Skandali me mbetjet e rrezikshme/ Konfindustria: SPAK të nisë hetimin
Skandali i eksportit të mbetjeve të rrezikshme metalurgjike nga Porti i Durrësit është goditja më e fortë me pasoja në afatgjatë, që sektori i turizmit shqiptar ka marrë deri tani. Me këtë koment, Konfindustria shton se ministria e mjedisit duhet të jetë dikaster më vete, e shkëputur nga turzimi.
Duke qëndruar tek argumenti i mbetjeve, Konfindustria vëren se ka një mungesë të plotë të oponencës për dhënien dhe kontrollin e licensimit të transportit të mbetjeve, e cila vjen nga i njëjti portofol ministror me përplasje të qartë interesi.
“Shprehim shqetësimin e thellë për rënien e plotë të gjithë zinxhirit institucional dhe agjensive të licensimit, kontrollit, inspektimit mjedisor dhe doganor me shfaqje të qartë të korrupsionit shtetëror”, shkruhet në deklaratë.
Rasti i skandalit të fundit të eksportit të mbetjeve të rrezikshme industriale nga Porti i Durrësit drejt vendeve të treta tregon pamundësinë objektive të kontrollit të institucioneve shtetërore për importet e mbetjeve në vend.
Konfindustria i kërkon institucioneve të ekzekutivit, Kuvendit të Shqipërisë dhe drejtësisë përfshi SPAK të nxjerrin përgjegjësitë që kanë krijuar kushtet për skandalin e fundit ndërkombëtar të mbetjeve industriale, duke përdorur territorin shqiptar dhe cënuar rëndë interesat kombëtare.
Rruga Press