Lajme

Sipërmarrës apo trafikant? Kush është Bashkim Osmani, “padrino” i Majorkës

“Sipërmarrës apo trafikant?” Kreu i dyshuar i mafies shqiptare nën radarin e Gardës Civile dhe Policisë që në 1995, kur mbërriti në ishull. Aty bënte një jetë diskrete mes vilës dhe restorantit italian, ku takohej për të drejtuar klanin numër një të drogës në Europë.

Është ora 19:50 e së mërkurës së 2 marsit. Është natë dhe në Gjykatën e Palmas ka dritë vetëm në një nga sallat e katit të tretë. Aty, i prangosur, i shoqëruar nga një përkthyes, Bashkim Osmani komunikon me gjykatësen Maria Perez.

Osmani u arrestua në një prej hoteleve luksozë të Porecit, në Kroaci, nga ku më pas u dërgua më Spanjë, i shoqëruar nga një siguri e lartë. Ai akuzohet se drejton nga Majorka një organizatë mafioze shqiptare që merret me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave.

 Pavarësisht marrjes në pyetje dhe akuzave të rënda, Osmani nuk e humbet qetësinë. Kur mbërriti në sallë, iu drejtua shtypit i buzëqeshur. Mban të veshur një pulovër gri, pantallona të errëta dhe këpucë sportive të zeza. Te dera ruajnë dy agjentë të Gardës Civile, të armatosur dhe të veshur me jelekë antiplumbë. Kur gjykatësja pyet nëse dëshiron të shtojë diçka, i dyshuari si kreu i mafies shqiptare merr fjalën. Pa ngritur zërin, ngre një dorë deri aty ku e lejojnë prangat dhe shpjegon me qetësi. 

 “Shiko, në restorantin tim kam qenë me mbretin Juan Carlos, jam ulur në tavolinë me Schroder-in dhe me presidentin e Bundestagut, me Sharon Stone, me Leonardo Di Caprion… dhe jo pse kam qëndruar me ta jam bërë mbret, politikan, apo aktor”.

Kështu mbrohet Osmani për një prej akuzave kryesore ndaj tij: Fotot që Grupi i Informacionit të Gardës Civile ka kapur për vite me radhë në restorantin e tij me anëtarë të botës së krimit, burra me një pamje të ashpër që policia i identifikon si ushtarë besnikë dhe të cilët i lidh me narkotrafikun.

Me klanin e tij kosovar!

Me “bajrakun” e tij.

Garda Civile e përcakton “jo si një organizatë të thjeshtë të trafikut të drogës, por si një klan ndërkombëtar, numri një i hyrjes së drogës në Europë”.

Megjithatë kreu i saj, prezantohet si një biznesmen i suksesshëm, i lindur në gjirin e “një familjeje nga Kosova” që thjesht ka pritur vizita nga miqtë dhe vendasit në ishull, aty ku zotëron dy restorante italianë, një hotel dhe një vilë luksoze. “Ne shqiptarët jemi mikpritës dhe këshillohemi me njëri-tjetrin”, thotë ai në deklaratën e tij.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

I gjendur përballë akuzës se drejton mafien nga tryeza e restorantit të tij Ritzi, i gjendur në rrëzë të bankës së të arrestuarve, Osmani mbrohet me argumentin e qartë se, jo pse ulet në tavolinë me një mbret, apo një kriminel njeriu kthehet në mbret apo në kriminel.

“Paratë janë fryt i një pune të madhe dhe investimeve inteligjente”, pohon ai, ndërkohë që rrëfen jetën dhe bizneset mes të cilave citon restorante, diskoteka ku kanë luajtur Beatles, ndërtimin e pallateve, madje dhe një çerdhe, apo 30 salla loje në Kroaci dhe Bosnje”. “Nuk kam pasur asnjëherë lidhje me drogën, as e kam përdorur dhe as e kam shitur…dhe në Spanjë nuk më kanë vënë as dy gjoba”.

Arrestimi i Osmanit konsiderohet si kapja e një hijeje. Është kapja e një njeriu që ka “flamur të kuq” në mbiemrin e tij dhe prej dekadash është objektiv i policisë në mbarë botën, veçanërisht në Gjermani. 

I lindur në Shqipëri 56 vjet më parë, Bashkimi mbërriti në Majorka me pushime në vitin 1995 dhe u vendos aty përfundimisht.

Pa pasur nevojën të mësojë spanjisht, pa pasur nevojë të duket, Osmani është një i pasur më shumë në ishullin e të pasurve, të cilëve askush nuk u bën pyetje. 

Duke qenë se shkonte çdo ditë në restorantin e tij dhe me një alergji ndaj telefonit celular, bisedat me klanin bëheshin personalisht, në një prej tavolinave të lokalit të tij.

Në ishullin e qetësisë, Osmani kaloi pa u vënë re.

Në Majorka ai u martua dhe ndërtoi shtëpinë e tij, një rezidencë moderne dhe ekskluzive në Camp de Mar, midis detit Mesdhe dhe erës së barit të sapoprerë të fushave të golfit. Bëhet fjalë për një shtëpi të madhe të bardhë prej 1000 metrash katrorë me vlerë 15 milionë euro. 

Drejt saj të çon një rrugë gjarpërushe, pa dalje tjetër, ku heshtja mezi thyhet nga motorët e makinave luksoze. Ai vetë ka një Porsche 911 Carrera 4s, një Jaguar F-Pace dhe një Mercedes 300SL.

Kjo ishte shtëpia që u bastis nga policia në mes të shkurtit, një bastisje që bëri bashkë agjentë nga gjysmë duzinë vendesh, duke përfshirë FBI-në dhe DEA-n.

U arrestuan 46 persona në të gjithë Europën që kishin lidhje me klanin. Osmani akuzohet se ka pastruar të paktën 35 milionë euro në ishull. Në bastisje, ai nuk ishte në Majorka: lajmin e mori në Kroaci.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

“ANËTAR NË PUSHTET I KLANIT”

Pavarësisht kërkesës së tij, gjyqtari e çoi në burg. Në makinën e tij, ai pohon se Osmani është “pjesëtar drejtues i klanit” dhe se së bashku me vëllezërit e tij formon kryesinë e grupit kriminal.

Ai “qëndron pas operacioneve të rëndësishme të trafikut të drogës në Europë”. Hetimi e lidh Osmanin me një sasi prej 441 kilogramësh kokainë nga Surinami në Barcelonë. 

“Në këtë kontekst”, thotë gjykatësi, klani krijoi “kornizën e një koorporate” në Ishujt Balearik për të “justifikuar ligjërisht fluksin e kapitalit të marrë përmes aktiviteteve të paligjshme”. Bashkimi “shijon një trashëgimi të jashtëzakonshme falë kësaj strukture”.

Përditshmëria e tij ishte pothuajse gjithmonë e njëjtë. Shkonte në restorant, në selinë e tij. Aty jepte udhëzime dhe nuk humbiste rastin të fotografohej me personazhe të famshëm, si Nick Nolte. Lundronte në Riva Bahamas, me një jaht klasik 18 metra, i quajtur Bikini, tani në shitje për 350,000 €. Në port e kujtojnë si një njeri të shkolluar dhe të qetë.

Që në momentin që ka zbritur ka qenë në radarin e autoriteteve spanjolle, të alarmuar nga Gjermania. Ishulli është një vend ideal për të jetuar dhe sipas burimeve policore “për fat të keq nuk është edhe aq keq për pastrim”, akuza kryesore me të cilën tashmë Bashkimi përballet së bashku me organizatën kriminale dhe që avokatët e tij e mohojnë. 

“Policia ka bërë një shfaqje pa prova, pa asnjë provë”, thotë Jaime Campaner, avokati i njohur që ka marrë në dorë mbrojtjen e tij. “Ne kemi paraqitur të gjitha llogaritë e bizneseve të tij dhe bilancet janë të qarta, gjithçka është e ligjshme, gjithçka kuadron”, thotë ai, duke luftuar akuzat që i quan “romane”. Ai pohon se prokurori nuk ka akuzën e trafikut të drogës.

Mbiemri Osmani nuk u thotë asgjë banorëve të Majorkës. Por ai është i njohur për forcat e policisë dhe një mit i vërtetë në diasporën shqiptare. Sipas burimeve nga grup hetimor, vetëm ta përmendësh si emër, gjeneron besnikëri të palëkundur dhe një bindje gati ushtarake: disa anëtarë të klanit kanë lidhje me ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. “Ata janë një popull me ndjenjë të fortë përkatësie dhe Osmani ka lidhje të fuqishme në Shqipëri”, sqarojnë ata.

Prej 68 ditësh “shefi” ndodhet në një qeli në burgun e Palmës, i akuzuar për drejtimin e një mafie të fuqishme ndërkombëtare kosovare. Ndërsa ai pret gjykimin, restoranti i tij mbetet i hapur. Aty shampanja vazhdon të derdhet, por “klani” nuk po ulet më në tryezë./Investigim i El Mundo, përktheu: VOXnews

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *