Bota

Stoltenberg: Vendet e NATO-s duhet të jenë të gatshme “ta paguajnë çmimin” për paqe

Në fjalën e lamtumirës së tij pasi e udhëhoqi NATO-n për një dekadë, Jens Stoltenberg i paralajmëroi vendet anëtare të NATO-s të jenë të bashkuara dhe tha se ato duhet patjetër “të jenë të gatshme ta paguajnë çmimin për paqe” përballë një Rusie të guximshme.

Duk folur në selinë e NATO-s në Bruksel më 19 shtator, Stoltenberg shpalosi të arriturat prej se e mori drejtimin e aleancës më 2014, si dhe sfidat e tanishme.

“Lajmi i mirë është se ne e kemi përmbushur zotimin e dhënë para 10 vjetëve [që vendet anëtare t’i shpenzojnë 2 për qind të GDP-së së tyre për mbrojtjen], por lajmi i keq është se kjo nuk mjafton më”, tha Stoltenberg, duke lënë të kuptohet se caku i shpenzimeve prej 2 për qind nuk do të mjaftojë për ta mbrojtur aleancën kundër Rusisë.

Lexo më shumë  Finlanda i bashkohet Suedisë, hapen hetimet për kabllot e prera në Baltik

“Ne duhet të jemi të gatshëm ta paguajmë çmimin për paqe. Më shumë të holla, mbrojtje më të forta, sa më efikase mbrojtja jonë, aq më e madhe siguria jonë”, tha ai.

Norvegjezi 65-vjeçar i paralajmëroi vendet anëtare të mos “i këmbejnë interesat ekonomike afatshkurtër për nevojat afatgjate të sigurisë”, duke thënë se “proteksionizmi kundër aleatëve nuk e mbron sigurinë tonë”.

Duke folur për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka shkaktuar mospajtime mes disa anëtarëve që kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen e fortë të NATO-s për Kievin, Stoltenberg tha se “Ukraina duhet të përballet me Rusinë nga një pozicion i fuqishëm”.

Çdo marrëveshje e ardhshme për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë, ai tha, “duhet të mbështetet nga një përkrahje e fortë dhe e qëndrueshme ushtarake, jo thjesht nga letrat”.

Lexo më shumë  Pistorius e hodhi poshtë kandidaturën – Scholz do të rikandidojë për kancelar të Gjermanisë

Ai, gjithashtu, paralajmëroi se “fuqia ushtarake ka kufijtë e saj,” duke thënë se “qëllimi i çdo operacioni të ardhshëm ushtarak jashtë territorit të NATO-s duhet të jetë i përcaktuar qartë”.

“Ne duhet të jemi të sinqertë për atë që mund dhe nuk mund ta arrijmë,” tha ai.

Stoltenberg, ish-kryeministër i Norvegjisë, i cili do të kthehet në atdhe për t’u bërë guvernator i Bankës Qendrore, do t’ia dorëzojë detyrën ish-kryeministrit holandez, Mark Rutte, më 1 tetor.

Në muajt e tij të fundit në detyrë, Stoltenberg është përpjekur t’i bashkojë anëtarët e NATO-s, pasi Hungaria ka paraqitur pengesa për mbështetjen e aleancës për Ukrainën, ndërsa kryeministri Viktor Orban ka thënë se nuk do të ofrojë fonde apo pajisje ushtarake për ta ndihmuar Kievin.

Rruga Press

YouTube player