Sondazhi i Reuters: Kamala Harris zgjeron avantazhin ndaj Donald Trumpit
Sipas një anketimi të fundit të opinionit publik, zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris udhëheq me 47 për qind mbështetje ndaj ish-presidentit Donald Trump, i cili ka 42 për qind.
Ky avantazh është zgjeruar pas debatit televiziv ku votuesit menduan se Harris pati një paraqitje më të mirë. Anketimi, i realizuar nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma e anketimeve Ipsos, u publikua të enjten.
Anketimi i dyditor tregon se kandidatja demokrate ka një avantazh prej 5 për qind ndër votuesit e regjistruar për zgjedhjet e këtij viti, duke rritur kështu avantazhin prej 4për qind ndaj Trumpit nga anketa e mëparshme që u realizua nga e njëjta agjenci në periudhën 21-28 gusht.
Mes votuesve që kanë dëgjuar të paktën diçka rreth debatit të së martës, Harris mori mbështetje nga 53 për qind, ndërsa 24 për qind e tyre menduan se Trump fitoi debatin. Rreth 52 për qind e të anketuarve thanë se Trump kishte vështirësi dhe nuk u shfaq në formën më të mirë, ndërsa 21për qind e tyre menduan të njëjtën gjë për Harris.
Zëvendëspresidentja 59-vjeçare e vendosi ish-presidentin 78-vjeçar në pozita mbrojtëse gjatë debatit të nxehtë presidencial, duke e sfiduar për përshtatshmërinë e tij për detyrën dhe për sfidat ligjore që përballet.
Anketimi përfshiu 1690 amerikanë të moshës madhore në të gjithë vendin, prej të cilëve 1405 ishin të regjistruar për të votuar këtë vit. Mundësia e gabimit në këtë anketim është rreth 3 për qind ndër votuesit e regjistruar.
Megjithatë, ndonëse anketimet kombëtare japin indikacione të rëndësishme për qëndrimet e elektoratit, rezultatet përfundimtare përcaktohen nga votat në shtetet kyç që janë vendimtare për Kolegjin Elektoral. Prandaj, është e mundur që rezultati të vendoset nga disa shtete të rëndësishme për betejën elektorale.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane pritet të mbahen më 5 nëntor (e martë).
Rruga Press