Sirenat e alarmit në të gjithë Ukrainën, Rusia dyfishon flotën e luftës në detin e zi, gati për sulm
Rusia ka dyfishuar anijet në flotën e saj të luftës në Detin e Zi. Kështu pretendon qeveria e Ukrainës që thekson se po qëndron në gatishmëri në pritje të sulmeve masive raketore.
“Aktualisht në detin e zi po qëndrojnë 8 luftanije ruse”, njoftoi një komandant ushtarak i Kievit, i cili saktësoi se një prej tyre është pajisur dhe me raketa të fuqishme Kalibr. Ende pa nisur këto sulme masive, në të gjithë territorin e Ukrainës janë dëgjuar sirenat e alarmit. Ndërsa bombardime ka pasur në zonat e kontrolluara nga Kievi në Donjeck, Zaporizhia dhe Kherson. Inteligjenca ukrainase njoftoi se një sulm i forcave ruse në selinë qendrore të shërbimeve sekrete të ministrisë së mbrojtjes në Kiev ka dështuar.
“Kjo tregon që puna jonë po bëhet mirë. Jam një person që besoj shumë dhe kam frikë vetëm nga Zoti, jo nga Rusia”, theksoi kreu i inteligjencës, Kyrylo Budanov. Zyrtarët e Kievit, pasi morën katër tanket e para Leopard, nisën me testimin e tyre.
Sakaq ka ardhur edhe reagimi zyrtar i qeverisë ukrainase për planin e paqes të prezantuar nga Kina, duke e refuzuar atë, pasi nuk konsiderohet realist pasi nuk bëhet dallimi mes agresorit dhe viktimës.
“Nisma për çdo plan paqeje mund të merret vetëm nga shteti, në territorin e të cilit po ndodh lufta. Prandaj ne bëmë propozimin tonë, jemi aktiv dhe kemi një formulë paqeje. Dëshiroj të besoj që Kina do të jetë në anën e paqes së drejtë, pra në anën tonë. Dëshiroj shumë që të besoj se Kina nuk do të furnizojë Rusinë me armë. Kjo është kryesorja për mua”, tha Zelensky.
Këtyre zhvillimeve iu përgjigj ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, i cili akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe perëndimin se po zgjat agoninë e Ukrainës. “Amerikanët kanë shpenzuar 50 miliardë dollarë për Ukrainën”, u shpreh zëvendës kryetari I Këshillit të Sigurisë së Rusisë. Medvedev më herët kërcënoi se ushtria e Moskës mund të shkojë deri në kufirin me Poloninë, nëse do të vlerësohej e nevojshme.
Rruga Press