Stoltenberg: Duhet të përgatitemi për afat të gjatë dhe ofensiva të reja ruse
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për agjencinë gjermane “dpa” ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin ende nuk ka hequr dorë nga plani i tij për të kontrolluar plotësisht Ukrainën.
Në një intervistë gjatë së cilës ai reflektoi për vitin 2022, Stoltenbergu paralajmëroi të gjithë se duhet të përgatiten për luftë në planin afatgjatë.
“Nuk ka asnjë tregues se Putini ka ndryshuar qëllimin e tij të përgjithshëm të kësaj lufte, që është të kontrollojë Ukrainën. Kjo nuk ka mbaruar. Luftërat janë të paparashikueshme, por ne duhet të përgatitemi për afat të gjatë dhe ofensiva të reja ruse. Nuk duhet të nënvlerësojmë Rusinë”, ka thënë Stoltenberg.
Kreu i NATO-s u bëri thirrje aleatëve që të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën.
“Mund të tingëllojë si një paradoks, por mbështetja ushtarake për Ukrainën është mënyra më e shpejtë drejt paqes. Ne e dimë se shumica e luftërave përfundojnë në tryezën e negociatave, dhe kjo luftë ndoshta do të përfundojë gjithashtu. Megjithatë, ne e dimë se çfarë mund të arrijë Ukraina në këto negociata varet në mënyrë të pandashme nga situata ushtarake”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Stoltenbergu ka deklaruar se Ukraina duhet të mbetet një shtet i pavarur dhe demokratik.
“Pra, nëse doni një zgjidhje paqësore, të negociuar që do të sigurojë që Ukraina të mbetet një shtet i pavarur demokratik, mënyra më e mirë për ta arritur këtë është t’i jepet mbështetje ushtarake Ukrainës”, ka përfunduar Stoltenberg.
Rruga Press