KryesoreOpinion/Aktualitet

Skandali i mikrokredive në Shqipëri/ Më mirë “M”… sesa i varfër

Nga Andi Bushati

Në Shqipëri përbën mallkim të jesh i varfër. Ky është konkluzioni i parë dhe i vetëm i skandalit të micro credive, që prej disa kohësh, po rrihet mbarë e parapë, duke anashkalurar në mënyrë ulëritëse thelbin.

Disa synojnë ta lënë përgjegjësitnë te Banka e Shqipërisë, një palë e dytë mëton të drejtojë gishtin tek qeveria dhe ministria e drejtësisë, që ka dështuar të kontrollojë një tufë përmbaruesish abuzuesë, ndërsa të tjerë fajësojnë parlamentin që ka neglizhuar të ngrejë kuadrin e nevojshëm ligjor për  të ndaluar krimet e mostrave të financës. Por edhe në këtë rrëmujë opinionesh, se kujt do ti mbetet faji, pak kush kujtohet për viktimat e vërteta, ata nga 30 mijë deri në 100 mijë (nuk ka transparencë për shifrën) që përbëjnë pjesën më të vobektë dhe vulnerabël të shoqërisë.

Simboli i tyre u bë Pal Trashaj, që i dha fund jetës një muaj më parë në dyert e SPAK, pasi nuk e përballonte dot më lakun e borxheve që po i merrte frymën. Ai u largua nga kjo jetë vetëm për 76 mijë lekë kredi, që pati marrë plot 16 vjet më parë, kamatat e së cilës vijonin ta përndiqnin si hije.

Për të kuptuar historinë e tij dhe të shumë të ngjashmëve të vet, duhet njohur pak ecuria e ngjarjeve. Në vitet 2015-2016, sistemi ynë bankar ishte në prag të kolapsit. Bankat e nivelit të dytë numëronin në portofolin e tyre gati 25% kredi të këqia. Qeveria Rama 1 dhe ministria e financave u angazhuan vetë për të ristrukturuar dhe lehtësuar borxhet e më të mëdhenjve. Për të vegjlit, për ata që kishin marrë borxh sa për të mbajtur ndonjë biznes gjallë, apo për të mbyllur ndonjë brimë në shtëpi, u zbatua një skemë tjetër. U bë ligji për krijimin e kompanive që mblidhnin këto kredi të pashlyera. Dhe pikërisht këtu, bashkë me lejimin e kompanive të micro credive, u krijua një skemë mafioze. Financierë, përmbarues privaë, noterë e gjyqtarë formësuan lidhje okulte, që me anë kërcënimesh e mashtrimesh t’i rrëmbenin kredimarrësve të vegjël deri tetë fishin e shumës që ata patën marrë hua dikur. Me metoda brutale përmbaruesit shantazhonin të pambrojturit me sekuestrimin e pasurive dhe me nxjerrjen nga shtëpia. Pas tyre i vinte radha ‘dorës së ngrohtë’ të financierëve që ofronin zgjidhje duke dhënë një mikro kredi me kushte rrobëruese për të larë të parën. E kështu ai që kishte pasur dikur nevojë për një grusht lekësh shndërrohej në mënyrë të pakthyeshme në viktimë.

Lexo më shumë  Ushtarët italianë në KFOR, të gatshëm për t’u përgjigjur ndaj situatave të papritura

Kjo skemë është bërë tashmë e njohur nga zbërthimi që i ka bërë prokuroria, që ka çuar edhe në sekuestro dy nga kompanitë abuzuese, por pyetja që shtrohet pas zbulimit të saj është: si askush nuk e vuri ujin në zjarr për më të pambrojturit? 

Po të ndjekësh sagën e këij skandali kupton se egzistonte një merak i shtuar për të shëruar bankat nga kreditë e këqia, se u bë ç’mos për të reduktuar borxet e kapitenëve të oligarkisë, por se asksush nuk e çau kokën për ata dhjetra mijra vikima që u lanë në mëshirë të fatit.

Pse ndodhi kështu?

E gjithë kjo neglizhencë për të mbrojtur hallkën e fundit të zinxhirit, kjo harresë për fatin e më të dobtëve, e ka një sfond dhe një shpjegim. Vendi sot qeveriset nga një forcë politike, e mbështetur nga një kastë e verbuar nga etja për fitim, e cila e konsideron si faj dhe turp varfërinë dhe që as nuk e ka në radarët e vet solidaritetin me të prekurit prej saj. Jo më kot, që në nisje të erës rilindase, shefi i saj i ftoi investitorët e huaj të zbarkonin në këtë vend ku puntorët shfrytëzoheshin më lehtë, pasi nuk ekzistonin sindikatat. Jo më kot, shumë vite më pas, ai u bëri thirrje biznesmenëve vendas të punësonin bangladeshas dhe ti zbonin ata pasi të mësonin shqip dhe të tuboheshin për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Lexo më shumë  Nga 1 marsi patentë-shoferi i Kosovës i vlefshëm edhe në Austri

Partia që erdhi në pushtet duke ulëritur për padrejtësinë e 5% të shqiptarëve që kishin pasuri sa 95%-shi tjetër i popullsisë, përfundoi duke i shtuar pabarazitë në vend. Sot, në parajsën turistike të kontinentit, më shumë se gjysmës së popullsisë nuk ia mban xhepi të shkojë me pushime. Eshtë e njëjta gjysëm që sipas studimeve ndërkombëtare rrezikon të bjerë në mjerim, duke jetuar me më pak sesa 5 USD në ditë.

Në këtë filozofi e merr përgjigjen edhe pyetja naive se si qe e mundur që askush nuk u kujtua për të mbrojtur viktimat e vrasësve financiarë që shpunë drejt vetëflijimt Pal Trashajn. Atë e kupton edhe më mirë, kur shikon se një parlament, që nxiton të prodhojë ligje me procedurë të përshpejtuar, për teatrin e Fushës, për portin e Alabarit apo për Zvërnecin e Kushnerit, nuk u kujtua për mbi një dekadë ti vinte tavan kamatave marramendëse që vrisnin më të varfërit.

Këtu qëndron thelbi i skandalit të micro credive. Prandaj përgjegjësia nuk mund të mbetet jetime në ping pongun që bëjnë institucionet për t’i lënë fajin njëra-tjetrës. Ajo është shumë më e thellë sesa kaq. Ajo është simptomë e një vendi ku asksuh nuk merakoset për më të dobtin dhe më të pafuqishmin. E një shoqërie të cilës, kapitalizmi i egër, i’a ka ndryshuar fjalën e fundit të shprehejes së dikurshme: “më mirë M…sesa i vogël”.  Tani aty mund të lexosh “i varfër”./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player