SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm, marrëveshje bashkëpunimi për më shumë efektivitet në hetim
SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Siç thuhet në një njoftim, të dy institucionet angazhohen në vendosjen e komunikimeve të drejtpërdrejta për shkëmbimin e informacionit dhe statistikave, për inicimin e propozimeve për ndryshime ligjore apo nxjerrjen e udhëzimeve të përgjithshme në kuadrin e përmbushjes së detyrimeve ndërinstitucionale brenda dhe jashtë vendit, në zbatim të rekomandimeve të KSA-së, planit të veprimit të ICRG/FATF-së apo angazhime të tjera në këto fusha, në fushën e integrimit në BE etj.
Dokumenti i nënshkruar formalizon bashkëpunimin në funksion të sigurimit të efektivitetit në hetim, duke vënë theksin tek hetimet proaktive si dhe tek koordinimi i përfaqësimit të akuzës në Gjykatën e Lartë.
Më tej, thuhet po ashtu se palët vlerësojnë se bashkëpunimi mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme, në nivel qendror dhe në nivel rrethi gjyqësor, do të sjellë në përgjithësi rezultate të ndjeshme në luftën kundër krimit.