Sot mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në 44 komuna dhe qytetin e Shkupit. Votimi filloi në orën 07:00 dhe zgjat deri në orën 19:00.
Në raundin e dytë do të votohet në gjithsej 44 komuna. Të drejtë vote në 2481 qendra votimi kanë 1.353.990 votues.
Këto janë zgjedhjet e shtatë lokale për kryetarë dhe këshilltarë që zgjidhen në 80 komuna dhe Bashkinë e Shkupit. Në rrethin e parë u zgjodhën 32 kryetarë komunash, si dhe anëtarë të këshillave të komunave dhe Bashkisë së Shkupit.
Në një vendvotim (0543) në Dibër të Madhe do të përsëritet votimi për kryetar dhe këshill, ndërsa për anëtarët e këshillit do të rivotohet në vendvotimin 2957/1 në Shuto Orizarë. Gjykata Administrative anuloi votimin në këto dy qendra votimi për votimin në rrethin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit.
Nuk do të votohet për kryetar komune në Mavrovë-Rostushë dhe në Qendër Zhupë, sepse nuk është plotësuar pragu ligjor për votim në rrethin e parë të zgjedhjeve për të marrë së paku një të tretën e votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore.
KSHZ-ja do ta informojë Qeverinë për këto dy komuna, e më pas në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë do të organizohet përsëritja e votimit për kryetar komune në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Anëtarët e këshillit janë zgjedhur sepse për ato nuk kërkohet cenus.
Nëse votimi ndërpritet për më shumë se një orë, do të vazhdohet për aq kohë sa ka zgjatur ndërprerja, por jo më shumë se tre orë.
Në orën 19:00 mbyllen qendrat e votimit.
Votuesit që gjenden në qendrën e votimit lejohen të votojnë.
Vendvotimi ku kanë votuar të gjithë qytetarët e regjistruar në listë zgjedhore mund të mbyllet para orës 19:00, me pëlqimin paraprak të KKZ-së kompetente, por numërimi i votave nuk fillon para orës 19:00.
Rruga Press