Siguria kombëtare në rrezik: Bie edhe MEMEX, sistemi bërthamë i Policisë së Shtetit për botën e krimit! Hakerat iranianë publikojnë 1.7 giga materiale
Grupi i hakerave iranianë, “Homeland Justice” kanë publikuar ditën e sotme një material prej 1.7 giga, ku është skeduar i gjithë informacioni policor në sistemin MEMEX për personat e dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale. Lajmin e ka konfirmuar edhe eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço.
“Ajo që kishim dyshime dhe që druheshim ta thoshim me plot gojë ndodhi. 1.7 giga informacion kriminal i sistemit policor Memex u publikua sot nga hakersat. Siguria publike është vënë në pikëpyetje të madhe…”, shkruan Karamuço.
Ajo që bie në sy nga dokumenti i publikuar është emri i gazetarit të njohur, Armand Shkullaku i cili ndodhet në listën e personave të dyshuar ose proceduar në sistemin e Menaxhimit të Informacionit Kriminal.
Janë dhjetëra dokumente me emra dhe foto shqiptarësh, ku në fund të çdo faqe të secilit dokument shkruhet “Albanian suspects”. Pra, “shqiptarët e dyshuar”, por se për çfarë bëhet fjalë nuk specifikohet.
Ndryshe nga sa pretendon qeveria shqiptare se të dhënat e marra nga hakerat nuk janë konfidenciale apo “sekrete”, apo se nga sulmi nuk ka patur dëme të mëdha, lëvizja e sotme provon edhe njëherë se sulmi kibernetik ka depërtuar në çdo njësi të sistemeve shqiptare të sigurisë dhe se pas sistemit TIMS apo hakerimin e e-maileve dhe kamerave të paraburgimit, disponimi dhe publikimi i sistemit MEMEX përbën një rrezik serioz për punën e autoriteteve shtetërore.
Me këtë publikim, çdo person i përfshirë në veprimtari kriminale mund të kërkojë dhe të shikojë sesi e paraqet policia shqiptare atë në sistemin e kërkimit.
Kujtojmë se 2 javë më parë, grupi i hakerave iranianë, “Homeland Justice”, publikuan video nga disa pika kufitare dhe dhoma shoqërimi në komisariate. Ndërkohë, më herë ata kishin publikuar listën e personave të shpallur në kërkim nga policia e Vlorës dhe Tiranës. Që prej vitit 2021 autoritetet shqiptare janë përballur me sulme kibernetike.
Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të 2022 që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platformën e shërbimeve online e-Albania.
Por çfarë është MEMEX?
MEMEX njihet edhe si Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Kriminal dhe është mjeti kryesore në punën e Policisë së Shtetit. MEMEX mban të dhëna sekrete të policisë mbi çdo eksponent kriminal. Ky sistem shërben për marrjen dhe transmetimin e njoftimeve për ngjarjen kriminale të ndodhur, informacionit policor si dhe të dhënave për personat e implikuar në këto ngjarje apo informacione.
Goditja e sotme nga Homeland Justice e zhbën këtë sistem, puna e disa viteve të punonjësve të policisë tashmë është e minuar.
Rruga Press