Skuadrat e Kosovës kthehen në garat e FIBA-s pas dy sezonesh
Pas një mungese dyvjeçare, skuadrat elitare të basketbollit janë rikthyer në garat e FIBA-s, për sezonin 2022/23. E në edicionin e ri, tri skuadra elitare që të paraqiten në garat evropiane – Golden Eagle Ylli, Trepça dhe Sigal Prishtina. Kjo është hera e parë që elita e basketbollit të Kosovës do të përfaqësohet me numër kaq të madh të ekipeve në skenën evropiane. Ylli, si kampion i Kosovës, tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në raundin e parë kualifikues të Championsit, që është niveli i tretë i garave pas Euroligës dhe Eurocupit.
Për Yllin, kjo do të jetë hera e parë që do të luajë në Evropë, e në rast se nuk e kalon raundin e parë kualifikues, garimin do ta vazhdojë në FIBA EuroCup – niveli i katërt. Aplikim për pjesëmarrje në FIBA EuroCup kanë bërë edhe Trepça e Sigal Prishtina, gjë që është konfirmuar të mërkurën nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Edhe për Trepçën do të jetë hera e parë që do të paraqitet në garat e FIBA-s.
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 29 qershor ka marrë vendim që të miratojë shprehjen e interesimit të KB Trepça dhe KB Sigal Prishtina për të aplikuar për pjesëmarrje në garat e FIBA Europe Cup për edicionin 2022/23. Këtë vendim Bordi i FBK-së e ka marrë pas përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga FBK dhe FIBA Europe Cup nga KB Trepça dhe KB Sigal Prishtina për pjesëmarrje në edicionin e ri të kësaj gare evropiane”, ka shkruar FBK-ja në njoftim.
Ndërkohë, Prishtina ka përvojë si në Champions ashtu edhe në FIBA Europe Cup. Prishtina në Champions nuk ka arritur përtej raundit të parë kualifikues. Krahas Championsit në tre vjet rresht (2017-2020), Prishtina ka luajtur edhe pesë herë në fazën e grupeve të “FIBA Europe Cup”. Suksesin më të madh në “FIBA Europe Cup”, Prishtina e pati arritur në sezonin 2018/19, kur arriti deri në 1/8 e finales. Në këtë garë, një edicion është paraqitur edhe Peja (2016/17) e Rahoveci (2019/20). Në fakt ekipet nga Kosova do të paraqiten për herë të parë në garat e FIBA-s që nga edicioni 2019/20.
Herën e fundit Kosova në Champions u përfaqësua nga Sigal Prishtina, që ishte eliminuar në raundin e parë kualifikues. Në FBK janë shprehur të kënaqur që për sezonin e ri, tri klube do të luajnë në garat evropiane. Dy edicionet e fundit, në mungesë të skenës ndërkombëtare, skuadrat e Kosovës kanë luajtur në Ligën Unike me ekipet e Shqipërisë dhe Ligën Ballkanike. Sipas FBK-së, vetëm në këtë mënyrë do të bëhet fuqizimi dhe zhvillimi i klubeve, synim që e ka në planin strategjik.
“Federata e Basketbollit e Kosovës ne Planin Strategjik 2021-2025 ndër pesë objektivat e saj e ka edhe zhvillimin dhe fuqizimin e klubeve. Arritjen e qëllimit të realizimit të kësaj objektive ne do ta arrijmë nëpërmjet disa planeve të veprimit, e një prej tyre është edhe paraqitja e ekipeve tona në gara ndërkombëtare të nivelit të lartë, siç janë Basketball Champions League dhe FIBA Europe Cup”, është shprehur sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
“Para se të marrin dritën e gjelbër për paraqitje në këto gara, këto tri klube është dashur të garantojnë te FBK për plotësim të kritereve për organizim të mirëfilltë të klubeve, pasi që gara si Champions League dhe Europe Cup e kërkojnë një gjë të tillë. Ne mendojmë se kjo është një prej mënyrave drejt ngritjes dhe fuqizimit të klubeve tona, andaj ne si FBK jemi shumë të kënaqur që sivjet pritet t’i kemi tri klube në gara zyrtare ndërkombëtare”.
Tri skuadrat që do të paraqiten në garat e FIBA-s, tashmë kanë filluar të kompletohen gradualisht. Më aktivja mbetet Trepça, që sezonin e fundit e fitoi Kupën e Kosovës dhe arriti deri në finale të plejofit dhe Superkupën e Kosovës. Pasi e konfirmoi trajnerin Lumobir Minchev, ekipi nga Mitrovica ka zyrtarizuar për sezonin e ri edhe Drilon Hajrizin, Amin Hotin, Valdrin Haxhiun e Samir Zekiqin. Ndërsa është përforcuar me Erjon Kastratin, Mikaile Tmushiqin e amerikanin Jahsim Floyd. Edhe Prishtina e Ylli, tashmë kanë zyrtarizuar trajnerët për edicionin 2022/23. Në krye të Prishtinës do të jetë turku me origjinë shqiptare Ekrem Memnun, ndërsa Yllin do ta udhëheqë Adis Beçiragiqi, që dy sezonet e fundit ia fitoi titullin e kampionit.
“E kemi parasysh që nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se Championsi është një garë e vështirë, por besoj se do të jemi gati. Sigurisht që duam të kemi rezultate të mira, por duhet që të jemi edhe me fat në tërheqjen e shortit. Varet shumë edhe prej shortit për shkak të kundërshtarit”, ka thënë drejtori sportiv i Yllit, Egzon Fetiu
Rruga Press