Snajperet femra që luftojnë presionin e Shtetit Islamik dhe që refuzojnë të ulin armët
Në shkretëtirat e thata të Sirisë verilindore, një ushtare kurde dhe tri shoqet e saj të armëve u plagosën, i rrethuan dhe nuk u kish mbetur thuajse asnjë fishek.
Të ngarkuara me detyrën për të mbajtur vijën e frontit, Mizgin Rojda dhe njësia e saj qëndruan të patundur, ndërsa një grup prej një duzine luftëtarësh të milicive të mbështetura nga Turqia i sulmuan në befasi duke qëlluar në mënyrë të çmendur.
“Ne i kishim premtuar njëra-tjetrës që do të luftonim deri në fund, pa marrë parasysh asgjë,” thotë 29-vjeçarja për The Telegraph. “Ishte një përplasje e egër, u plagosëm, por nuk u dorëzuam. Qëndruam deri sa erdhën përforcimet.”
Mizgin është komandante në terren e Njësive të Mbrojtjes së Grave (YPJ), një brigadë kurde tërësisht femërore që luan rol udhëheqës në kuadër të Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA. SDF-ja është përfshirë në luftën civile 14-vjeçare në Siri, duke luftuar në njërën anë kundër Shtetit Islamik dhe në tjetrën kundër grupeve rebele të mbështetura nga Turqia, të njohura si Ushtria Kombëtare Siriane (SNA).
Mizgin është komandante në terren e Njësive të Mbrojtjes së Grave (YPJ), një brigadë kurde tërësisht femërore që luan rol udhëheqës në kuadër të Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA. SDF-ja është përfshirë në luftën civile 14-vjeçare në Siri, duke luftuar në njërën anë kundër Shtetit Islamik dhe në tjetrën kundër grupeve rebele të mbështetura nga Turqia, të njohura si Ushtria Kombëtare Siriane (SNA).

Lufta e saj është zhvilluar gjithmonë në kodrat me pluhur afër kufirit me Turqinë, ku bunkerë dhe tunele të gjata shtrihen përtej një territori të plagosur, jashtë kontrollit të Damaskut.
Por kur rebelët islamikë përmbysën regjimin e Bashar al-Assad-it dhe morën pushtetin në dhjetor, konflikti i ngrirë pjesërisht mes SDF-së dhe SNA-së shpërtheu sërish. Me mbështetjen e avionëve dhe dronëve turq, milicitë kryesisht arabe të SNA-së nisën një ofensivë të re, duke shkatërruar vijat e frontit që kishin qenë të qeta që nga viti 2019.
SDF-ja ka rënë dakord që të integrohet në shtetin e ri sirian, duke ngjallur shpresën se vitet e përleshjeve do të marrin fund.
“Ne po mbajmë qëndrimin tonë”
Por Mizgin beson se beteja e saj kundër atyre që i quan “pushtues” është ende larg përfundimit. Pavarësisht kërkesave të qeverisë së re në Damask, ajo nuk është e gatshme të ulë armën.

“Shteti turk dhe fraksionet e tij të deleguara na sulmojnë në çdo mënyrë, por ne po qëndrojmë,” thotë Mizgin, e cila iu bashkua YPJ-së në vitin 2015, “kur pushtuesit po plaçkitnin dhe shkatërronin tokën ku kam lindur.”
Së bashku me homologët meshkuj në Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), ajo thotë se “ne bëjmë një luftë nderi” për të mbrojtur tokat që forcat kurde i kanë qeverisur që nga viti 2012 si një rajon autonom të vetëshpallur. Ata e quajnë këtë territor Rojava.
Në muajt e fundit, YPJ-ja ka parë një valë të re rekrutimesh, teksa gratë kanë marrë armët për të mbrojtur veten ndaj asaj që shumë e shohin si kërcënim të dyfishtë: nga Turqia në veri dhe nga qeveria e re siriane, e udhëhequr nga Hay’at Tahrir al-Sham (HTS), në jug.
Turqia i konsideron kurdët e armatosur në kufirin e saj si kërcënim, duke i akuzuar se janë zgjatim i PKK-së, një lëvizje separatiste kurde, e shpallur organizatë terroriste nga Ankaraja, që zhvilloi një kryengritje 40-vjeçare kundër Turqisë, derisa e ndërpreu atë këtë muaj.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan nuk ka ndër mend të lejojë që SDF-ja të qëndrojë në kufirin e tij. Në dhjetor, ai i paralajmëroi që “t’i thonë lamtumirë armëve, përndryshe do të varrosen bashkë me to”.
Me 10 mars, SDF-ja nënshkroi marrëveshjen për bashkimin me Damaskun, duke integruar “të gjitha institucionet civile dhe ushtarake” në shtetin e ri sirian deri në fund të vitit. Megjithatë, marrëveshja mbetet e paqartë dhe zbatimi i saj i pasigurt.
“Sipas mendimit tim, marrëveshja nënkupton se ‘nuk do të luftojmë kundër njëri-tjetrit’, se të dyja palët kërkojnë paqe,” thotë Samantha Teal, hulumtuese në Qendrën e Informacionit për Rojavën.

“Por situata në vijën e frontit nuk ka ndryshuar që nga marrëveshja. Sulmet vazhdojnë,” i thotë ajo The Telegraph.
Lufta e YPJ-së kundër fraksioneve të mbështetura nga Turqia ka qenë brutale.
“Lufta që po zhvillohet është më shumë ajrore sesa tokësore,” thotë Aysel Sham, një tjetër komandante veterane e YPJ-së.
Aeroplanë turq i bombardojnë nga lart, ndërsa dronët fluturojnë pa pushim mbi to.
“Burime modeste”
Por njësia e grave bën atë që di të bëjë më mirë: sulmon bazat armike nga toka, duke u mbështetur në taktikat e luftës guerile që i mësuan duke luftuar kundër IS-it.
Para disa muajsh, Aysel thotë se njësia e saj, “e armatosur me burimet tona modeste”, ndihmoi në sigurimin e Digës së Tishrinit pas një beteje që zgjati disa javë. Tani, ata janë përqendruar në ndalimin e forcave të SNA-së që kalojnë lumin Eufrat, i cili funksionon si një zonë natyrale tampon mes dy palëve.
Pavarësisht marrëveshjes së forcave kurde me Damaskun, nuk ka pasur as avancim, as tërheqje nga SDF-ja ose SNA-ja. Qeveria e re e Sirisë qëndron kryesisht e heshtur ndaj përplasjeve që vazhdojnë.
“SDF-ja ka mbajtur pozitat e saj,” thotë dr. Renand Mansour, analist i Lindjes së Mesme në Chatham House. “Situata mbetet fluide dhe luftimet kanë qenë të ashpra.”
Qindra persona janë vrarë deri tani gjatë luftimeve.
Ka gjithashtu pasiguri gjithnjë e në rritje për rolin e Washington-it në këtë rajon.
SDF-ja ka qenë partneri kryesor i SHBA-ve në luftën kundër IS-it në Siri dhe është e varur nga financimi i Washington-it. SHBA-ja shpenzoi 186 milionë dollarë për këtë grup në vitin 2024, megjithatë Donald Trump nuk ka ende angazhuar financimin e mëtejshëm.
Ekziston gjithashtu frika se ai ka ndër mend të tërheqë trupat e fundit amerikane prej 2000 ushtarësh nga verilindja e Sirisë si kërkesë e Ankarasë, duke hapur rrugën për një pushtim turk të territorit të mbajtur nga kurdët.

“Pyetja që po bëjnë njerëzit është, sa larg do të shkojë Turqia?” pyet dr. Mansour. “Turqia e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë asnjë lloj autonomie kurde të udhëhequr nga SDF-ja në Siri.”
“Brutaliteti më preku thellë”
Pyetja tjetër e madhe, thotë ai, është sa kohë do të mund të mbajë SDF-ja qëndrimin e saj nëse tërhiqen trupat amerikane, të cilët funksionojnë si një faktor zbythës? “Sfida më e madhe për SDF-në është se ata nuk kanë një partner të vetëm të jashtëm dhe të qëndrueshëm që do t’i mbështesë nga kërcënimi i Turqisë ose ndonjë vend tjetër.”
Aysel, 30 vjeçe, iu bashkua Njësive të Mbrojtjes së Grave një dekadë më parë pasi IS-i filloi të sulmonte qytetin e Kobanes dhe ajo pa me trishtim si gratë u rrëmbyen dhe shiteshin në tregje. “Brutaliteti më preku thellë.”
Forcat kurde, të udhëhequra nga YPJ-ja dhe YPG-ja dhe mbështetur nga goditjet ajrore të SHBA-së, çliruan qytetin nga IS-i në fillim të vitit 2015 pas një rrethimi katërmujor, i quajtur më pas “Stalingradi kurd”.
Ky ishte një moment kthese në luftën kundër grupit terrorist, por i kushtoi shumë njësisë së grave, guximi i të cilës bëri që të bëhej i njohur në rrëzimin e “kalifatit” të IS-it në vitin 2019.
Tani SDF-ja ruan burgjet plot me mbi 9000 terroristë të IS-it dhe menaxhon kampet e mëdha me 40,000 të afërm të tyre, me mbështetje të pakët nga SHBA dhe burime të pakta.
Por, me luftëtarët e saj të angazhuar në betejat kundër grupeve të mbështetura nga Turqia, zyrtarët amerikanë dhe sirianë kanë paralajmëruar për muaj me radhë se një IS-is që po ringjallet po përpiqet të shfrytëzojë vakuumin e sigurisë.
“Celulat e IS-it janë të pranishme në shumë zona dhe po shfrytëzojnë çdo mundësi për të sulmuar,” thotë Aysel. “Nuk ka dyshim që operacionet e tyre do të rriten, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në nivelin rajonal dhe global.”
Përtej kërcënimit të terrorizmit, ka shumë në lojë aktualisht për YPJ-në dhe forcat e tjera kurde që pozicionohen si mbrojtës të kurdëve sirianë, të cilët përbëjnë 10 për qind të popullsisë së vendit.
Kreu i ri i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, po përpiqet të bashkojë grupet e armatosura fetare dhe etnike të vendit, duke i shtyrë ato të dorëzojnë armët dhe të integrohen në një ushtri të re, të centralizuar siriane.
“Një jetë që është vërtet e lirë, për të gjitha gratë”
Por SDF-ja dhe al-Sharaa të dy janë duke mbajtur qëndrim të fortë, thotë dr. Burcu Ozcelik, studiues i lartë për sigurinë e Lindjes së Mesme në RUSI. “Sfida kryesore është nëse SDF-ja dhe krahu i saj i armatosur do të pranojnë të bashkohen me forcat e armatosura siriane si një bllok, ose si luftëtarë individualë.”
Situata mbetet “jashtëzakonisht e paqëndrueshme”, vë në dukje dr. Ozcelik, duke shtuar se nëse Turqia vazhdon t’i shohë kurdët si një kërcënim në kufirin e saj, është shumë e mundur që përplasjet dhunshme në verilindje të përshkallëzojnë.
Për YPJ-në në veçanti, ata janë të frikësuar nga rrënjët xhihadiste të Hay’at Tahrir al-Shamit dhe nga përjashtimi i grave nga jeta publike; të drejtat e tyre të fituara me mund po humbasin heshturazi.
“Pas kaq shumë sakrificash dhe viteve të luftës, regjimi i ri sirian të kujton regjimin e vjetër, sepse është një vizion i ngushtë që po i imponohen të gjithë Sirisë dhe popujve të ndryshëm të Sirisë,” thotë Mizgin. “Siria duhet të jetë një atdhe për të gjithë popullin e saj… [HTS] nuk u referohet gjërave të thjeshta si demokracia dhe barazia mes burrave dhe grave.”
YPJ-ja ka një rol për të luajtur në bashkimin e grave të Sirisë “dhe në kapërcimin e ndasive, urrejtjes dhe frikës”.
Duke ardhur nën kontrollin e Damaskut, Mizgin ka frikë se e gjitha kjo mund të humbasë. “Që nga krijimi i saj, YPJ-ja ka shkatërruar mentalitetin që i sheh gratë si të pafuqishme dhe inferiore. Kjo është drita e shpresës për një jetë që është vërtet e lirë, për të gjitha gratë,” thotë ajo. / The Telegraph
Rruga Press