Sot 555-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut
17 janari i vitit 2023shënon 555-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Skënderbeu vdiq në Lezhë, në 17 janar të vitit 1468 dhe u varros në katedralen e Shën Kollit, i mbuluar me lavdi të përjetshme. Heroi Kombëtar i Shqipërisë, i cili vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15 dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm.
Ai ka hyrë në histori si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte ushtrinë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet. Si një burrë i madh shteti, ai udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar.
Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë lindi në vitin 1405, në familjen mbretërore të Kastriotëve. Ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave.
Më 1421, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për njëzet vitet e ardhshme. Ai u ngrit sipas gradave, duke kulmuar në emërimin si sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Në vitin 1443, ai braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modriçit. Skënderbeu arriti të pushtonte Krujën duke përdorur një letër të falsifikuar të sulltanit dhe vari në heshtë zyrtarët e kapur osmanë që refuzuan të pagëzoheshin si të krishterë.
Në vitin 1444, i priu Lidhjes së Lezhës. Përkundër vlerës së tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë se sa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10,000 vetash e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara. Gjë për të cilën u admirua.
Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës
Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.
Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.
Rruga Press