Stoltenberg: NATO dhe SHBA, gati për dialog serioz me Rusinë
“NATO ka dërguar propozimet e saj me shkrim në Rusi, së bashku me Shtetet e Bashkuara”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg në një konferencë urgjente për shtyp, duke i bërë thirrje Moskës edhe një herë për të zbutur tensionet.
“Jemi përpara një momenti kritik për sigurinë euroatlantike. Zhvillimi ushtarak i Rusisë në kufirin me Ukrainën vazhdon. Me mbi 100,000 trupa në pozicion dhe më shumë gjatë rrugës, duke përfshirë një rritje të konsiderueshme në Bjellorusi. Ne i bëjmë thirrje edhe një herë Rusisë që të vazhdojë me de-përshkallëzimin”, tha ai.
Ai shtoi: “NATO beson fuqishëm se tensionet dhe mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë. Jo përmes dhunës apo kërcënimit të dhunës. Kështu sot NATO ia dërgoi Rusisë propozimet me shkrim. E bëmë paralelisht me Shtetet e Bashkuara” tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se “Rusia duhet të përmbahet nga sjellja e dhunshme, retorika agresive dhe aktivitetet dashakeqe të drejtuara kundër aleatëve dhe kombeve të tjera.
Rusia duhet gjithashtu të tërheqë forcat e saj nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia dhe të gjitha palët duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit, duke përfshirë formatin e Normandisë“.
Rruga Press