Sot shorti i Champions-it/ Probabilitetet e çifteve të 1/8-ave, këto janë duelet më të mundshme
Çelsi e ka thuajse një në tre probabilitetin për t’u përballur me Realin e Madridit në shortin e sotëm të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve që do të mbahet në Nion të Zvicrës (ora 12:00).
Nga llogaritja e probabiliteteve të 8 çifteve të kësaj faze, kampionët e Europës mund të paguajnë çmimin e renditjes në vendin e dytë në grup dhe të rrezikojnë si rival 13 herë kampionët e kontinentit.
Ndërkohë që Liverpuli ka më shumë shanse të përballet me Vijarealin ose Interin në këtë raund. Mançester Junajtid dhe Siti, të cilat ashtu si Liverpuli kryesuan grupet e tyre, kanë shanset më të mëdha për t’u përballur me Atletikon ose Interin.
Ajaksi, Bajerni, Juventusi, Liverpuli, Lila, Siti, Junajtid dhe Reali do të jenë skuadrat në Vazon 1.
Në Vazon 2 do jenë Atletiko, Benfika, Çelsi, Interi, PSG, Salcburgu, Sportingu i Lisbonës dhe Vijareali. Por, duke qenë se klubet nga i njëjti vend nuk mund të përplasen me njëri-tjetrin në këtë fazë: për shembull Çelsi nuk mund të përballet me Liverpulin dhe me dy klubet e Mançesterit, prandaj i kanë më të mëdha shanset për t’u përballur me një rival të caktuar, sepse mund të gjejnë në këtë rrugë vetëm 4 skuadra:
Bajernin, Realin, Ajaksin ose Lilën. Shanset e një dueli kundër skuadrës së Karlo Ançelotit i kanë 32.32%. Londinezët kanë 21.38% për të gjetur Bajernin e Mynihut ose Ajaksin dhe 24.93% Lilën. Rivali më i mundshëm që mund të gjejë PSG është Reali (19.39%).
SIMULIMI – Pak ditë më parë, “The Sun” bëri një simulim të shortit të sotëm duke prodhuar një duel zjarri mes Mançester Junajtidit dhe PSGsë. Skuadra e Ralf Rangnikut u rendit në krye të Grupit F, por mund të përballet me gjigantët francezë, të cilët u renditën të dytët në grupin e tyre, pas Sitit.
Dhe projeksioni i goglave përplasi Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin me skuadrat e tyre të reja. Në atë simulim, fati i Çelsit u kryqëzua me skuadrën kokë grupi më të lehtë në letër, Lilën.
Simulimi i dhuroi një short të lehtë edhe Sitit të Guardiolës, përballë portugezëve të Sportingut të Lisbonës. Liverpuli u përplas me Vijarealin.
Një përballje shumë interesante është edhe Bajern Mynih–Inter dhe Juventus–Atletiko Madrid. Sigurisht që këto janë vetëm shanse dhe mundësi matematikore, sepse gjithçka do të zbulohet sot në Nion.
Rruga Press