Skandali Bankers – 6 miliardë euro fitime dhe manipulimi me mediat për të fshehur vjedhjen
Gazetarja Ola Xama deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se për 20 vite kompania Bankers ka patur rreth 6 miliardë euro të ardhura. Xama tha se ajo ka përdorur disa skema për të shmangur pagimin e fitimit për llogari të shtetit dhe se në Vjenë u zbulua edhe një llogari e fshehtë në bankën Raifaisen dhe prokuroria e Fierit dhe ajo e Posaçme duhet ta hetojnë.
“Nga viti 2005 deri në vitin 2025 Bankers ka patur 5.3 miliardë euro të ardhura tatimore nga shitja e naftës, ndërkohë që zëri i të arkëtueshme, nafta që është shitur por ende nuk është arkëtuar, në total janë 6 miliardë euro. Ndërkohë që në total shpenzimet janë 6.8 miliardë euro dhe kostot e parikuperueshme janë 1.4 miliardë euro dhe Bankers ka rezultuar me 116 milionë dollarë në gjithë këto vite.
Sipas marrëveshjes që ka me shtetin shqiptar Bankers nuk mund të paguajë asnjë lloj takse, deri në rikuperimin e investimit, Bankers kishte faturuar disa kompani që kanë detyrimin taksën dikur 10, sot 15 për qind që të mos i përmbahen kontratës për të paguar tatim-fitimin prej 50 për qind. Kontrata e vitit 2005 u shit si më e mira sepse ndante gjysmën e fitimit, që nuk ndodhi. Fillimisht dyshohet se ka qenë administratori i parë, Leonidha Çobo, i cili në vitet 2010-2019 ka ndihmuar dhe ka krijuar skema për vjedhjen e kompanisë, duke fryrë faturat. Madje kulmon me kompaninë TEA co e vëllait dhe kunatës së tij që ka faturuar për transportin në vlerën e dhjetra milionë dollarëve.
Dyshohet se ka patur skema të tjera të dhënies së tokave me qira që përdorte Bankers në zonën e Fierit, që mund të ishte 5 milionë lekë të vjetra dhe jepej 50 mijë dollarë, pra 10 herë më e madhe se sa ishte. Pasi ndryshoi pronarët, Bankers vijoi të njëjtën skemë që u interesonte zyrtarëve, kompanive dhe menaxherëve kinezë që e kanë drejtuar.
Këto para që nuk deklarohen kanë rezultuar në një llogari të fshehtë në bankën Raifaizen në Vjenë e cila përdorej nga drejtorët e kompanisë Bankers për të bërë afera korruptive, për të shlyer furnitorë dhe kontrata që kanë patur. Kjo duhet hetuar saktë dhe nëse nuk e bën Prokuroria e Fierit e bën ajo e Posaçme për të parë se kush janë përfituesit e kësaj llogarie të fshehtë”- tha Xama.
Ajo deklaroi se hetimet janë të paplota, ndërkohë që kjo kompani ka shfrytëzuar naftën e shqiptarëve dhe është favorizuar nga autoritetet. Xama tha se aktiviteti i Bankers është fshehur vazhdimisht nga mediat, të cilat janë paguar.
“Kemi një nga vendburimet më të mëdha në Europën kontinentale dhe i është dhënë si qokë një kompanie offshore. Copa copa të këtyre parave, janë shitur dhe shpërndarë te disa kompani, të naftës, transportit dhe ndërtimit, në duar të zyrtarëve, politikanëve, apo një rreshti të madh ambasadorësh, të huaj që vijnë dhe lobojnë në Shqipëri. Kjo është fusha e Patos Marinzës.
Për të mbrojtur vjedhjen e madhe, janë blerë edhe mediat. Kam vajtur për xhirime, dhe makinat e security na kanë rrethuar dhe na kanë kërkuar të largohemi. Nuk duhej në mënyrë kategorike që asnjë media të raportonte se çfarë po ndodhte me Bankers.
Për mua edhe ky hetim nuk është i plotë, por duhet të përfundojë. Shoh emra kompanishë dhe ish zyrtarësh, banka të nivelit të dytë që kanë ndihmuar të mbajë Bankes llogari të fshehta, nuk ka masë ndaj tyre. Nuk shoh hetime edhe ndaj mediave, që kanë përdorur këto, por edhe ndaj audituesve dhe kontabilistëve që kanë certifikuar këto pasqyra financiare. Ka kompani me emër, si i kanë vënë firmat?
Nga tabulatet telefonike, shohim se si punonjësit e Bankers shtynin pagesat ndaj Albpetrol dhe shtetit”, tha Xama.
Lidhur me përfshirjen e palëve të tjera, Xama veçoi Bankën Raifaisen për të cilën tha se duhet të hetohet dhe si kompani që kanë mbifaturimet më të mëdha, Bolv Oil dhe Albstar. Gazetarja ngriti pikëpyetje se si një prokurori rrethi si ajo e Fierit, mund të kryejë hetime të specializuara të nivelit që kërkohet dhe përse nuk përfshihet SPAK.
“Po ashtu nga raporti i auditimit, dalin dy kompani të tjera, Bolv Oil dhe Albstar. Këto dy kompani kanë mbifaturimet më të mëdha për sa i përket kompanive shqiptare. Më pas ka firma të huaja, kanadeze, rumune, bullgare e me rradhë. Nuk e di nga pikëpamja hetimore, se si mund ti ndjekë një prokurori rrethesh”, tha ndër të tjera Xama.
Rruga Press

