Skandali i ministrit të Jashtëm hungarez, në tribunën e mitingut të Vuçiçit
Nga Shaban Murati
Diplomacia ka fushën e saj të veprimit dhe mandatin e saj të caktuar dhe ka kufij të prerë të ndalimit për të qenë palë publike në marrëdhëniet e brendëshme politike dhe partiake dhe në konfliktet politike të brendëshme në vendet me të cilat ka marrëdhënie diplomatike. Nëse diplomacia e kapërxen këtë ylber dhe bëhet palë politike e partiake, ajo pushon së qeni diplomaci, dhe shndërrohet në aktor të politikës së brendëshme të një shteti të huaj. Ndaj kur ministri i jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, në 26 maj doli me fjalim në tribunen e mitingut absurd politik të organizuar në Beograd nga partia qeverisëse e presidentit Vuçiç, në qarqet diplomatike atlantike, europiane dhe perëndimore u klasifikua si një skandal i paparë diplomatik. Ishte hera e parë që një ministër i jashtëm i një shteti anëtar të NATO-s dhe të BE, jo vetëm merrte pjese dhe dilte në një tribune të brëndeshme politike të nje shteti jo anëtar të NATO-s dhe as të BE, por edhe mbajti fjalim ekzaltues politik, njësoj sikur të ishte funksionar serb i partise së Vuçiçit. Që kur është themeluar NATO dhe që kur është themeluar BE, nuk ka ndodhur kurrë që ministri i jashtëm i një shteti anëtar të shkoje dhe, duke shkelur çdo norme diplomatike dhe të sjelljes ndërkombëtare, të marrë rolin e një mitingashi të partisë politike në një shtet tjetër. Në antimitingun politik të organizuar në Beogad nga qeveria dhe nga partia e presidentit Vuçiç, nuk kishte (dhe nuk mund të kishte) asnjë nënpunës të ulët, pa le më ministër të jashtëm nga shtetet e tjera, qofshin dhe aleate të Serbisë. Madje nuk kishte as nga dy shtetet ballkanoperëndimore, antare të projektit të presidentit serb të “Ballkanit të hapur” dhe që kanë rënë në dashuri me Vuçiçin.
E habitëshme është sepse ministri i jashtëm hungarez nuk e ka bërë një veprim të tillë skandaloz as me vendet aleate të Grupit të Vishegradit, ku bën pjesë Hungaria bashkë me tre shtete të tjera të Europës Qendrore, që janë të gjitha anëtare të NATO-s dhe të BE. Nuk ka ndodhur, sepse askush nuk do të lejonte që ministri i jashtëm hungarez të shkonte në mitingjet politike të shteteve të tjera dhe të bëhej palë publike me partine politike të presidentit të huaj kundër partive politike opozitare në një shtet të huaj.
Shefi i diplomacisë hungareze, i cili i drejtua turmës së antimitingut qeveritar serb në gjuhën serbe, sulmoi si serb me një retorike të ashpër NATO-n, BE, SHBA dhe Perëndimin. Ja pretenca e tij antiatlantike dhe antiperëndimore nga tribuna e mitingut serb: “Hugaria dhe Serbia ndodhen nën të njejtat sulme nga rryma liberale ndërkombëtare. Ata po na sulmojnë, sepse ne duam paqen në Ukrianë. Ata po na sulmojnë, sepse ne refuzojmë çdo diktat nga jashtë për çeshtjet tona. Ata nuk mund të kapërdijnë që ne hungarezët dhe serbët po ndjekim rrugën tonë kombëtare, por ne nuk do t’u dorëzohemi atyre”. Natyrisht të gjithë funksionarët dhe zyrtarët e partisë së Vuçiçit në mitingun qeveritar serb e kuptuan se hungarezi i diplomacisë i kishte akuzat për NATO-n, për BE dhe për SHBA. Nuk i kishte as kundër Rusisë dhe as kundër presidentit rus Putin. Ndaj e pritën me duartrokitje dhe ovacion fjalimin e hungarezit. Me duartrokitje të stuhishme e priti edhe Moska, e cila i bëri një reklamë të jashtëzakonëshme ndërkombëtare pjesëmarrjes dhe sulmeve antiperëndimore të ministrit të jashtëm hungarez në mitingun qeveritar të Beogradit.
Propaganda shtetërore ruse e kuptoi menjëherë se “rryma liberale ndërkombëtare”, që Szijjarto përdori si eufemizëm të lexueshëm lehtë, ishte NATO, BE dhe Perendimi. Media ruse “eadaily.ru”, duke raportuar për fjalimin e ministrit hungarez në mitingun qeveritar te Beogradit në 26 maj, percaktonte se “Hugaria dhe Serbia ndodhen nën presion nga Perëndimi kolektiv”.
Të thuash se Szijjarto ishte në tribunen e mitingut qeveritar serb për përkrahje ndaj Vuçiçit është gjysma e së vërtetës. Edhe emfaza sovjetike e tij se “kombi hungarez e kosideron kombin serb komb vëlla” është një mufkë diplomatike, që kërcet si nga historia e tyre, ashtu dhe nga represioni masiv dhe rrudhja katastrofike e popullit hungarez në Vojvodinë nga Serbia. E vërteta e plotë është që diplomacia hungareze e ndërmori këtë veprim anidiplomatik si shprehje të politikës së përbashkët antiatlantike dhe proruse, që po ndjekin njëkohësisht të dy qe veritë. Qeveria e Orbanit dhe qeveria e Vuçiçit janë dy aleatët e vetëm të Rusisë në Europë, të cilët po manifestojnë çdo ditë kundërvënien e tyre filoruse ndaj aleancës, interesave dhe vlerave demokratike perëndimore. Hungaria është shteti anëtar i NATO-s, që ka ndaluar tranzitimin nëpër territorin e saj të armatimeve për Ukrainën, dhe ka ndaluar çdo ndihmë ushtarake hungareze për popullin ukrainas. Hungaria është shteti anëtar i BE që ka dalë kundër paketës së 11-te të sanksioneve të BE ndaj Rusisë dhe ka bllokuar ndihmën ushtarake të BE prej 500 milion eurosh për Ukrainën.
Njësimi filorus i qeverive hungareze dhe serbe është aq i madh, sa që ka deformuar në mënyrë skandaloze edhe diplomacinë e tyre, që po bëhet pjesë e politikës së brendëshme të njeri-tjetrit. Sepse vetëm në një shtet federativ ose konfederativ ministri i jashtëm shkon e merr pjesë në mitingjet e brendëshme politike të partisë qeverisëse, siç ndodhi me ministrin e jashtëm hungarez në Beograd në 26 maj. Nuk ka ende ndonjë informacion nëse qeveritë e “dy kombeve vëllezër”, Hungaria dhe Serbia po planifikojnë krijimin e ndonjë federate. Ajo që shihet deri tani është se të dy qeveritë kanë krijuar një aleancë të ngushtë filoruse dhe kumbari i kësaj është Moska.
Janë edhe dy momente të tjera, që evidentojnë karaterin antidiplomatik të çfaqjes antidiplomatike të ministrit të jashtëm hungarez në Beograd.
Së pari, është dalja hapur e qeverisë dhe e diplomacise hungareze si palë e partisë së Vuçiçit kundër partive politike serbe të opozites. Ministri i jashtëm hungarez e dinte që mitingu qeveritar i presidentit Vuçiç në 26 maj ishte një antimiting i organizuar si kundërvënie ndaj protestave masive të opozitës serbe, e cila ka nisur një valë të re protestash në Beograd kundër dhunës dhe kundër politikës antidemokratike të presidentit Vuçiç. Ministri i jashtëm hungarez shkallëzoi fjalimin e tij deri në pikën skandaloze që sulmoi direkt partitë politike të opozitës serbe. Si një prokuror i partisë se Vuçiçit, Szijjarto me një ton emfatik delaroi në miting se “partitë që u shërbejnë interesave të huaja do të dështojnë”. Pra diplomacia hungareze del si palë politike e konfliktit të brendshëm politik në Serbi dhe sulmon partitë e opozitës. Kjo ka edhe djallëzinë tjetër brenda, sepse është vazhdim i sulmeve kundër Perëndimit. “Interesat e huaja”, të cilat dënoi qeveritari i Budapestit, nuk janë as Rusia dhe as Kina. Presidenti Vuçiç dhe qeveria serbe vazhdimisht i kanë akuzuar protestat e opozitës si të organizuara nga shtetet perëndimore. Presidenti serb ka dalë me tezën se protestat e partive te opozitës janë përgagitje për “revolucion me ngjyrë” për të rrezuar atë. Vuçiç përdor një tezë të vjetër antiperëndimore ruse për të akuzuar Perëndimin sa herë ka protesta apo lëvizje demokratike në shtete të ndryshme autokratike kundër regjimeve në fuqi. Qeveria hungareze dhe qeveria serbe bëhen një front për të shuar dhe shtypur çdo lloj proteste dhe kërkese të opozitës kundër autokratizmi dhe aventurizmit politik të kryeministrit hungarez Orban dhe të presidentit serb Vuçiç.
Tërheq vëmendjen edhe momenti kur shefi i diplomacisë hungareze doli të bëjë tifozin dhe militantin e partisë së Vuçiçit. Po atë ditë në 26 maj presidenti serb urdhëroi forcat ushtarake serbe që të rrisin maksimalisht gatishmërinë luftarake kunder Kosovës dhe në mënyrë provokatike dislokoi forcat serbe përgjatë kufirit me Kosovën. Me pjesëmarjen dhe me përkrahjen skadaloze në miting për politikën e brendeshme të Vuçiçit, shefi i diplomacisë hungareze sanksionoi rreshtimin me kërcënimet dhe me politikën luftënxitëse të qeverisë serbe kundër Kosovës. Kjo nuk të habit aspak, sepse në 24 prill të këtij viti Hungaria beri një akt skandaloz duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, në një kohë që shumica dërrmuese e shteteve anëtare votuan për pranimin e saj. Nuk mund të ketë absurditet më të madh diplomatik kur një shtet del kundër anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të një shteti të cilin e njeh dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike. Por diplomacisë hungareze i ka errur sytë dhe logjikën proserbizmi dhe prorusizmi i saj.
Ministri i jashtëm hungarez në mitingun qeveritar të Beogradit e afishoi Hungarinë si pjese të “botës serbe”. Ai doli në tribunë me separatistët serbe të “serpska republikës” dhe të “Frontit serb” në Mal të Zi, Milorad Dodik dhe Milan Knezeviç, të cilët janë ogiçët e urrejtjes nacionaliste serbe kundër NATO-s, BE, Perëndimit dhe Kosovës. Szijjarto u bë në miting ”shok ideali” me banditin Knezevçi, i dënuar nga gjykata e Malit të ZI për pjesëmarrje në tentativën serbo-ruse për grusht shteti në tetor 2016 në Podgoricë, dhe i cili në mitingun e 26 majit shpalli se “Vendimi i parë, që do të marrë koalicioni i tij nëse fiton zgjedhjet në Mal të Zi dhe ai bëhet kryeministër, do të jetë tërheqja e njohjes së Kosovës”. Është e njejta linjë me atë që bëri Hungaria kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.
Diplomacia antidiplomatike e Hungarisë tërheq vëmendjen, sepse kemi të bëjmë me një shtet anëtar të NATO-s, aleat i gjitha shteteve anëtare të NATO-s në Ballkan, përfshirë edhe Shqipërinë. Nuk mund të mos shtrosh dyshimet dhe pikëpyetjen e madhe nëse Hungaria është një aleat i besueshëm atlantik, sa që të detyrohesh të respektosh Nenin 5 të Traktatit Themelues për mbrojtjen kolektive, që don të thotë se në qoftë se Rusia e sulmon Hungarinë njësoj si në vitin 1956 shtetet e NATO-s nga Ballkani, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të hyjnë në luftë. Por Hungaria e ka thyer me kohë solidaritetin e domosdoshëm me NATO-n. Ajo po bën një politike filoruse dhe antiatlantike në Ballkan dhe gazeta gjermane “Die Welt” paralajmëronte para pak kohësh: “Loja e rrezikëshme e Orbanit në Ballkanin Perëndimor”. Hungaria ka lejuar Rusinë që nëpërmjet territorit hungarez t’i dërgonte tanke dhe armë të sofistikuara Serbisë, në një kohë që shtetet e tjera të NATO-s si Rumania dhe Bullgaria e kanë refuzuar tranzitimin e armatimeve ruse. Në 22 prill 2023 kryeministri hungarez Orban shkoi befas në një pjesëmarrje të papritur në manovrat ushtarake dhe paradën ushtarake të organizuar nga presidenti serb Vuçiç me raketat ruse dhe me dronët luftarakë kinezë. Kjo ishte përkrahja e qeverisë hungareze për armatosjen e ethëshme të Serbisë, në një kohë qe dihet fare mirë se Sebia nuk po armatoset kundër Rusisë apo Bjellorusisë, por po armatoset kundër shteteve të NATO-s në Ballkan. Serbia po armatoset si një plasdarm i një ndërhyrje të ardhëshme ushtarake ruse në Ballkan.
Në një situatë të tillë ku një shtet anëtar i NATO-s bëhet palë me partinë dhe me politikën e presidentit shovinist Vuçiç, i cili çdo vit celebron një “Ditë anti NATO” në Serbi, dhe i cili që nga agresioni rus i 24 shkurtit 2022 në Ukrainë vetëm shan dhe sulmon çdo ditë NATO-n, shtrohet me të drejtë pyetja strategjike nëse Hunguria është një aleat i besueshëm i NATO-s. E parë në kendvështrimin strategjik dhe kombëtar shqiptar, konkluzioni është se qevera dhe diplomacia e Shqipërisë duhet të pushojne së konsideruari Hungarinë një aleat i besuar atlantik./ Dita.al
Rruga Press