Stoltenberg: Kosova shembull se si NATO e BE-ja bashkëpunojnë ngushtë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Kosova është një shembull se si NATO e Bashkimi Evropian bashkëpunojnë ngushtë mes vete.
Stoltenberg në konferencë për media të mërkurën, ka thënë se beson se drafti i Asociacionit është një rrugë përpara që të gjendet një zgjidhje e të bëhet përparim në dialog.
“Kemi parë incidente serioze në Kosovë. Vetëm sa e kam vizituar Kosovën. Ne kemi parë në pranverë sulm ndaj NATO-s, 93 ushtarë të NATO-s u lënduan dhe disa prej tyre kanë marrë lëndime që u ndryshojnë jetën. Është totalisht e papranueshme. Po ashtu e pamë incidentin në Banjskë, ku u vranë njerëz. Është serioze dhe tregon për sfidat me të cilat përballemi në Kosovë. Është me rëndësi të dyja palët të deeskalojnë e të përmbahen nga veprimet që rrisin më tepër tensionet, e të frenohen nga çdo retorikë që mund të rrisë tensionet. Ky është mesazhi im, dhe ky ishte mesazhi im në takimet në Prishtinë e Beograd”, ka thënë Stoltenberg. “Mesazhi është që Prishtina e Beogradi duhet të angazhohen në frymë të mirë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kosova është shembull se si NATO e BE-ja po punojnë ngushtë së bashku. BE-ja është duke drejtuar angazhimin diplomatik, e ne jemi prezentë me mijëra trupa në terren”.
Stoltenberg ka thënë se pas tensioneve të fundit është rritur numri i trupave edhe për 1000 tjerë, duke arritur në afro 5000.
Ai ka folur edhe për propozimin e fundit të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që kanë bërë emisarët euro-amerikanë.
“Besoj se propozimi i Asociacionit mund të jetë rruga përpara që të tentohet të gjendet një zgjidhje e të bëhet përparim brenda dialogut”, tha Stoltenberg.
Rruga Press