Speciale

Sot 554 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu

Sot bëhen 554 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë. Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Mat.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strateg dhe burrë shteti i madh, udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politiko- shtetëror të popullit shqiptar. Ai personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare. Figura e Heroit tonë Kombëtar lidhet më luftën më se njëshekullore kundër pushtimit osman.

Lufta e shqiptarëve me në krye prijësin e tyre shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar. Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, Skënderbeu mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar. Si drejtues i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve. Ai ishte Kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar.

Kjo datë e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar përkon edhe me vizitën e Presidentit turk, Recep Tayip Erdogan në vendin tonë ditën e sotme, ku ai pritet të takohet me drejtues të lartë të shtetit shqiptar, ndërsa do të mbajë edhe një fjalë në Kuvendin e Shqipërisë. Po ashtu, Erdogan do të shkojë edhe në qytetin e Laçit ku do të inspektojë nga afër punimet e bëra në zonën e Kurbinit në kuadër të procesit të Rindërtimit.

Rruga Press

YouTube player