Lajme

Siguria në Kosovë – NATO mbetet vigjilente ndërsa karabinierët italianë përforcojnë Njësitin policor të EULEX-it

Për shkak të situatës së fundit në veri të vendit, sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg ditë më parë pas një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se NATO-ja mbetet vigjilente sa i përket situatës së sigurisë.

Përmes një postimi në Twitter, Stoltenberg thotë se u ka kërkuar të dyja palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës.

“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës. Dialogu është e vetmja rrugë për të ecur përpara. NATO mbetet vigjilentë”.

Kurti të hënën ka takuar po ashtu komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajorin Angelo Michele Ristuccia.

Kryeministri Kurti ka falënderuar Gjeneralmajorin Ristuccia për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht gjatë javëve të fundit, për të garantuar paqe e siguri në veri të Ibrit.

“Në këtë takim u bisedua për angazhim dhe koordinim ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftim.

E të martën vonë, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë të ditur se Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX, është përforcuar me trupa të reja policore.

Lexo më shumë  Konjufca: Dhuna ndaj grave nuk luftohet vetëm me institucione

Borrell ka njoftuar se karabinierët italianë kanë arritur në Kosovë për të përforcuar përkohësisht njësitin policor të EULEX-it.

“Në këto kohë të tensionuara, Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) përmbush detyrën për të garantuar stabilitetin: Karabinierët kanë arritur sonte për të përforcuar përkohësisht Njësitin Policor të EULEX-Kosova. EULEX-i do të vazhdojë të përkrahë një ambient të sigurt”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Kjo nuk është hera e parë që EULEX-i sjell përforcime në Kosovë, pasi një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në mars të këtij viti.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se çështja e targave nuk lidhet esencialisht me zhvillimet në veri.

Konjufca tha se janë afro 60 mijë serbë në jug që nuk kanë asnjë targë, siç i quajti ai, të Millosheviqit, dhe se të njëjtit nuk mendojnë se kanë humbur diçka esenciale në jetën e tyre.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

“Tash, në bazë të këtij komperacioni, nuk mundemi kollaj ta pranojmë argumentin që e tëra nisi për targa sepse e kemi pjesën tjetër të Kosovës ku ata jetojnë me këto targa”, është shprehur në Klan Kosova, Konjufca.

Tutje, ia tha se Serbia po dëshiron që diçka të mos arrihet përmes argumentimit që ajo e kontrollon një pjesë të Kosovës.

“Tash e jona është që t’ia argumentojmë të kundërtën se nuk e kontrollon dhe atje është Policia e Kosovës, Policia Kufitare është në kufi, ka baza të policisë në veri”, është shprehur Konjufca.

I pari i Kuvendit tha se përmes këtyre veprimeve, Kosova do t’i tregojë Serbisë se strategjia e saj do të dështojë dhe është e pamundshme.

“Serbia i ka qëllimet e kundërta me Kosovë, do të tregojë se e kontrollon atë territor dhe tash ka nisur beteja rreth kësaj çështje dhe veprimet janë të organizuara brenda një skeme të madhe e cila fillon prej manifestimit dhe grumbullimit përmes protestës, dorëheqjeve të orkestruara në çdo nivel, prej deputetëve, kryetarëve të komunave e deri te RTK-ja”, është shprehur Konjufca.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *