Lajme

SPAK nis hetimet për shembjen e Teatrit Kombëtar

Prokuroria e  Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmon se ka nisur hetimet për shembjen e Teatrit Kombëtar në maj të vitit 2019.

Gazeta “Panorama” ka siguruar letrën zyrtare që SPAK-u i ka dërguar Partisë Demokratike pas kërkesës zyrtare për informacion që bëri PD-ja se në çfarë faze janë hetimet për kallëzimin penal që kishin bërë 13 muaj më parë. Në përgjigjen që SPAK- u i ka çuar PD-së sqarohet se për shembjen e Teatrit në Prokurorinë e Posaçme kanë shkuar dy kallëzime penale për shpërdorim detyre, një nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe disa muaj më vonë edhe nga Partia Demokratike.

Letra, e cila mban vulën e titullarit të SPAK-ut, Arben Krahja, bën me dije se regjistrimi i procedimit penal dhe nisja e hetimeve për shembjen e Teatrit  Kombëtar është regjistruar në muajin janar të vitit 2020 pas kallëzimit të Aleancës për  Mbrojtjen e Teatrit. Ndërkohë, në qershor po në të njëjtit  vit në të njëjtin hetim është futur edhe kallëzimi që është bërë nga Partia Demokratike po me të njëjtin objekt. Por ndërkohë, SPAK-u nuk jep detaje se në çfarë faze ndodhen hetimet, pasi sipas tyre përbëjnë sekret hetimor dhe nuk i lejon ligji.

PËRGJIGJA E SPAK

“Në përgjigje të kërkesës tuaj të datës 6.07.2021, ju sqarojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e kallëzimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të datës 31.12.2019, më datë  23.01.2021 regjistroi procedimin penal nr. 29, veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ të parashikuar nga  neni 248 i Kodit Penal. Gjithashtu, iu bëjmë me dije se edhe kallëzimi i bërë nga subjekti politik ‘Partia Demokratike e Shqipërisë’, protokolluar pranë kësaj prokurorie më 4.06.2020 është bashkuar me  këtë procedim penal.

Lexo më shumë  Qeveria aprovon udhëzimin për masat e veçanta për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve

Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe organi i akuzës është duke kryer veprime hetimore të plota e  të gjithanshme. Për shkak të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit hetimor, në këtë fazë të hetimeve paraprake nuk mund t’iu informojmë në lidhje me veprimet hetimore konkrete të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Me përmbajtjen e akteve hetimore të këtij procedimi penal do të  njiheni në përfundim të hetimeve paraprake”.

KËRKESA E PD 

Më 6 korrik dy përfaqësuesit e PD-së, sekretari për çështjet ligjore, Çlirim Gjata, dhe deputetja e zgjedhur Flutura Açka dorëzuan në SPAK kërkesën zyrtare për informacion. “Sapo kemi dorëzuar këtu në SPAK kërkesë për informacion. 13 muaj e 4 ditë më parë Partia Demokratike ka bërë një kallëzim penal në SPAK për sa i takon shembjes së Teatrit Kombëtar. Kanë kaluar 13 muaj dhe nuk kemi asnjë informacion se çfarë është bërë me këtë çështje.

Lexo më shumë  Maqedonci jep detaje për marrëveshjen me ShBA-të: Do të ndihmojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Sot bazuar në dispozitat përkatëse, neni 283/58 etj., të Kodit të Procedurës Penale kërkojmë informacion nga SPAK-u se çfarë ka bërë me kallëzimin tonë. Ku janë hetimet? Çfarë ka ndodhur? Çfarë masash janë marrë deri tani? Të mos harrojmë se sapo është shpallur një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka konstatuar si antikushtetues të gjitha  veprimet që janë bërë me shembjen e Teatrit Kombëtar. Që kur kemi bërë kallëzimin ne i kemi ditur këto, madje edhe tani pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, na rezulton se pikërisht ata që kemi kërkuar ne, janë  fajtorë.

Ne kemi bërë një kallëzim mbështetur në 9 vepra penale ku janë përcaktuar me  radhë në këtë kallëzim personat përgjegjës që fillojnë me Kryeministrin Edi Rama, me kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe të gjithë të tjerët me radhë që kanë marrë pjesë në këtë masakër që i është bërë, kulturës së trashëgimisë sonë dhe pasurisë publike. E gjitha kjo në emër të korrupsionit, në emër të abuzimit, të shfrytëzimit të pasurisë publike për interesat e tyre personale, për interesa të oligarkisë që ata mbrojnë”, tha Gjata.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *