Strategjia katërvjecare e opozitës në Kosovë
Shkruan Xhevdet Pozhari
Përveç veriut çka ka bo tjetër?!
Në vitin e parë të mandatit të Qeverisë Kurti përpjekja opozitare ishte që të parashikohej dështimi i Kurtit në veri. Sa herë kishte aksion për shtrirje të rendit në Mitrovicë, paralelisht kishte një kundëraksion me zhurmë dhe potere, sikur të ishin “struktura paralele”, e jo opozitë e mirëfilltë. Ka me deshtu, thoshin!
Ra kjo propagandë!
Në vitin e dytë filluan të thonë se po shtrihet rendi, por po na prishë me Amerikën! Opozitarët zhurmonin në qindra seanca dhe emisione për të treguar se si po prishen raportet me ndërkombëtarët. Në fund erdhi O’Brien dhe tha se herë pas here ka mospajtime, por janë gjëra që ndodhin mes miqësh.
Ra edhe kjo propagandë!
Viti i tretë ishte kombinim i dy të parave, por dallimi ishte se tashmë gjendja në veri kishte ndryshuar. Kjo propagandë po haste në rezistencën e secilit që ishte dëshmitar i ndryshimeve. Madje, ngjallte kundërefekt dhe neveri te qytetarët, edhe tek ata që nuk e kishin votuar Kurtin. Ishte propagandë e dështuar.
Çfarë ndodhi vitin e katërt?!
Opozita bëri një “tërheqje taktike” që ngjante në një lloj dorëzimi. Kur dikush fliste mirë për Qeverinë lidhur me veprimet në veri, ata menjëherë pyesnin, ‘’Po, po. Po cka ka bo pos veriut?’’. Kjo ishte përpjekja e tyre për të dalë nga gropa 3 vjeçare që vet e kishin hapur. Filluan të aktualizojnë temat për ekonominë, mirëqenien, arsimin shëndetësinë, në emër të qytetarit. Pavarësisht se ishin 20 vjet në pushtet dhe ishin hisedarët kryesorë të përgjegjësisë.
Në fund, javën e kaluar përmes një sulmi ter*rist u dëmtua rëndë infrastruktura kritike në veri të vendit. Sulmi bashkë me dëmet solli edhe shumë mësime për të gjithë! Jo vetëm pse u aktualizua tema për veriun seriun, por me këtë shpërthim ra edhe propaganda e fundit e opozitës.
Pse?
Sepse më në fund të gjithë kuptuam se veriu nuk është thjesht veri! Nuk është një copë tokë. Nuk është veriu thjesht çështje e folklorit patriotik e as veç pasuri natyrore. Por të gjithë e pamë se pa veriun mbetëm pa ujë, po mbetnim pa rrymë, po mbetnim pa industri, pa ekonomi, pa jetë. Pa veriun paralizohej funksionimi i krejt Kosovës.
Pa veriun mbi 2 milionë euro në ditë do të na kushtonte vetëm rryma. E, kostot e tjera janë të paimagjinueshme.
Pra, më në fund e kuptuam se pa veriun, shkurt – nuk ka Kosovë. Atë veriun që dikur e quanin dhuratë të Rankoviqit ose pajtoheshin që ta ndajnë Ujmanin bashkë me Serbinë e Vuçiqit!
Prandaj, është lehtësisht e kuptueshme pse çështja e veriut ka qenë prioritet mbi të gjitha prioritetet tjera. Dhe shumë mirë që ka qenë. Për ata që s’kanë dashur ta kuptojnë, e mësuan përfundimisht me 29 nëntor 2024.
Prandaj, jo vetëm që pyetja “Përveç veriut çka ka bo tjetër?” është propagandë, por ajo mbulon edhe paaftësinë e të tjerëve që qeverisën dhe veriun dikur e lanë nën sundimin e bandave terroriste dhe kriminale, me një adresë të vetme – Beogradin. Propaganda opozitare për veriun kishte veç një qëllim – gabo edhe ti si ne që të gjithë të barazohemi në krim!
Rruga Press