Opinion/Aktualitet

Si është e mundshme që çdo 28 nëntor shqiptarët vetëm festojnë e kurrnjëherë s’i kujtojnë

Nga Shkëlzen Gashi

Si është e mundshme që çdo 28 nëntor shqiptarët vetëm festojnë e kurrnjëherë s’i kujtojnë e as s’i nderojnë afro 25 mijë civilë të pafajshëm shqiptarë, të vrarë prej forcave sërbo-malazeze në tetor e nëntor të vitit 1912?
Në fund të tetorit të vitit 1912 shqiptarët e armatosur u detyruan me u tërheqë nëpër male. Ushtria sërbo-malazeze e okupoi Kosovën duke i shkaktuar disfatë ushtrisë osmane, e cila përkundër lutjeve të shqiptarëve për të qëndruar e për t’i mbrojtë, u tërhoq prej Kosovës. Për më shumë, ushtria sërbo-malazeze u futë edhe në veri të Shqipërisë dhe synoi me dalë në detin Adriatik. Më 23 tetor 1912, në vendin ku thuhet se u zhvillua Beteja e Kosovës e vitit 1389, forcat sërbo-malazeze festuan ‘çlirimin’ e Kosovës. Por, për ta realizuar këtë ‘çlirim’, forcat sërbo-malazeze kryen krime të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë:

  • Gratë e fëmijët i lidhën për mullarë të sanës dhe ua vunë zjarrin ndër sy të baballarëve e të burrave të tyre. 3.000 arnautë janë masakruar në rajonin ndërmjet Kumanovës dhe Shkupit… 5.000 mijë afër Prishtinës… 5.000 tjerë afër Prizrenit… Mbi 1.200 të vrarë në Ferizaj… Në disa katunde, shpive ua vunë flakën dhe mandej banorët i vranë si qentë sapo u përpoqën t’i shpëtojnë zjarrit. (Leo Freundlich ‘Golgota e Shqipërisë – aktakuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar’. Freundlich thotë se numri i shqiptarëve të vrarë në fund të vitit 1912 e në fillim të vitit 1913 del të ketë qenë 25 mijë);
  • Neper katunde duel çiltas urdhni i Sundimit t’Malit-t’-Zi qi; a me u baa shkjee a me pasë gjikimin e dekës. Shum vetë qi guxuene me i dale per ball ktii urdhnit t’paa-udhë i xëshin, i rrihshin mirë e mirë, mandej përdhuni ja shtishin kryet n’grykë t’kaftorrit (stufës) t’ndezun e ja mashin ashtu derisa a i piqeshin syyt; ase i lyshin duert me voj gurit e i nepshin zjermin me shkrepcë; ase i shtergoshin kryet me nji vegel t’hekurit deri saa ja qitshin syyt jashtë e truut ja derdhshin; ase me nji piskerr i ndukshin mustakët fije për fije. (Zef Mark Harapi ‘Ditt e Trishtimit n’Pejë e nder rrethe 1912-1913’);
  • Shtëpi dhe fshatëra të tëra të bëra hi, masakrime të popullatës së paarmatosur dhe të pafajshme… këto metoda janë përdorë nga ushtria serbo-malazeze me qëllim të transformimit total të karakterit etnik të regjioneve të banuara ekskluzivisht nga shqiptarët (Raport nga Komisioni Ndërkombëtar për Hetimin e Shkaqeve dhe Sjelljeve në Luftat Ballkanike, hartuar nga Donacioni Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, 1914);
  • Dielli po perëndonte dhe errësira tashmë kishte fituar terren. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha. Ishte ky shembulli i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese që pashë në zonat e luftimeve. Në një çast, pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri na përcolli gjatë gjithë rrugës deri në Shkup. (Leon Trotsky ‘Behind the Curtains of the Balkan Wars’);
  • Po ashtu, janë të rëndësishëm artikujt e socialdemokratëve sërbë: Kosta Novaković, Dušan Popović, Dragiša Lapčević e Triša Kaclerović, të botuara këto në gazetën socialiste të Beogradit Radnićke Novine, ku në njërin prej artikujve të kësaj gazete thuhet: Redaksia e gazetës Radnićke Novine posedon të dhëna për krime të tmerrshme të forcave sërbe ndaj shqiptarëve, por janë aq të tmerrshme sa parapëlqen të mos i publikojë fare.
  • Janë të dobishëm posaçërisht artikujt e socialdemokratit sërb Dimitrije Tucović, njëri ndër të cilët thotë: “…ne bëmë tentativë vrasjeje me paramendim mbi një komb të tërë”.
    Për fund, pyetja ime në prag të çdo 28 nëntori mbetet e njëjtë: si është e mundshme që çdo 28 nëntor shqiptarët vetëm festojnë, e kurrnjëherë s’i kujtojnë e as s’i nderojnë afro 25 mijë civilë të pafajshëm shqiptarë, të vrarë prej forcave sërbo-malazeze, kryesisht në tetor e nëntor të vitit 1912?
Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *