Sot i jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut – qindra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në funeral, përfshirë udhëheqës botërorë
Turma njerëzish pritet të mblidhen në Qytetin e Vatikanit dhe të mbushin rrugët e Romës të shtunën për t’i dhënë një përshëndetje të fundit Papa Françeskut.
Bëhet fjalë për njeriun që do të mbahet mend si një mbrojtës i emigrantëve dhe i të varfërve, si dhe për përpjekjet e tij për të riformësuar Kishën Katolike, shkruajnë mediat e huaja.
Mesha e tij mortore do të mbahet në shkallët e Bazilikës së Shën Pjetrit, një nga vendet më të rëndësishme të Kishës Katolike, me më shumë se 50 udhëheqës botërorë dhe 11 monarkë në pushtet të pranishëm.
Aty pritet të jenë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ai argjentinas Javier Milei, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti filipinas Ferdinand Marcos Jr., kreu i kombit më të madh katolik në Azi.
Vatikani është përgatitur që deri në 250,000 njerëz të mblidhen në Sheshin e Shën Pjetrit dhe një milion të tjerë të mbushin rrugën e procesionit prej 6 kilometrash nga Qyteti i Vatikanit përmes Romës deri në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, me shpresën për të parë arkivolin e Papës ndërsa udhëton drejt vendit të tij të fundit të prehjes.
Papa Françesku vdiq në moshën 88 vjeç pasi pësoi një goditje në tru të hënën e Pashkëve, vetëm një ditë pasi u shfaq në të njëjtin shesh për t’u ofruar një bekim besimtarëve në pikën kulmore të kalendarit të krishterë.
Një lexim i Biblës do të mbahet në anglisht dhe një “Lutje e Besimtarëve” do të ofrohet në shumë gjuhë të tjera, duke përfshirë frëngjisht, arabisht, portugalisht, polonisht, gjermanisht dhe për herë të parë, në gjuhën mandarin, gjë që i përshtatet një pape që kërkoi të arrinte tek ndjekësit në të gjitha pjesët e globit.
Por elementët e tjerë të ditës do të shkurtohen, pasi Françesku kishte kërkuar të “thjeshtësonte dhe përshtaste” procedurat, në mënyrë që funerali papnor të jetë “ai i një pastori dhe dishepulli të Krishtit dhe jo i një personi të fuqishëm në këtë botë”, sipas zyrtarëve të Vatikanit.
Rruga Press