Smith: Automjetet e lëna nga holandezët në Bosnjë, serbët i përdorën në Prekaz
Ripostim
Gazetari britanik Vaughan Smith, i cili gjatë luftës në Kosovë xhiroi luftimet në Prekaz dhe kufomat e të vrarëve, thotë se kur shkoi në Prekaz më 5 mars 1998 e kuptoi që po ndodhte një operacion policor.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” thotë se i bëri përshtypje që automjete të lëna nga holandezët në Bosnjë, u përdorën në Prekaz nga serbët.
“Shkova atje me datën 5 mars dhe u përpoqa të arrija ku doja, pashë forcat serbe por nuk arrita në Prekaz, ndoshta arrita rreth gjysmë kilometër afër por nuk e dija ku ishte dhe çfarë po ndodhte. Por ishte e qartë që ko ndodhte një lloj operacioni policor dhe sulm ushtarak në rajonin e Drenicës, por nuk pashë asnjë gueril apo UÇK apo diçka të tillë”, ka thënë Smith.
Smith thotë se ai u kthye prapë më datë 6 mars për të filmuar atë që po ndodhte në Prekaz.
“Më pas u ktheva, i realizova disa fotografi dhe të nesërmen, me datën 6 shkuam dhe e përcillnim tymin ku përfunduam duke ecur (se s’mund të shkonim me makinë më tutje)”, shton Smith.
Ai thotë se atë ditë pa shumë shtëpi në flakë dhe disa buldozerë që po rrënonin një shtëpi.
“Shkuam deri në fund dhe ishim shumë afër Prekazit, në fakt ishim shumë afër fshatit. U ngjita në një kodër, në një shpat dhe m’u desh të zvarritesha rreth njëqind metra me një kamerë të madhe. U zvarrita mbi kodër dhe më pas pashë sulmin që po ndodhte, shumë shtëpi ishin në flakë dhe më kujtohet një imazh shumë i veçantë i automjeteve që sikurse buldozerë rrëzonin një shtëpi, kështu që e kuptova që po xhiroja atë ishte ndoshta pjesa e fundit e operacionit”, thekson Smith.
Sipas tij, një ekspert që i kishte analizuar këto automjete i kishte treguar se ishin automjete holandeze, që serbët i kishin marrë kur ushtria holandeze u tërhoqën nga Bosnja.
“Po ai automjeti që në fakt po shkatërronte një shtëpi, kishte diçka interesant lidhur me të sepse kur e mora një ekspert për t’i analizuar, ai më tregoi që ishin automjete holandeze. Këto ishin pikërisht automjetet që serbët ia morën ushtrisë holandeze të cilët u tërhoqën nga incidenti i Srebrenicës në Bosnjë ku u vranë 8,000 njerëz. Ushtria holandeze u tërhoq dhe ata i lanë veturat e tyre, serbët i morën ato automjete dhe i përdorën në operacionin e Prekazit”, ka thënë Smith.
Rruga Press