Stradner: Vulini pritet që të vizitojë Rusinë këtë javë
Ivana Stradner, eksperte në fushën e sigurisë dhe informacionit, si dhe vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, do të vizitojë Rusinë gjatë kësaj jave.
Kjo vizitë sipas saj ndodh pikërisht në një kohë kur autoritetet serbe kanë paralajmëruar “kaos” në Kosovë, ndërlidhje me deklarimet e Qeverisë për mundësinë e hapjes së urës së Ibrit.
Aktualisht ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për makina, dhe në të patrullojnë karabinierët italianë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Sipas Stradner, Vulin pritet të takohet me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe sekretarin e Këshillit të Sigurisë, Sergei Shoigu.
Në të njëjtën kohë, revista zyrtare e Ministrisë së Jashtme ruse vazhdon të paralajmërojë për një konflikt të mundshëm në Ballkan.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media ditë më parë, ka shprehur shqetësimin se ura mbi lumin Ibër mund të “hapet dhunshëm” më 14 ose 15 gusht.
“Më lejoni t’ju them menjëherë se nuk do të funksionojë”, ka thënë Vuçiq pa përmendur në mënyrë specifike ndonjë agjenci.
Stradner, gjatë një interviste për “Radion Evropa e Lirë” në gjuhën serbe, ka paralajmëruar për një “raund të dytë” të përshkallëzimit të tensioneve në Kosovë, veçanërisht në veri të Kosovës, zonë e banuar kryesisht nga serbë etnikë.
Autoritetet kosovare kanë nisur tashmë inspektimet për hapjen e urës. Para hapjes së saj për qarkullimin e automjeteve, qeveria e Kosovës synon të testojë “kapacitetin mbajtës të strukturës së urës”.
Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë thënë publikisht se nuk mbështesin hapjen e urës në këtë kohë.
Bashkimi Evropian ka thënë, po ashtu, se Prishtina zyrtare nuk duhet të marrë “vendime të njëanshme”.
KFOR-i ka thënë disa herë në ditët e fundit se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve.
Autoritetet e Kosovës kanë nisur të bëjnë inspektime për hapjen e urës dhe më herët gjatë javës kanë kontraktuar një kompani për të vlerësuar fuqinë mbajtëse të urës, para hapjes për qarkullim të automjeteve.
Rruga Press