BotaKryesore

Sllovenia frikësohet se “diçka e keqe” mund të ndodhë në Ballkan nga konflikti Rusi-Ukrainë

Ministri slloven i Mbrojtjes, Matej Tonin, ka thënë se është i rëndësishëm uniteti mes aleatëve perëndimorë tani që konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës veçse është ndezur.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se në kohën kur e gjithë vëmendja është e kthyer kah Ukraina, diçka e keqe mund të ndodhë edhe në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Bosnjë e Hercegovinë.

Në një intervistë për CNN, kur u pyet se nëse paraqet kërcënim për Slloveninë ajo që po ndodh në Ukrainë, ministri Tonin tha se këto janë momente kritike kur aleatët perëndimorë duhet t’i zbatojnë ato që i thonë.

“Presidenti Putin shkoi në Ukrainë duke menduar se ne nuk do të veprojmë ashtu siç kemi thënë, prandaj sanksionet duhet të jenë të rënda. Nëse jemi të bashkuar, gjë që është aseti ynë më i fortë, atëherë unë nuk shoh rrezik për Slloveninë”, tha ai.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Veprimet e Rusisë, ai i quajti shkelje të pastër të normave ndërkombëtare dhe konfirmoi se ky ishte një pushtim rus.

Ministri slloven i Mbrojtjes pranoi se sanksionet do të jenë të dhimbshme jo vetëm për Rusinë, por edhe për BE-në, për shkak të ngritjes së çmimit të gazit.

“Siç kam thënë, sanksionet duhet të jenë të ashpra dhe të kenë në fokus lidershipin rus, veçanërisht në kompani dhe në rrjedhat financiare”, tha ai, duke shtuar se Rusia mund të shkaktojë probleme edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Pjesë e skenarit të Rusisë është se ata po e shmangin vëmendjen dhe frikësohem se diçka e keqe do të ndodhë edhe në Ballkanin Perëndimor, kur miku i Putinit, Dodiku, po bën hapa të çuditshëm”, tha Tonini, duke iu referuar liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.

Derisa ministri Tonin tha se skenari rus nga Gjeorgjia dhe Krimeja u përsërit, ai hodhi poshtë pretendimet se Putini “ia ka zënë këmbën” Perëndimit. “Kemi pasur shumë takime ministrore në nivel të NATO-s dhe BE-së dhe kemi treguar unitet, që është aseti ynë më i fuqishëm. Nëse ka dashur ta ndajë BE-në, atëherë ka qenë një lëvizje e gabuar. Nëse dëshiron më pak trupa të NATO-s në kufijtë e tij, ishte hap i gabueshëm, sepse do të ketë më shumë trupa të NATO-s në krahun lindor të NATO-s”, deklaroi ai.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

Kur u pyet nëse Ukraina do të duhej tani të pranohej në NATO, Tonini u përgjigj se Sllovenia tashmë ka prezantuar një propozim për pranimin e Ukrainës në BE.

“Ukraina tani ka nevojë për një shenjë të qartë të shpresës dhe Sllovenia e ka prezantuar një iniciativë për ta pranuar atë në BE, sipas një procedure të përshpejtuar. Duhet t’u tregojmë atyre se janë pjesë e Evropës”, u shpreh Tonin, por nuk përmendi anëtarësimin në NATO. 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *