BallinaKuriozitete

Si i mori balzaku dy vota në akademinë franceze?” Rrëfimi i Victor Hugo më 2 mars 1887

“Les Annales politiques et littéraires” kanë botuar, më 19 gusht 1900, në faqen n°10, dhe me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të gjeniut francez Honoré de Balzac, rrëfimin e një gjeniu tjetër francez, atë të Victor Hugo-së, në lidhje me prapaskenat e sigurimit të dy votave për Balzakun në Akademinë franceze, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

“Po kaloja me makinë në rrugën Faubourg-Saint-Honoré, kur, përpara Elysée-së, pashë z. de Balzac që më bënte shenjë të ndaloja. Doja të zbrisja, por ai më ndaloi dhe tha, duke më prekur duart e mia:

— Dëshiroja të vij t’ju takoj. Ju e dini se jam kandidat për t’u bërë pjesë e Akademisë?

— Jo.

— Epo ! po ju a them. Çfarë mendoni?

— Unë mendoj se keni ardhur tepër vonë. Ju do të keni vetëm votën time.

— Unë dua veçanërisht votën tuaj.

— A jeni mjaft i vendosur?

— Absolutisht.

Balzaku u largua. Zgjedhjet tashmë ishin pak a shumë vendosur; shumë emra letrar mbështesnin, për arsye politike, kandidaturën e z. Vatout. U përpoqa të bëja propagandë për Balzakun; por u përplasa kundër ideve fikse (të ngulitura) dhe nuk arrita asnjë sukses. U mërzita pak që një burrë si Balzaku të merrte vetëm një votë dhe mendova se nëse do t’i siguroja një të dytë, do të krijoja në mendjen e tij një dyshim të favorshëm për secilin nga kolegët e mi. Si ta arrija këtë votë ?

Në ditën e zgjedhjeve, isha ulur pranë Pongerville-sit të shquar, njeriu më i mirë dhe e pyeta në mënyrë të papritur :

— Për kë votoni?

— Për Vatout, siç e dini.

— Unë di aq pak sa kam ardhur të ju kërkoj të votoni për Balzakun.

— E pamundur.

— Pse kjo?

— Sepse zarfi im është përgatitur i gjithi. Shikoni: Vatout.

— Oh! Kjo nuk prish punë.

Dhe, në dy gisht letër, me shkrimin tim më të bukur, shkruajta : Balzac.

— Dhe? më pyeti Pongerville.

— Epo, do ta shihni.

Përmbaruesi, i cili po mblidhte votat, na u afrua. Unë i dhashë një nga zarfat që kisha përgatitur. Pongerville nga ana e tij zgjati dorën për të hedhur emrin e Vatout në kuti; por një goditje miqësore në gishta e bëri letrën të bjerë për tokë. Ai e shikoi atë, dukej i pavendosur dhe, ndërsa unë i ofrova zarfin e dytë në të cilin ishte shkruar emri i Balzakut, ai buzëqeshi, e mori dhe e dërgoi me hir të mirë.

Dhe ja pra sesi Honoré de Balzac mori dy vota në Akademinë franceze!”

VICTOR HUGO

YouTube player