Si i përdorte Veliaj krushqit e tij për sulme politike
CNA ka zbardhur skemën se si bashkëshortja e Erion Veliajt dhe familjarët e saj u kthyen në menaxherë të artit dhe kulturës, duke përfituar miliona nga ky aktivitet, pas ardhjes në pushtet të dhëndrit.
Gjithçka nisi me Ajola Xoxën, bashkëshorten e Veliajt me profesion juriste, e cila drejtësinë e la në hije për t’u kthyer në kuratore arti.
Ajola krijoi “Harabel”-in në janar të 2018-ës, kompani, e cila ka promovuar vepra arti të financuara nga kompania e inceneratorit të Tiranës. Kompania e bashkëshortes së Veliajt na rezulton të ketë bashkëpunuar me Teatrin e Operës dhe Baletit dhe Ministrinë e Kulturës, ndërsa nga kjo e fundit ka marrë edhe pagesa.
Më pas, në art e kulturë angazhohet edhe daja i Ajolës, Erald Simixhiu, i cili hapi si OJF në vitin 2021 në Shqipëri qendrën “Eventus”, ku rezulton drejtoreshë bashkëshortja e tij, Linda Kazani. “Eventus” ka marrë 5 pagesa nga Bashkia e Tiranës, në vlerën rreth 93 milionë dhe dy pagesa nga Ministria e Kulturës. Gjithashtu, Simixhiu hapi në 2021-shin edhe kompaninë “Art Lab”, të cilën e ka në emër të tij dhe në një vit punë deklaroi 93 milionë lekë fitim.
Pas bashkëshortes dhe dajës së saj, në menaxhimin e artit u angazhua edhe vjehrra e Veliajt, pra nëna e Ajolës. Valbona Xoxa krijoi kompaninë “AVA STUDIO” dhe në pak muaj përfitoi dhjetëra mijëra euro.
Por çfarë ndodh. Ka dhe një detaj tjetër.
Përtej skemave, përtej asaj që familjarët e bashkëshortes së kryebashkiakut marrin fonde nga Bashkia e Tiranës me firmë të dhëndrit të tyre, pra Erion Veliajt, rezulton se janë përdorur edhe për politikë nga Erion Veliaj.
Fakti është që “The Music Company Tirana” që i përket qendrës “Eventus” të dajës dhe nuses së dajës së Ajola Xoxës ka reaguar pas një gjesti të drejtuesit politik të PD-së, Belind Këlliçi. Qëndrimi duket se është politik.

Pra, përpos faktit që kanë marrë para nga Bashkia për aktivitete dhe evente provohet që lidhja ka qenë politike.
Shërbimi që këto kompani i kanë dhënë Veliajt është dhe politik dhe propagandistik.
Rasti për reagimin e Belind Këlliçit tregon që ka një urdhër politik të Erion Veliajt, i cili nga ana tjetër thotë s’kam lidhje, nuk njoh dajën e gruas, nusen e dajës së gruas, nuk njoh reagimet e tyre për politikë, ndërkohë që ka firmosur pagesat dhe ata reagojnë publikisht dhe e mbrojnë politikisht.
Pra, në fund rrjedh se familjarët e bashkëshortes së Veliajt jo vetëm kanë marrë fonde, por janë përdorur edhe për sulme politike./ CNA
Rruga Press