Opinion/Aktualitet

Si shqiptarë të Kosovës kemi mbijetuar nga zhdukja vetëm në saje të soliditetit të identitetit kulturor, gjuhësor e kombëtar shqiptar

Nga Donik Sallova

Si shqiptarë të Kosovës kemi mbijetuar nga zhdukja vetëm në saje të soliditetit të identitetit kulturor, gjuhësor e kombëtar shqiptar. Vetëdija mbi këtë identitet historik ka qenë mburojë përballë programeve hegjemoniste të Serbisë në përpjekjen e saj për të na e marrë tokën që e quan “tokën e vet mitike”. Por, identiteti shqiptar i rrënjosur thellë në shpirtin e këtij populli nuk e pushoi kurrë rezistencën për çlirim, liri e bashkim. Sot ata që flasin për “identitetin kombëtar kosovar”, duan që këto rrënjë t’i këpusin dhe këtij populli t’ia ndryshojnë motivin e rezistencës shekullore, që ishte lufta për identitetin e tyre shqiptar që iu shtypej. Lufta për identitet i jep karakter politik luftës për liri. Lufta ndaj Serbisë nuk ka qenë luftë ekonomike, shqiptarët nuk kanë derdhur gjak që të kenë më shumë qendra tregtare në Kosovë.
Rrënjët tona të thella duan t’i reduktojnë tek 17 shkurti, që pavarësisht se datë sublime e historisë tonë të re, e shkëputur nga konteksti historik i rezistencës 1 shekullore në mbrojtje të identitetit shqiptar të Kosovës, ua jep kontestuesëve të botëror të kësaj pavarësia argumentin se ky shtet është një entitet artificial i rrethanave gjeopolitike. Sot edhe ashtu nga gjysma e botës joperëndimore Kosova shihet veç si pasojë e bombardimeve të NATO-s. Në gjeopolitikën e së ardhmes, sikurse përballë çdo gjeopolitike, sovranitetet pa rrënjë historike janë të parat që shkulen nga rendi botëror i cili gjithnjë ndryshon. Konstantja e përhershme e çdo rendi politik botëror janë kombet me rrënjë historike. Propagandës së madhe historike të Serbisë mbi Kosovën i ka mbijetuar vetëm vetëdija e thellë mbi shqiptarizmin e këtij populli, përndryshe do të kishim mbetur vetëm muslimanët e Kosovës, sikur ata të sanxhakut. Shteti i Kosovës do të mbijetoj vetëm në saje të përplotësimit të vetëvendosjes kombëtare shqiptare.
Identitetet artificiale gjithnjë janë të rrezikuara pavarësisht se a kanë shtet apo jo. Rasti tipik dhe shumë i afërt është Maqedonia e Veriut, “artificialitetetin identitar” të së cilës janë duke e shkërmoqur shtetet e veta fqinje, duke ia mohuar emrin, gjuhën, identitetin kombëtar etj. Çfarë do t’i mbetet autentike Maqedonisë së Veriut kur të detyrohet t’i bëjë këto kompromise në rrugën e vet euro-integruese? Një identitet pa trajtë dhe pa rrënjë, ku sërish shqiptarët në saje të identitetit historik do jenë i vetmi komb i pakontestuar i këtij territori.

Lexo më shumë  Deklaratat e dy nënkryetarëve të LDK-së në çdo vend të botës do të cilësoheshin si tradhëti kombëtare

nëntorishqiptarSkënderbeuIsmailQemaliAdemJashari🇦🇱

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *