Bota

Si u gjet bosi i mafias italiane në një klinikë private pas 30 vjetësh kërkimi

Mafiozi më i kërkuar i Italisë po shkonte për në një kafene jashtë një klinike private siciliane kur një polic iu afrua dhe e pyeti për emrin.

Ai nuk gënjeu.

“Ti e di kush jam. Unë jam Matteo Messina Denaro”, ia ktheu ai policit.

Deri në atë moment, forcat e armatosura nuk mund të ishin të sigurt se njeriu ishte vërtet “bosi i të gjithë bosëve” mafioz, të cilin ata e kishin kërkuar për tre dekada, shkruan BBC-ja të martën.

Ai u regjistrua për në klinikë me emrin Andrea Bonafede.

Por pas vitesh kërkimesh të mundimshme dhe vetëm një imazh të kompjuterizuar, policia ushtarake karabiniere e Italisë ishte mjaft e sigurt se ai ishte njeriu që kërkonin.

Gjatë kohës së tij në krye të organizatës së krimit të organizuar Cosa Nostra, Messina Denaro mbikëqyri shantazhin, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës. Ai u dënua në mungesë në vitin 2002 për një sërë vrasjesh.

Ai thuhet të ketë qenë mbrojtësi i Totò Riina – kreu i klanit “Corleone”, i cili ishte arrestuar në vitin 1993 pas 23 vjetësh në arrati. Ky ishte viti kur Messina Denaro ishte zhdukur. Për 30 vjet, hetuesit për ta identifikuar atë mund të bazoheshin vetëm në një pamje grafike të fytyrës dhe në disa pjesë të shkurtra të zërit të tij të ingjizuar.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Raportet e ndryshme e lokalizonin atë gjithkund, nga Venezuela në Holande. Mirëpo ai ishte në Palermo, në zemrën e qytetit të tij, Sicilsë, atje ku edhe u gjet.

Gazetari italian Andrea Purgatori i ka thënë BBC-së se gjetja e Messina Denaros ishte e vështirë sepse, ashtu siç ndodh me bosët e tjerë të mafias, ai ishte i mbrojtur nga një rrjet shumë i dendur bashkëfajësish.

Shumë kishin supozuar se arrestimi i së hënës ishte rezultat i një informacioni nga bashkëpunëtorët e Messina Denaros, të cilët vendosën se shefi i sëmurë nuk ishte më i dobishëm për ta.

“Në fund të fundit, për një kohë të gjatë mafiozi më i kërkuar i Italisë ishte ndjerë mjaftueshëm i mbrojtur për të ecur lirshëm në rrugët e Palermos, kryeqyteti moral i Cosa Nostra”, është shprehur Purgatori.

Pas 30 vitesh kërkimi, çfarë e kishte çuar më në fund policinë drejt tij?

Në një konferencë shtypi, policia hodhi poshtë teorinë e një informate. Në vend të kësaj, ata thanë se kishin kombinuar metodat e hetimit të shkollës së vjetër me teknologjinë moderne për të kufizuar të dyshuarit e tyre.

Për më shumë se një dekadë, policia goditi këdo që dyshohej se mbronte ose ndihmonte Messina Denaron. Më shumë se 100 persona u arrestuan, duke përfshirë vëllezërit e motrat e Denaros, dhe u sekuestruan biznese me vlerë mbi 150 milionë euro.

“Kjo gradualisht e dobësoi rrjetin e tij dhe përfundimisht e bëri atë më të prekshëm”, ka thënë gjenerali Teo Luzi.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Sipas Policisë, janë përgjuar edhe banesat e të afërmve të Messina Denaros.

“Ata duhet të kenë qenë të vetëdijshëm se bisedat e tyre po dëgjoheshin, dhe kështu flisnin vetëm për ‘njerëz me kancer’ dhe ‘operacione kanceri’ në terma të përgjithshëm”, kanë thënë zyrtarë policorë.

Megjithatë, kjo ishte e mjaftueshme për t’i dhënë informacion hetuesve – veçanërisht për shkak të thashethemeve të gjata se Messina Denaro ishte i sëmurë.

Këto përgjime, të kombinuara me monitorimin e kërkimeve në internet për sëmundjen e Crohn dhe kancerin e mëlçisë nga bashkëpunëtorët e Messina Denaro, i shtynë karabinierët të supozonin se bosi i mafias po kërkonte trajtim dhe arritën pikërisht te ai pas 30 vjetësh.

Messina Denaro kreu disa nga krimet më të dhunshme dhe më mizore në Itali.

Në vitin 2002 ai u gjykua dhe u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë.

Vrasjet e tij përfshijnë:

Vrasja e 1992 e prokurorëve antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino

Vrasja e Antonella Bonannos, e dashura shtatzënë e një bosi rival mafioz

Sulmet me bombë të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë, ku u vranë 10 persona

Rrëmbimi dhe vrasja e Giuseppe Di Matteo, djalit 11-vjeçar të një dëshmitari mafioz të kthyer në shtet. Djali u mbajt në robëri për dy vjet përpara se të vritej. Trupi i tij u tret në acid për të mos lejuar që familja ta varroste.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *