Sindikata e pavarur e Administratës së Kosovës kërkon rishqyrtimin e proceseve kushtetuese, në të cilat Laban ka pasur rol vendimtar
Sindikata e pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) reagoi lidhur me deklarimin publik të Presidentes së Republikës mbi gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo sindikatë kërkon rishqyrtimin e të gjitha proceseve kushtetuese, në të cilat Laban ka pasur rol vendimtar.
“Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës – SPAK po ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet që lidhen me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht me integritetin institucional të këtij institucioni kyç për ruajtjen e rendit kushtetues.
Në konferencën për shtyp të mbajtur sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, ka shprehur publikisht shqetësime serioze lidhur me gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, z. Radomir Laban, të cilin e ka cilësuar si kërcënim për sigurinë e shtetit dhe si figurë të pabesueshme e të pakredibil për të trajtuar çështje të natyrës kushtetuese.
Në këtë kontekst, Presidentja njoftoi edhe tërheqjen e kërkesës së saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Kjo deklaratë e fortë dhe institucionale e bën të domosdoshme rishqyrtimin e të gjitha proceseve kushtetuese në të cilat z. Laban ka pasur rol vendimtar, përfshirë rastet KO222/24 dhe KO224/24, ku ai ka vepruar si gjyqtar raportues.
Ky aktgjykim tashmë është i kontestuar moralisht dhe e humbin legjitimitetin për shkak të përfshirjes së një gjyqtari të diskredituar publikisht nga vetë Presidentja e vendit.
SPAK kërkon nga Presidentja ndërmarrjen e hapave institucionalë për të kontestuar vendimet e komprometuara.
Në këto rrethana, SPAK i bën thirrje të drejtpërdrejtë Presidentes që, në përputhje me përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe në vijim të qëndrimit të shprehur publikisht, të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të iniciuar rishikimin dhe kontestimin e aktgjykimit KO222/24 dhe KO224/24, i cili nuk përfaqëson më një produkt të një procesi të drejtë, të paanshëm dhe legjitim.
Për më tepër, SPAK kërkon që Presidentja, znj. Vjosa Osmani, të ndërhyjë urgjentisht për të kërkuar pezullimin e zbatimit të Ligjit nr. 08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, i cili ka dalë si rrjedhojë direkte e aktgjykimeve të lartpërmendura.
Zbatimi i këtij ligji, në rrethana kur legjitimiteti i bazës së tij kushtetuese është vënë seriozisht në dyshim, rrezikon të dëmtojë më tej sistemin e administratës publike dhe të cenojë në mënyrë të pariparueshme të drejtat e zyrtarëve publikë.
SPAK shpreh shqetësimin e thellë për pasojat e mundshme që vendime të tilla të kontestuara mund të kenë mbi besimin në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit ligjor.
SPAK riafirmon përkushtimin e saj për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve të administratës publike dhe bën thirrje për veprim institucional në përputhje me standardet demokratike dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e SPAK-ut.
Rruga Press

