Bota

Stoltenberg: Ofensiva e re e madhe ruse në Ukrainë veçse ka nisur

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ofensiva e re e madhe ruse në Ukrainë veçse ka nisur.

Duke folur për gazetarët në Bruksel më 13 shkurt, Stoltenberg tha se aleanca ushtarake perëndimore “nuk sheh asnjë shenjë” se presidenti rus, Vladimir Putin, po përgatitet për paqe.

“Çfarë po shohim është se presidenti Putin dhe Rusia ende dëshirojnë të kontrollojnë Ukrainën”, tha Stoltenberg.

“Ne shohim se si ata po dërgojnë më shumë trupa, më shumë armë, më shumë aftësi”, shtoi ai.

Forcat ruse kanë qenë të përfshira për muaj të tërë në një ofensivë në lindje të Ukrainës në tentim për të marrë kontrollin e qyteteve strategjike, përfshirë edhe të Bahmutit, që gjendet në rajonin ukrainas të Donjeckut.

Por, Kievi po pret një ofensivë edhe më të gjerë që mund të ketë në shënjestër jo vetëm rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut, por edhe Harkivin në verilindje dhe rajonin e Zaporizhjës në juglindje.

Lexo më shumë  Kryeministri suedez deklaron se Deti Baltik tani është “në rrezik të lartë” pas sabotimit të dyshuar me kabllo

Më 11 shkurt, Rusia tha se kreu një “sulm masiv” me raketa dhe dronë mbi infrastrukturën energjetike ukrainase dhe se nga ky sulm arriti të bllokojë një hekurudhë dhe disa rrugë tokësore që përdoren për dërgimin e armëve perëndimore për forcat ukrainase. Ky sulm është parë nga shumë vëzhgues si tregues se një ofensivë më e gjerë – që pritej të ndodhte në shkurt, para përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt – ka nisur.

Sulmi i 11 shkurtit erdhi pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, realizoi një vizitë në kryeqytetet evropiane, ku kërkoi armë shtesë për Ukrainën, përfshirë raketa me rreze të gjatë veprimi dhe avionë luftarakë, në mënyrë që forcat e tij të mund të rimarrin territorin e humbur.

Shtetet perëndimore veçse janë pajtuar që t’i japin Ukrainës tanke moderne, përfshirë tanket gjermane Leopard 2, por edhe artileri, makina luftarake dhe armë të tjera dhe municione.

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Megjithatë, Stoltenberg tha se Ukraina po përdorë më shumë municion sesa shtetet e NATO-s po i japin, duke u bërë thirrje atyre që “të përshpejtojnë prodhimin”.

“Me ritmin aktual, përdorimi i municionit nga Ukraina është shumë më i lartë sesa ritmi i prodhimit. Kjo bën që industria e mbrojtjes të jetë nën presion”, tha ai.

Shefi i NATO-s po ashtu tha se për çështjen e dërgimit ose jo të avionëve luftarakë në Ukrainë do të diskutohet gjatë takimit të mbështetësve perëndimorë të Kievit më 14 shkurt në Bruksel.

“Tani po diskutohet edhe për avionët dhe unë pres që për këtë temë të diskutohet edhe gjatë takimit të nesërm në Bruksel”, tha ai, duke shtuar se dërgimi i avionëve luftarakë, nuk do të thotë se NATO-ja bëhet pjesë e luftës në Ukrainë.

Më herët, Rusia ka thënë se nëse Kievi merr avionë luftarakë nga Perëndimi, atëherë shtetet e NATO-s do të ishin palë të përfshira “direkt” në konflikt”./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *