KryesoreLajme

Si po “shuhet” Shqipëria! Shtesa natyrore e popullsisë afër zeros për të tretin vit radhazi; Lindjet më të ulëtat që nga viti 1934

Në tre vitet e fundit, Shqipëria ka pasur një shtesë natyrore afër zeros, për shkak të vdekjeve të larta dhe rënies së lindjeve.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022, shtesa natyrore e vendit, që mat diferencën mes lindjeve dhe vdekjeve ishte vetëm 675 persona, më e ulëta historike, me përjashtim të dy viteve të pandemisë 2020-2021, kur kishte një numër të lartë të pazakontë vdekjesh. 2021-i është i vetmi në historinë e Shqipërisë me shtesë negative (-3,296), ndërsa në 2020-n shtesa ishte minimale prej vetëm 470 personash.

Por, ndërsa në periudhën 2020-2021, indikatori u përkeqësua për shkak të numrit të lartë të vdekjeve si pasojë e pandemisë, në 2022-n, numri i vdekjeve u stabilizua, duke u rikthyer afër tendencës historike dhe efektin kryesor e dha përshpejtimi i tendencës tkurrëse të lindjeve.

Sipas INSTAT, në vitin 2022 u shënuan 22.9 mijë vdekje, me një tkurrje të fortë me 37% në raport me vitin e mëparshëm kur ishte kulmi i pandemisë, duke iu rikthyer trendit normal të para pandemisë (vdekjet në 2022 ishin rreth 5% më të larta se mesatarja e 2016-2019).

Në vend, lindën për të njëjtën periudhë 23.6 mijë bebe, me rënie 13.5% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është numri më i ulët i lindjeve të regjistruara ndonjëherë në vend, që nga viti 1934, kur raportohen të dhënat.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Ky tregues mat vetëm shtesën natyrore të popullsisë, ndërsa popullsia reale mund të jetë tkurrur më shumë për shkak të migracionit neto negativ, me ikjet e popullsisë, sidomos të të rinjve, që vitet e fundit janë përshpejtuar.

Si po bie popullsia

Të dhënat historike tregojnë se shtesa natyrore e popullsisë arriti në nivelin më të lartë historik në vitin 1990, me gati 64 mijë lindje më shumë sesa vdekjet. Në atë vit u shënua një nivel rekord prej 82 mijë lindjesh dhe 18 mijë vdekjesh. Mosha mediane e popullsisë (që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta) ishte në atë kohë rreth 24 vjeç, sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Më pas, emigracioni masiv i pas viteve ’90 dhe ndryshimi i stilit të jetesës që çoi në rënien e lindjeve për një grua, ndikoi në plakjen e popullsisë, që u shoqërua me rënien e lindjeve dhe shtimin e vdekjeve. Nw vitin 2022, mosha mediane popullsisë arriti në 38.2 vjeç.

Vala e re e emigracionit, që po përshpejtohet vitet e fundit pritet që ta përkeqësojë më tej këtë tendencë. OKB parashikon që në vitin 2055 mosha mediane e popullsisë të arrijë në 50 vjeç.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Censi i fundit i INSTAT është kryer në vitin 2011, në bazë të së cilit popullsia ishte rreth 2.8 milionë banorë. Censi është shtyrë disa herë, fillimisht për shkak të pandemisë në 2020-n, më pas mungesës së infrastrukturës dhe pritet që të fillojë të kryhet vetëm në shtator të këtij viti.

Vlerësimet indirekte nga lejet e qëndrimit që janë dhënë nga vendet e Bashkimit Europian tregojnë se që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat, shtetet e BE-së kanë dhënë për shqiptarë gjithsej 756 mijë shtetas shqiptarë. Nga institucionet ndërkombëtare, numri i lejeve të qëndrimit për shtetasit e një vendi llogaritet si emigracion.

Pasojat e tkurrjes natyrore të popullsisë, plakjes graduale dhe sidomos valës së re të emigracionit të të rinjve po ndihen dukshëm në ekonominë vendase, si në mungesën e fuqisë punëtore, tkurrjen e konsumit, ndërsa në të ardhmen efektet pritet të jenë më të mëdha në rënien e produktivitetit dhe ngadalësimin e ekonomisë si dhe përkeqësimit të skemës së pensioneve. MONITOR

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *