Snopçe: Nëse shfuqizohet Ligji për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, VLEN del prej Qeverisë
Deputeti i ASh-së së Arben Taravarit, Halil Snopçe në Click Plus tha se nëse shfuqizohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, me të cilin rregullohet përdorimi i gjuhës shqipe dhe miratohet Ligji për “branitellat”, VLEN do të dalë nga Qeveria. Ai theksoi se “koalicioni VLEN nuk ka çfarë të kërkojë në një qeveri të tillë”.
“Për shkak të impaktit rus nëse hynë në aventura të këtilla dhe në mënyrë ekspres nuk e zgjidhim problemin, atëherë VLEN nuk ka vend në Qeveri. Çfarë vendi në Qeveri? Qoftë me Ligjin për gjuhën shqipe qoftë me Ligjin për “branitellat””, tha Snopçe.
Ai foli edhe për pezullimin e “balancuesit”, duke shtuar se ligji i ri do të sigurojë përfaqësim më të madh të shqiptarëve.
Ai më tej bëri të ditur se ligjin e ka me vete dhe se nga java e ardhshme do të fillojnë tribunat për të marrë edhe vlerësimet e OJQ-ve.
“Ligjin e kam këtu. Nuk do ta propozojmë menjëherë. Prej javës së ardhshme do të fillojmë me tribunat që të marrim vërejtjet dhe mendimet e OJQ-ve që ta bëjmë në mënyrën më të përsosur të mundshme dhe kemi pajtueshmëri edhe prej partnerit OBRM-PDUKM. Balancuesi edhe nëse shfuqizohet, kjo punë zgjidhet”, tha Snopçe.
Rruga Press