SKANDALI/Ish-Avokatja e Shtetit në marrëveshjen me CEZ, dhjetra raste konflikti interesi me bashkëshortin
Rivlerësimi administartiv i KPK-së për sigurën e gjyqëtares Alma Hiçka, njëkohësisht ish-Avokate e Shtetit, ka nxjerrë në pah disa dhjetra raste të konfliktit të interesit, ku ajo dhe bashkëshorti kanë qënë palë në të njëjtat procese gjyqësore.
Sipas një raportimi të Reporter.al, vetëm në vitin 2014 rezultojnë 15 nga 60 çështje të referuara në Strasbourg kundër Shqipwrisë, ku Alma Hiçka ka mbrojtur vendin si Avokate e Shtetit, ndërsa pala paditëse përfaqësohej nga studioja ligjore Haxhia dhe Hajdari, me ortak bashkëshortin e saj.
Hiçka ka mohuar akuzat për konflikt interesi, duke argumentuar se në çdo rast ka zbatuar ligjin.
Por, arsyetimi ka qënë i pamjaftueshëm për KPK-në, i cili ka vendosur shkarkimin e saj si gjyqëtare.
Po ashtu Hiçkës i janë gjetur probleme me deklarimin e pasurisë, pasi nuk arriti të justifikojë blerjen e një apartamenti me anë të një huaje, si dhe të ardhurat nga qeraja për një tjetër apartament që supozohej në pronësi të të shoqit.
Emri i ish-Avokatës së Shtetit Alma Hiçka u bë i njohur për publikun, ajo përfaqësoi shtetin shqiptar për zgjidhjen e konfliktit me kompaninë CEZ me anë të marrëveshjes, pasi kjo e fundit paditi në arbitrazh Shqipërinë për heqje të padrejtë të liçencës.
Marrëveshja, në fund, i kushtoi buxhetit të shtetit 95 milionë euro, ndërkohë që e djathta në opozitë kërkoi edhe ngritjen e një Komisioni Parlamentar për hetimin e asaj që e cilësoi si “aferën më të madhe korruptive në vend”.LEXO 592 gjoba për mosmbajtjen e maskës në publik
Në atë kohë, Gazeta Rilindja Demokratike publikoi dokumente që vërtetonin përfshirjen e burrit të Avokatës së Shtetit Envi Hicka në mbrojtjen e kompanisë DIA kundër shtetit shqiptar. Zoti Hicka ishte përfaqësues me të drejta të plota i Josef Hejsek, administratori i CEZ. Ai mbrojti interesat e CEZ në konfliktet që ky i fundit ka pasur me tatimet e Tiranës si dhe në konflikte të tjera.
Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në tetor 2015, paditi Avokaten e Shtetit Alma Hicka dhe ministrin Damian Gjiknuri, si përgjegjës për humbjen e 479 milion euro në buxhetin e shtetit përmes marrëveshjes për mbylljen e arbitrazhit me kompaninë ceke CEZ.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Envi Hicka, para një viti u tërhoq nga gara për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019./exit/