në vend se ta falenderonin, një pjesë e mirë e pensionistëve u ndjenë të ofenduar dhe të tallur. Pas kësaj, u panë disa sinjale jo të mira për qeverinë.
Risi e padiskutueshme qenë protestat e lëvizjes Bashkë, që duket sikur ka zgjuar nga gjumi një masë të konsiderueshme njerëzish. Çdo javë, disa qindra prej tyre organizohen në tubim, mbajnë fjalime dhe shpërndajnë fletushka për të kërkuar më shumë nga qeveria.
Deri dje se kjo shtresë ishte konceptuar aq solide në votën për Partinë Socialiste, saqë tubimet para kryeministrisë janë një surprizë që e kanë kapur në befasi Ramën.
Jo më kot, kryeministri u detyrua të ndërmarrë një gjysëm-tur në disa qytete, për t’u siguruar edhe një herë se betimi i pensionistëve-socialistë mbetej në fuqi. Në këto takime, duke iu referuar Arlind Qorit, Rama e quante atë “Sude me gjyslykë”.
Por duke parë se sa shpejt ngjiti kauza e rritjes së pensioneve, Sali Berisha u shfaq me premtime të forta në prag të diskutimit të buxhetit për “minimumin jetik 200 euro dhe për të pasur për çdo shqiptar një pension 200 euro dhe për të rritur çdo pension tjetër mbi 20 përqind”.
Sipas Berishës, qeveria i ka fondet e mjaftueshme për të dyfishuar pensionet, por paratë vidhen.
Edi Rama e pa vetë nga afër sosjen e durimit të pensionistëve gjatë emisionit Opinion. Të njëjtat gra të moshuara që disa vite më parë i përcillte me dy batuta dhe një përqafim, e vunë me shpatulla pas murit me një pyetje të thjeshtë se “Si mund të jetojë një njeri me 200 mijë lekë pension?”.
Të gjitha leximet, justifikimet, tabelat dhe shifrat që kishte parapërgatitur nuk mjaftuan për t’i dhënë një përgjigje të thjeshtë dhe shteruese grave pensioniste që deri dje qëndronin të heshtura në radhët e publikut në Opinion.
Tradicionalisht ka qenë e lehtë për socialistët, që pjesën më të madhe të pensionistëve t’i ushqejë me lugën bosh të nostalgjisë për të shkuarën (gjermani i fundit iku në 28 apo 29 Nëntor) apo kauzat e keqpërdorura të Rilindjes, si propaganda për 21 Janarin.
Por me kalimin e viteve, thika i është afruar kockës. Pensionet janë tkurrur, ndërsa çmimet janë rritur. Hendekun mes varfërisë së më të moshuarve është thelluar në krahasim me luksin e pushtetit.
Tani pensionistët dalin në protestë. Sfidojnë edhe kryeministrin në një studio televizive. Prandaj dhe qeveria detyrohet t’u shpërndajë 100 milion euro shpërblime për vitin e ri, me shpresë se kjo lëkundje do të jetë e përkohshme.
Vetëm se 100 milion euro për pensionistët, janë 100 milion më pak për t’u vjedhur në tendera dhe konçensione. Prandaj ditën që i shpërndajnë, shajnë dhe fyejnë këdo që i bindi pensionistët se për t’i marrë më shumë qeverisë, duhet të dalin në rrugë, jo të rrinë në shtëpi./Lapsi.al
Rruga Press