Sllovenia i mbyll dyert Milorad Dodikut me ndalesë
Qeveria e Sllovenisë i ka ndaluar hyrjen liderit të entitetit serb në Bosnjë, Milorad Dodik. Vendimi është bërë publik nga zëvendëskryeministri slloven, Matej Arqon, i cili tha se arsyeja mbetet “sekret”.
Në fillim të gushtit, Dodik u dënua me vendim të formës së prerë me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt. Si pasojë, Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës ia hoqi mandatin e presidentit të Republikës Sërpska.
Dodik tashmë përballet me ndalime të ngjashme edhe në Austri dhe Gjermani, ndërsa Polonia dhe Estonia kanë nisur procedurat për masë të njëjtë. Në korrik, deputetët e Parlamentit Evropian kërkuan vendosjen e sanksioneve ndaj tij për shkak të retorikës përçarëse dhe politikës secesioniste, por BE-ja nuk ka arritur të harmonizohet për shkak të kundërshtimit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Ndërkohë, Dodik gjendet që prej vitit të kaluar në “listën e zezë” të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe është objekt i sanksioneve për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe cenimin e integritetit territorial të Bosnjës. Sanksionet përfshijnë ndalim transaksionesh financiare për të, familjarët dhe kompanitë e lidhura me ta.
Rruga Press

