Si u mbajt sekrete vizita e Bidenit për në Kiev
Ishte një vizitë e papritur dhe e padëgjuar nga një president i SHBA-së.
Duke u paraqitur në një zonë lufte që rregullisht është nën sulm, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e përshkruan vizitën e presidentit Joe Biden në kryeqendrën e Ukrainës, Kiev, të hënën, si “të paprecedent në kohët moderne”.
Ata thonë se udhëtimet e kaluara presidenciale në kohë të luftës në Irak e Afganistan, kishin mbështetjen e prezencës së fuqishme ushtarake amerikane.
Dhe përkundër spekulimeve nëpër media se Bideni mund të jetë duke planifikuar udhëtimin në Ukrainë nga Polonia, vizita prapë duket se kapi të gjithë në befasi.
Pamjet e presidentit të SHBA-së, Biden duke qëndruar përkrah presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në zemër të Kievit dhe nën tingujt e sirenave për rrezikun nga sulmet ajrore, dhanë një deklaratë më të fuqishme se çdo gjë që mund të thoshte ai nga Polonia.
“Ishte me rrezik dhe nuk duhet të ketë fare dyshim në mendjen e njerëzve se Joe Bideni është lider që i merr detyrat e tij shumë seriozisht”, ka thënë drejtoresha për komunikim e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield.
Pa telefona
Biden ishte paraparë të udhëtonte nga SHBA-ja në Varshavë të hënën në mbrëmje, për një vizitë dyditore.
Kishte dy boshllëqe të dyshimta të gjata në itinerarin e tij, dhe shumë pyesnin veten nëse mund të ishte koha kur ai do të shkonte në Ukrainë.
Gazetarët në konferencat e përditshme të shtypit të Shtëpisë së Bardhë kishin pyetur vazhdimisht për një vizitë të mundshme në Ukrainë.
Atyre iu tha se nuk është planifikuar asnjë takim me Zelenskyn dhe nuk ka ndalesa të planifikuara jashtë Varshavës.
Vendimi përfundimtar për udhëtimin në Kiev u mor vetëm të premten, ndonëse ishte planifikuar me muaj me një pjesë të vogël të ndihmësve kryesorë të presidentit.
Të dielën, orari zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tregonte se presidenti Biden nisej për në Varshavë në orën 19:00 me kohë lokale në Washington të hënën. Por, aeroplani Air Force One u ngrit në qiell në ora 04:15 me kohë lokale të dielën.
Në aeroplan ishte një ekip i vogël me këshilltarë të ngushtë të presidentit, një skuadër mjekësore dhe zyrtarë të sigurisë.
Vetëm dy gazetarë u lejuan të udhëtonin me presidentin. Ata u betuan për të mos treguar për udhëtimin dhe iu morën telefonat celularë. Nuk u lejuan të raportonin për vizitën deri pasi presidenti Biden arriti në Kiev.
Rusia u njoftua për udhëtimin vetëm pak orë para se presideni ameriakn Biden të nisej, sipas zyrtarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.
Ai tha se SHBA-ja e bëri për “qëllime dekonfliktimi”.
“Nuk do të flasë për atë se si reaguan apo natyrën e mesazheve të tyre, por mund të konfirmojë se kemi dërguar njoftim”, ka thënë Sullivan.
Dhjetë orë me tren për të arritur në Kiev
Presidenti i SHBA-së, Biden kaloi dhjetë orë në një tren për të arritur deri në kryeqendër të Ukrainës, Kiev. Ai ka mundur të vizitonte lokacione tjera brenda Ukrainës që do të ishin më të lehta për t’u arritur, por donte të bënte udhëtimin simbolik për në Kiev.
Derisa udhëtimi i Bidenit është sinjal për Moskën, se administrata e tij do të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën, po ashtu është edhe një dëshmi për votuesit amerikanë në shtëpi.
Zëdhënësja e tij, Karine Jean-Pierre, ishte pyetur javën e kaluar rreth sondazheve që tregojnë se përkrahja amerikane për Ukrainën po zbutet.
Ajo tha se kurdo që presidenti flet, ai i flet popullit amerikan por edhe njerëzve nëpër botë.
Vizita e të hënës, është një mesazh ndaj zërave republikanë që kanë vënë në dyshim se sa gjatë SHBA-ja do të vazhdojë ta përkrahë Ukrainën.
Rruga Press