Studimi mbi pallatet në Shqipëri: Çmimet e pajustifikuara të banesave. Nuk ka popullsi për kaq leje ndërtimi
Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara UNDP, në një studim të fundit ka tërhequr vëmendjen për çmimet e banesave dhe kërkesën e lartë për leje ndërtimi, në kohën kur ka një tkurrje të popullsisë.
Në dokumentin e zbuluar prej Zërit të Amerikës, thuhet se në Shqipëri nuk ka kërkesë tregu për këtë rritje të ndërtimeve të reja, por në 8 vitet e fundit, çmimet janë rritur me 102%.
Në rigjallërimin e këtij sektori pas vitit 2017, peshën kryesore e zënë banesat me 76% të totalit deri në vitin 2021. Ku vetëm kryeqyteti ka prekur 62% të totalit, e më tej Durrësi me vetëm 7%.
Por autorët theksojnë se mbeten të paqarta burimet e kërkesave të shumta për leje të reja ndërtimi, përderisa pronësia e banesave në Shqipëri është ndër më të lartat, në Europë.
Autorët pohojnë se kërkesat për banesa nuk mund t’i rrisë as migrimi i brendshëm, sepse kur popullsia e Tiranës është rritur vetëm 4%, nga ana tjetër stoku i banesave është rritur mbi 27%, dekadën e fundit.
Madje çmimet e banesave në Tiranë, Durrës dhe qytete të tjera bregdetare janë trefishuar, krahasuar me vetëm pak vite më parë.
Çmimi mesatar i shitjes së banesave në shtator 2022 për të gjithë vendin është 1,146 €/m2, dhe kjo ka ardhur për shkak të çmimeve të fryra në Tiranë dhe në zonat bregdetare.
Në kryeqytet, çmimi mesatar është 1,365 €/m2, në varësi të zonës nga 770 euro deri në 2,290 €/m2. Në zonat bregdetare çmimi mesatar i shitjes është 1,600 €/m2, duke variuar nga 950 €/m2 në Shëngjin, deri me 2,500 €/m2 në Dhërmi.
Studimi vëren se shihen luhatje të larta të çmimeve, gjë që tregon se tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri është ende i paqëndrueshëm dhe i prekshëm ndaj pritshmërive, emocioneve dhe spekulimeve.
“Në vitin 2021, shtëpitë e shitura përbënin 2,89% të totalit të stokut të banesave dhe 66% të lejeve të ndërtimit të dhëna atë vit. Vihet re një rritje e fluksit të kapitalit të huaj në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme, një pjesë në zonat bregdetare, të cilat në vitin 2021 përbënin rreth 12.5% të transaksioneve.
Edhe kursimet janë rritur, ndaj është e paqartë se si janë financuar 50% e mbetur e transaksioneve. Ato mund t’i atribuohen kursimeve në para, remitancave ose shkëmbimeve”, thuhet në përfundimet e studimit./ORA News
Rruga Press