Si mund të ndërpriten eksportet ruse të naftës, pa dëmtuar tregjet globale të energjisë
Nga Matthew Cweig & John Hardie “National Interest”
Dëshmitë në rritje të krimeve të luftës nga ushtria ruse kundër civilëve ukrainas, kanë nxitur thirrjet për sanksione kundër eksporteve ruse të energjisë, nga të cilat Bloomberg parashikon se Rusia do të fitojë 321 miliardë dollarë vetëm këtë vit, pra mbi 30 për qind më shumë se në vitin 2021, për shkak edhe të rritjes së çmimi të naftës dhe gazit.
Ndërsa shumë analistë dhe zyrtarë në Perëndim, janë me të drejtë të shqetësuar ndaj ndikimit që mund të ketë kjo në tregjet energjitike, ka një mënyrë përmes së cilës Uashingtoni dhe aleatët e tij mund të vendosin sanksione ndaj naftës ruse, duke minimizuar humbjen e sasisë për të cilën kanë nevojë, si dhe rritjen e çmimeve, si dhe duke i shkaktuar Moskës shumë dëme financiare.
Në vend se ta largojnë nga tregu naftën dhe gazin rus, sanksionet perëndimore duhet të synojnë të lënë të paprekur ofertën ruse, duke përdorur të ashtuquajturat sanksione “sekondare”, për të reduktuar qasjen e Rusisë në të ardhurat nga eksporti i naftës, dhe për të kompensuar përfitimet e Moskës nga çmimet më të larta të naftës.
Ky regjim sanksionesh, duhet të bazohet tek mësimet e nxjerra nga sanksionet shumëpalëshe kundër Iranit në vitet 2011-2015, që gëzonin një mbështetje dypartiake në SHBA, dhe të cilat e detyruan Teheranin të bëhet pjesë e bisedimeve mbi programin e tij bërthamor.
Me disa përshtatje me realitetet aktuale të tregut, këto lloj sanksionesh mund të kufizojnë kostot për konsumatorët në SHBA dhe vendet aleatë. Sanksionet perëndimore të vendosura që nga fillimi i luftës në Ukrainë, e kanë tronditur ekonominë ruse. Siç e ka pranuar vetë Ministri i Jashtëm rus, shkalla e reagimit ekonomik të Perëndimit e kapi të papërgatitur Kremlinin.
Thuhet se zyrtarët rusë kanë arritur në përfundimin se ekonomia e vendit mund të rezistojë edhe për disa muaj, por më pas nëse nuk lehtësohen sanksionet, gjithçka do të marrë tatëpjetën. Mjerisht, Ukraina nuk mund të presë kaq gjatë.
Siç e tha së fundmi një zyrtar i lartë ukrainas Kievi “po e llogarit kohën jo me javë apo ditë, por me jetë njerëzish”. Prandaj tani është koha që Perëndimi të ushtrojë presion mbi gazin dhe naftës ruse, dhe ta detyrojë presidentin Vladimir Putin t’i japë fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur.
Përveç ndihmës ndaj Ukrainë në armë dhe mbështetje të tjera, Perëndimi duhet të shënjestrojë të ardhurat jetike të Rusisë nga eksporti i naftës, të cilat vitin e kaluar përbënin gati 37 për qind të totalit të eksporteve ruse. Monedha e fortë për shkak të eksporteve të naftës, është shumë e rëndësishme tani për Rusinë, pas sanksioneve perëndimore që kanë sjellë ngrirjen e një pjesë të madhe të rezervave valutore të Moskës.
Megjithëse Shtetet e Bashkuara, Britania e Madh, Kanadaja dhe Australia i kanë ndaluar ose kufizuar importet e naftës ruse, ato përbëjnë vetëm një përqindje të vogël të shitjeve të naftës ruse. Shumica e importuesve të mëdhenj, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Kinën, që blejnë përkatësisht rreth gjysmës dhe 1/3 e eksporteve të naftës ruse, nuk i kanë ndalur ende blerjet tyre.
Madje edhe tani kur bankat e mëdha, kompanitë e naftës dhe ato të transportit detar, po i shmangen bërjes biznes me rusët. Po kështu, ndërsa India ka blerë javët e fundit shumë naftë ruse me një ulje të madhe të çmimit, edhe rafineritë shtetërore kineze thuhet se po i shmangen blerjes së sasive shtesë të naftës ruse, nga frika e reagimit perëndimor, nëse Kina do të duket sikur po e ndihmon Rusinë në luftën që ka nisur prej 2 muajsh në Ukrainë.
Ish-zyrtarët nga administrata Trump dhe Obama i kanë mbrojtur sanksionet “dytësore” kundër sektorit energjetik të Rusisë, të cilat synojnë individët dhe subjektet jo-amerikane, për shkak të përfshirjes në aktivitete me ata që janë në shënjestër të sanksioneve të SHBA-së.
Të vendosura për herë të parë kundër Iranit në vitin 2011, këto sanksione synonin bankat ku importuesit paguanin paratë për naftën iraniane. Çdo kompani e huaj që kapet duke kryer transaksione me këto institucione financiare, mund të përballet me ndëshkime nga SHBA-ja, përfshirë edhe dëbimin nga tregu dhe sistemi financiar amerikan.
Dhe kjo masë për thuajse çdo kompani të madhe të huaj, do të ishte një “dënim me vdekje”.
Po ashtu, Uashingtoni i nxiti importuesit të reduktojnë gradualisht vëllimin dhe çmimin e blerjes së naftës iraniane, duke bërë përjashtime nga sanksionet për bankat e çdo vendi që reduktonte ndjeshëm importet e naftës iraniane.
Më e rëndësishmja:sanksionet e SHBA-së e penguan Teheranin të riatdhesonte valutën e fituar nga shitja e naftës. Në këtë mënyrë, Uashingtoni nxiti respektimin e sanksioneve nga klientët e naftës iraniane, të cilët natyrisht preferuan më mirë që të ardhurat e naftës iraniane të shpenzoheshin në ekonomitë e tyre, në vend se të riktheheshin në Iran.
Ndërsa kopjon skemën e Iranit, Uashingtoni do t’i duhet që ta përshtatë strategjinë e tij me kontekstin aktual. Ndërsa Irani ishte prodhuesi i pestë më i madh i naftës në botë në vitin 2012, sot Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë, dhe eksportuesi kryesor i saj.
Prodhimi i naftës argjilore në SHBA, nuk mund ta zbusë rritjen e çmimeve të naftës në të njëjtën masë që e bëri një dekadë më parë. Çmimet tashmë të larta të naftës dhe inflacioni i lartë i ndërlikojnë akoma më tej gjërat.
Çdo sanksion kundër eksporteve të naftës ruse, do të duhet të përshtatet me kujdes situatën, për të minimizuar ndërprerjet furnizimeve në tregjet globale të energjisë, dhe për të krijuar stimuj për respektimin e sanksioneve nga palët e treta. Prandaj, është e nevojshme një goditje graduale e të ardhurave ruse të naftës.
Sanksionet perëndimore, nuk duhet të fokusohen tek heqja e naftës ruse nga tregu, por në reduktimin e ndjeshme të të ardhurave që Rusia fiton nga çdo fuçi nafte e eksportuar. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, mund t’i grupojnë në 3 kategori importuesit e naftës ruse.
Në të parën janë vendet që kanë ndaluar ose planifikojnë të ndalojnë blerjen e naftës ruse. Në të dytën ato që janë zotuar të heqin dorë nga blerja e naftës rusë, në një mënyrë që të mos e dëmtojë tregun e naftës. Dhe në të tretën përfshihen importuesit e mëdhenj, si Kina, India si dhe disa vende evropiane, që nuk janë zotuar për ndonjë reduktim të blerjeve të naftës nga Rusia.
Uashingtoni dhe aleatët e tij, duhet të fokusohen tek kategoria e tretë, duke këmbëngulur që këto vende të mos rritin importet e naftës nga Rusia. Në këmbim, sanksionet perëndimore mund t’i detyrojnë këta blerës të arrijnë një zbritje të specifikuar të çmimit në blerjet e naftës ruse gjatë një afati kohor të pëcaktuar.
Për shembull, duke përdorur standardin e naftës së papërpunuar, Brent, pritet që India ta blejë një fuçi naftë ruse me një ulje prej 35-50 dollarë për 90 ditët e ardhshme. Kjo zbritje rritet me 15-25 dollarë shtesë për çdo 90 ditë. Nga një marrëveshje e tillë mund të përfitojë klientët e mbetur të naftës ruse, ndërsa ruhet çmimi i naftës në nivel global për ata që e kanë ndërprerë blerjen e naftës së papërpunuar ruse.
Njëherazi, regjimi i sanksioneve duhet të përdorë një mekanizëm llogarie për qëllime speciale, me faza të ngjashme me ato të përdorura për Iranin. Kjo do të parandalonte riatdhesimin e valutës së fortë në Rusi, ndërsa do lejonte tregtinë e mallrave të konsumit, siç ndodhi me Iranin para vitit 2015.
Çdo përpjekje për sanksione ndaj sektorit energjetik rus, do të jetë e vështirë dhe komplekse, por jo e pamundur nëse Perëndimi ka mundësi të gjejë vullnetin politik. Populli ukrainas është në vijën e parë kundër agresionit rus, duke luftuar për të mbrojtur jo vetëm atdheun e tij, por edhe vlerat themelore që mbështesin botën e lirë. A do ta lërë Perëndimi vetëm në këtë luftë? /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/
Shënim: Matthew Zweig, bashkëpunëtor në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD). John Hardie është menaxher i kërkimeve në këtë fondacion.
Rruga Press