Bota

Sot nis makthi gjerman, çfarë pritet të sjellë bllokimi i gazit rus?

Sot pritet të nisë i ashtuquajturi “makthi gjerman”. Nga sot do të nisë ndërprerja totale e gazit rus, pasi fillon puna e mirëmbajtjes në tubacionin “Nord Stream 1”, që sjell karburantin në ekonominë më të madhe të Evropës.

Puna në tubacionin 1,220 km është një ngjarje vjetore dhe kërkon që rubinetat e gazit të mbyllen për 10 deri në 14 ditë. Por kurrë më parë në historinë dhjetëvjeçare të gazsjellësit, Gjermania nuk ka pyetur veten nëse pas 14 ditësh kur të hapen rubineta, a do ketë sërish gaz.

Robert Habeck, ministri i Ekonomisë në Gjermani foli për një “skenar makthi” që mund të ndodhë, pasi frika është se Rusia nuk do të lejojë më lëshimin e gazit.

Gjithçka është e mundur, gjithçka mund të ndodhë. Mund të ndodhë që gazi të rrjedhë sërish, ndoshta më shumë se më parë. Mund të ndodhë edhe që asgjë të mos vijë. Ne duhet të përgatitemi sinqerisht për skenarin më të keq dhe të bëjmë çmos për t’u përballur me situatën“, tha Habeck për transmetuesin “Deutschlandfunk”.

Lexo më shumë  Shefi i Forcave Ajrore të SHBA: Lufta me Kinën dhe Rusinë mund të ndodhë në çdo moment

Planet e emergjencës po hartohen me shpejtësi në të gjithë Gjermaninë. Frika është se kjo situatë mund të përdoret nga Moska për të bërë shantanzhe dhe presione ndaj Perëndimit.

Tashmë është bërë gati plani se kush do ketë përparësi për tu furnizuar me gaz. Spitalet dhe shërbimet e urgjencës kryesojnë listën, ndërsa familjet renditen mbi shumicën e shqetësimeve industriale.

Por në një nivel më lokal, ndërsa autoritetet luftojnë me rritjen e kostove të energjisë dhe sfidën se si të përballen nëse familjet mbeten pa ngrohje në dimër, plani emergjent përfshin mbylljen e pishinave, fikjen e llambave në rrugë, fikjen e semaforëve dhe strehimin e qytetarëve në konvikte dhe salla, që deri pak kohë më parë ishin destinuar për strehimin e pacientëve me Covid.

Shoqata e Dhomave Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK) po ashtu paralajmëroi se një recesion serioz mund të jetë gati nëse gazi rus ndalon rrjedhjen në Gjermani.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

”Rënia e prodhimit ekonomik mund të jetë 10% ose më shumë kur të vijë dimri”, tha presidenti i DIHK-së, Peter Adrian, duke argumentuar se qeveria duhet të heqë kufizimet në mënyrë që firmat të mund të vendosin më shpejt alternativa ndaj energjisë me gaz.

Edhe pse qeveria gjermane po përpiqet të ngrejë terminale lundruese për marrjen e gazit natyror të lëngshëm, ato nuk do të jenë gati deri në fund të vitit, kur të fillojë dimri. Pa gaz, shumë kompani do të duhet të mbyllen.

“Në atë rast, unë jam shumë i shqetësuar për një recesion. Pastaj ne do të shohim një rënie ekonomike që është drastikisht e ndryshme nga ajo që përjetuam gjatë krizës financiare”, theksoi ai.

Gjatë krizës financiare të vitit 2009, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në Gjermani u tkurr me 5,7%.

Gjatë krizës së koronavirusit në 2020, PBB u ul me 4,6% dhe nëse mbyllen rubinete e gazit, situata do jetë më e vështirë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *