KryesoreLajme

“Skemë e rrezikshme”/ Takimi i terroristit Radoiçiq me ambasadorin Gjuriq – Politika millosheviqiane e Serbisë vazhdon, ndërkombëtarët heshtin!

Ditë më parë është publikuar një fotografi e terroristit Milan Radoiçiq në një restorant me Marko Gjuriqin, i cili ka përfunduar mandatin e tij si ambasador i Serbisë në SHBA dhe që aktualisht po pritet të bëhet kryeministër i Serbisë.

Përdoruesit e rrjetit social “X” që kanë publikuar fotografinë ironizojnë me shtetin serb që “nuk shoqërohet me kriminelë e terroristë”

Më 29 shtator, Milan Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit pasi institucionet e Kosovës publikuan pamjet e grupit terrorist ku ishte edhe ai.

Radoiçiq ishte ndaluar nga policia serbe, por pas pak ditëve Gjykata e Lartë në Beograd kishte njoftuar se e ka liruar nga mbajtja një ditë pas marrjes në pyetje. Që nga atëherë, Radoiçiq është i lirë në Serbi, ndonëse për të është lëshuar një fletarrest nga INTERPOL-i.

Ambasadori i Serbisë në Beograd pas publikimit të fotografisë ku shihet së bashku me Radoiçiqin deklaroi se tha se “më problem e kishte të takohej me politikanë shqiptarë që akuzohen për krime sesa me Radoiçiqin”.

“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse do të ishte shumë e zbehtë ajo. Nuk e kam ndërmend t’iu kërkoj falje Kurtit e Sveçlës, e njerëzve të tjerë keqdashës për asgjë. Nuk i kam fshehur dhe as nuk jam turpëruar asnjëherë për kontaktet publike që kam në punën që bëj. Përveç përfaqësuesve të ndryshëm serbë, me të cilët kam kontakte të rregullta dhe më pëlqen të takohem edhe sot e kësaj dite, unë jam takuar shumë herë, në kuadër të punës sime, edhe me udhëheqës të shumtë shqiptarë, të cilët janë akuzuar nga drejtësia vendase dhe ndërkombëtare për krime të papërshkrueshme lufte ndaj popullit tim”, ka thënë Gjuriq.

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, pranoi se është takuar me Milan Radoiçiq, por pa saktësuar kohën e vendin se ku.

Duke e komentuar këtë situatë, në një prononcim për “Bota sot” , profesori në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Prof. Dr. Enver Bytyçi, tha se Gjuriqi në përgjigjen e tij për foton mund të thoshte se është ndonjë takim e kohëve të kaluara, madje e kohës kur Gjuriq hynte ferrave në Kosovë.

Por, nuk reagoi me mohim të takimit. Përkundrazi, dukej krenar me atë takim, dukej sikur thoshte se “Radoiçiq kishte mbrojtjen e tij, mbështetjen e tij.

Prof. Dr. Enver Bytyçi

Profesori thotë se takimet e liderëve politikë të Serbisë me krye-terroristin e Banjskës nuk janë lajm, pasi ndodhin rëndom.

“Vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, menjëherë pas aktit terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar e takoi kryeterroristin në zyrën e tij, madje e mori në mbrojtje, I dha imunitet dhe i shprehu përkrahjen e tij për akte të tjera terrori në Kosovë. Tani Radoiçiq, siç po e vëmë re, vazhdon përgatitjet për akte të reja terrori. Armët dhe predhat që gjenden me shumicë afër kishës ortodokse janë vepër e këtij krimineli”, shprehet ai.

Sipas tij, lajm është fakti që ambasadori i Serbisë në SHBA takohet me një kry-terrorist serb në territorin e Serbisë me gjasa dhe që ky terrorist me të cilin takohet ambasadori Gjuriq është i sanksionuar dhe etiketuar si kriminel nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

“Shtrohet pyetja pse e bëri këtë veprim Gjuriq? Pse guxoi ta bënte? Sepse Serbia nuk mbajti përgjegjësi për aktin terrorist të Banjskës. Sepse BE dhe SHBA e toleruan në kufijtë e të pabesueshmes presidentin e Serbisë, Vuçiq! Sepse Gjuriq donte të jepte mesazhin se Milan Radoiçiq nuk është armik i SHBA-ve! Pra donte të tërhiqte vëmendjen e Uashingtonit që ta toleronin dhe mos të arrestohej. Sepse Gjuriq beson se do të jetë pasuesi i Aleksandër Vuçiq dhe dëshiron të mbajë lidhjet me bandit kriminale e terroriste të presidentit të sotëm. Pra ai kërkon të trashëgojë jo vetëm postin e Aleksandër Vuçiq, por edhe superstrukturën kriminale të tij.

Mos u habisni që në qeverinë në formim e sipër Gjuriq të jetë kryeministër ose së paku ministër i Punëve të Jashtme. Kjo kategori politikanësh përkrahet gjithmonë në Serbi. Dhe këta janë më të rrezikshmit, sidomos për shqiptarët e në veçanti për Kosovën. Sepse këta janë të aftë të mbaj dy e më shumë kunguj në dorë, të hiqen si pro-euro-amerikanë dhe të ruajnë lidhjet me Moskën. Kishte një artikull entuziast në një gazetë amerikane, ku thuhej se Serbia do të bëhet si Jugosllavia e Titos. Pikërisht këtë premtim e pati bërë Vuçiq para tetë vitesh, më 2016-ën, se do të rikthente imazhin e Jugosllavisë së Titos”, potencoi ai.

Bytyçi: Foton e ka publikuar vet Gjuriqi

Bytyçi theksoi se Gjuriq është personi që mund ta çojë më tej këtë skemë oportuniste në dukje e shumë të rrezikshme në fakt.

“E rrezikshme, sepse vetë presidenti i Serbisë pas këtij takimi e krahasoi aktin terrorist të Radoiçiq me qëndresën e Adem Jasharit dhe familjes së tij. D.m.th Vuçiq de facto shfaqet edhe sot njësoj si Millosheviçi e Shejsheli. Nuk ka asnjë dallim. Masakrën e 56 anëtarëve të familjes Jashari, ndërsa edhe dy, pesë, shtatë, 13 e deri 17 vjeçarë, e krahason me aktin terrorist të Banjskës, në krye të të cilit ishte Milan Radoiçiq. Dhe ajo që është AKOMA MË KEQ: Askush, asnjë shtetar demokrat i Evropës dhe SHBA, asnjë politikan në Shqipëri e gjetkë, nuk reagon ndaj një politike të tillë millosheviçiane ndaj shqiptarëve. Ky është problem më i madh i sotëm!”, nënvizoi ai

E sipas profesorit, Marko Gjuriq e ka inicuar vetë publikimin e fotos me Milan Radoiçiq.

“Nuk është e vërtetë se atë foto ia kanë postuar e publikuar kundërshtarët e tij, siç thotë Rada Trajkoviç. Vetë Gjuriq është kujdesur për të publikuar një akt, të cilin ai e konsideron si “heroizëm”! Gjuriq kërkon rolin e heroit, të njeriut “që nuk bën kompromise me shqiptarët, me Kosovën”, të njeriut që e mbron madje më shumë se Vuçiqi interesin serb në Kosovë. Nuk ka problem ambasadori i Serbisë në Uashington se si tingëllon ky veprim te diplomacia e vendit ku ai shërben. E gjithë loja e tij është të fitojë mbështetjen e serbëve. Dhe kjo mbështetje fitohet me fotografi me Radoiçiqin”.

Ai e krahason rastin e Gjuriqit me politikanët shqiptarë të cilët paguajnë mijëra dollarë për lobim e diplomaci, derisa këtij i mjafton fotografia me terroristin Radoiçiq për të rritur kredencialet elektorale në Serbi.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

“Ky është një ndryshim i madh me politikën shqiptare. Politikanët shqiptarë, për këtë ka fakte, kanë paguar dhjetëra e qindra mijëra dollarë për një foto me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të rritin autoritetin dhe presitigjin e tyre Brenda vendit. Gjuriq dhe serbë të tjerë në politikë nuk paguajnë e as duan t’ia dinë nëse takohen me president amerikanë apo të tjerë në Evropë. Atyre u mjafton një foto me një terrorist e kriminel si Radoiçiqi për të rrit kredencialet elektorale e politike në Serbi. Është dallim i madh ky. Sepse fotot e paguara të liderëve shqiptarë me presidentë amerikanë e personalitete të botës bëhen me kusht që të luftohet çdo lëvizje dhe mendim nacionalist e patriotik në Shqipëri e në Kosovë. Fotot me kriminelë e terroristë të liderëve serbë bëhen për ta mbështetur terrorizmin dhe ultra-nacionalizmin e rrezikshëm e destabilizues të Serbisë”, përfundoi profesori.

Hovenier: Radoiçiq është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi

Ndryshe, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier është deklaruar lidhur me raportimet se ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq është takuar me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.

Hovenier i tha kallxo.com, se është në dijeni të raportimeve të mediave për siç thotë ai “takimin e supozuar.”

Ai ka thënë se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për Radoiçiqin është i njohur. Sipas tij, Radoiçiq është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi.

Po ashtu, ai ka shtuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer në Banjskë.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoiçiq është i njohur. Radoiçiq është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional. Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës.”

“Ne kemi një pikëpamje të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjska përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”– thuhet në përgjigjen e ambasadorit Hovenier. /botasot/

YouTube player