Siguria dhe reagimi ndaj emergjencave, Sveçla viziton Akademinë e Mbrojtjes Civile në Abu Dhabi
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë qëndrimit të tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, zhvilloi vizita të rëndësishme në Akademinë e Mbrojtjes Civile, Drejtorinë e Përgjithshme të Operacioneve Qendrore në Abu Dhabi dhe Qendrën e Mbikëqyrjes së Shërbimeve ndaj Konsumatorëve.
Në një postim në Facebook, Sveçla i quajti këto tri vizita si shumë të velfshme.
“Këto vizita na mundësuan të shohim nga afër nivelet e trajnimit dhe reagimit në 19 nivele të emergjencave, duke përfshirë edhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Operacioneve Qendrore si mekanizëm koordinues për vlerësimin dhe analizën e rriskut,” tha ministri Sveçla.
Ai vlerësoi qasjen ndërinstitucionale të këtyre strukturave në parandalimin dhe reagimin ndaj rasteve të cënimit të sigurisë dhe menaxhimin e situatave emergjente.
Në takimet me drejtuesit e institucioneve kryesore – Kolonel Adel Ali Alsamri nga Akademia e Mbrojtjes Civile, Abdulaziz Alamed nga Drejtoria e Përgjithshme e Operacioneve Qendrore dhe Mubark Al Kalily nga Qendra e Mbikëqyrjes së Shërbimeve ndaj Konsumatorëve – u theksua rëndësia e bashkëpunimit me institucionet kosovare.
“Pranuam gatishmërinë e tyre të plotë për të ofruar trajnime dhe për të shkëmbyer përvoja më të mira në parandalimin dhe reagimin ndaj emergjencave,” shtoi Sveçla.
Rruga Press