Si e pushtoi krimi i organizuar shqiptar tregun evropian të kokainës
Pasditen e 5 nëntorit 2020, ndërsa rrugët qëndronin të mbyllura për shkak të masave kundër pandemisë së Covid-19, dy burra shqiptarë me banim në Belgjikë shkëmbyen një seri mesazhesh të shkurtra nëpërmjet aplikacionit të koduar Sky ECC – të deshifruara vite më vonë nga autoritetet ligjzbatuese europiane.
“E gjetëm mallin,” shkruante i kënaqur një prej tyre, ndërsa tjetri i përgjigjej me vetëbesim [cit]: “Po… t’thashë është aty. Puna ma e madhe n’histori që ka hy i herësh n’Europë, 12T… 8,7 ka qenë rekordi.”
Mesazhet i referohen tonelatave të kokainës të importuara nga Amerika Latine dhe janë pjesë e provave kundër një grupi kriminal në ndjekje penale nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Kokaina është droga më fitimprurëse në Europë dhe trafiku i kokainës konsiderohet një lloj “Champions League” e krimit të organizuar – ku të gjitha grupet synojnë një vend në tavolinë, pasi mund të fitosh shumë para në një kohë shkurtër. Megjithatë, krahasuar me drogërat e tjera, kokaina ka një zinxhir të gjatë furnizimi, i cili është i komplikuar dhe kërkon që shumë elementë të ndryshëm të funksionojnë njëherazi.
Ky kompleksitet ka krijuar një segmentim në hallka të trafikut dhe një kulturë ku krimi shihet si shërbim – i ofruar nga një numër i madh operatorësh dhe jo nga një organizatë e vetme që menaxhon importin nga vendet e origjinës deri në shitjen e saj në rrugët e Europës.
Për të kuptuar rolin e organizatave kriminale shqiptare në tregun europian të kokainës, BIRN shqyrtoi mijëra faqe dokumentesh gjyqësore nga nëntë dosje penale të SPAK dhe zhvilloi intervista me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë të krimit të organizuar, akademikë dhe prokurorë.
Panorama që del nga këto burime është e ndërlikuar, por në thelb ajo tregon një prirje të qartë – konsolidimin e vazhdueshëm të fuqisë së grupeve kriminale shqiptare dhe zgjerimin e ndikimit të tyre përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit të kokainës në Europë.
Daniel Brombacher, një nga drejtuesit e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, thekson se para hetimeve të Sky ECC dhe EncroChat, hetuesit në Europë besonin se mafia italiane ishte protagonistja kryesore në biznesin e kokainës në Europë. Por pas këtyre hetimeve u bë e qartë se ka shumë aktorë të tjerë të përfshirë, ku disa prej tyre luajnë një rol kyç.
“Shqiptarët janë një nga grupet mbizotëruese në biznesin e kokainës, në mos grupi dominues”, tha ai.
Vetëm gjatë një periudhe të shkurtër kohore, që shtrihet nga dhjetori i vitit 2019 deri në mars 2021, dyshohet se grupet kriminale shqiptare kanë trafikuar dhjetëra tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, me një vlerë tregu prej miliarda eurosh.
“Përdorimi i të dhënave të Sky ECC nga SPAK ka ndihmuar në zhvillimin e një modeli të ri proaktiv hetimor, duke u mbështetur në një analizë të avancuar të të dhënave,” tha SPAK në një përgjigje me shkrim.
“Mbi bazën e të dhënave të Sky ECC janë regjistruar rreth 60 procedime penale në Prokurorinë e Posaçme,” shtoi SPAK, ndërsa theksoi se hetimet e zhvilluara kanë rezultuar në vendosjen e masave të sigurisë – përfshirë “arrest me burg”, ndaj 340 personave të konsideruar pjesë e rrjeteve kriminale me rrezikshmëri të lartë.
Guri i Rozetës
Hetimi ndaj aplikacionit të koduar Sky ECC e ka zanafillën në vitin 2016, në kuadër të një çështjeje për trafikim narkotikësh në Anversë të Belgjikës, ku policia gjyqësore sekuestroi disa aparate celulare me aplikacionin e instaluar.
Autoritetet belge konstatuan se këto pajisje përdoreshin gjerësisht në aktivitete kriminale, ndërsa aplikacioni reklamohej hapur në internet si mjet komunikimi i sigurt, i koduar “end-to-end” dhe rezistent ndaj ndërhyrjeve të autoriteteve ligjzbatuese.
Pajisjet shiteshin përmes rishitësve të dedikuar dhe pagesat kryheshin kryesisht me para në dorë ose përmes metodave që garantonin anonimitet.
Përpjekjet e autoriteteve belge dhe holandeze për të marrë informacion nga kompania Sky ECC mbetën pa përgjigje, çka i shtyu hetuesit të blinin vetë pajisje për të kuptuar mënyrën e funksionimit të sistemit.
Nga analizat rezultoi se Sky ECC përdorte kodim “PGP” dhe se komunikimet kryheshin përmes serverëve të vendosur në Francë.
Analiza teknike zbuloi arkitekturën e rrjetit, i përbërë nga një server kryesor dhe një server rezervë, të ndërlidhur mes tyre dhe të përdorur nga persona të përfshirë në krime të rënda, kryesisht trafik narkotikësh.
Në këto rrethana, përmes Urdhrave për Hetim Europian të lëshuar nga prokuroritë e Belgjikës dhe Holandës, çështja iu referua Prokurorisë së Shkallës së Parë në Lille, e cila regjistroi një procedim penal në shkurt 2019.
Prokuroria franceze hapi hetim për pjesëmarrje në grup kriminal dhe shkelje të legjislacionit mbi kriptologjinë, ndërsa në qershor të atij viti gjykata autorizoi përgjimin, regjistrimin dhe transkriptimin e komunikimeve që kalonin përmes serverëve të Sky ECC. Përgjimet e autorizuara vijuan deri në vitin 2021, kur agjencitë ligjzbatuese ndërhynë drejtpërdrejt në sistem.
Sipas autoriteteve franceze, përmbajtja e komunikimeve të siguruara nga Sky ECC tregoi se aplikacioni shërbente kryesisht për lehtësimin e krimeve të rënda, përfshirë trafikimin e narkotikëve, krime kundër jetës dhe shëndetit, si dhe pastrim parash.
“Është diçka e ngjashme me zbulimin e “Gurit të Rozetës” për forcat e zbatimit të ligjit në Europë,” tha Brombacher për BIRN, duke iu referuar mbishkrimeve të nxjerra në dritë në Egjipt në vitin 1799, të cilat mundësuan deshifrimin e hieroglifëve të faraonëve në piramida.
Sipas autoriteteve belge, shqipja është gjuha e dytë më e përdorur në aplikacionin Sky ECC, pas anglishtes.
Provat e mbledhura nga autoritet franceze u ndanë me agjenci ligjzbatuese dhe autoritete të drejtësisë në disa vende europiane, përfshirë Prokurorinë e Posaçme në Shqipëri, e cila ka administruar komunikime të zhvilluara nga një numër i konsiderueshëm shtetasish shqiptarë.
Nga hetimi i këtyre komunikimeve, prokurorët shqiptarë kanë ngritur akuza ndaj nëntë grupeve kriminale, kryesisht të përqendruara në trafikun e kokainës midis Amerikës Latine dhe Europës.
“Komunikimet e dekriptuara nga platformat si Sky ECC dhe EncroChat tregojnë se grupet kriminale shqiptare kanë arritur një nivel të konsiderueshëm sofistikimi,” thotë Fabian Zhilla, shef-kabineti i drejtuesit të SPAK.
“Këto komunikime zbulojnë struktura gjysmë-hierarkike me ndarje rolesh, planifikim afatmesëm dhe afatgjatë të veprimeve kriminale, si dhe përdorim sistematik të teknologjisë për të shmangur ndjekjen penale,” shtoi ai.
Sipas Ruggero Scaturros, ekspert mbi krimin e organizuar shqiptar pranë Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, të dhënat e përftuara nga Sky ECC konfirmojnë vlerësimet e mëparshme mbi strukturën dhe rolin e grupeve kriminale shqiptare në tregun e kokainës.
“Ato tregojnë se grupet shqiptare kontrollojnë segmente të caktuara të zinxhirit të furnizimit, disponojnë fuqinë financiare për të korruptuar dhe depërtuar në zinxhirët e ligjshëm tregtarë, si dhe kanë aftësinë të pozicionohen që në origjinë, duke vepruar si ndërmjetës profesionistë,” tha ai.
“Po ashtu, del qartë kapaciteti i tyre për të komunikuar dhe operuar në mënyrë të pavarur, ndonëse jo në çdo hallkë të tregut,” shtoi Scaturro.
Trafiku i kokainës nuk kërkon domosdoshmërisht prani fizike në pikat kryesore të trafikut. Përgjimet tregojnë se shumë prej aktorëve shqiptarë operonin dhe e drejtonin aktivitetin kriminal duke qenë të vendosur larg, si nga zonat e origjinës së kokainës, ashtu edhe nga destinacionet e drogës.
Shumica e figurave kyçe të trafikut kanë jetuar dhe vepruar jashtë vendit, shpesh në qendra si Dubai, duke funksionuar si një rrjet transnacional që i ngjan më shumë një kompanie shumëkombëshe të përbërë nga profesionistë të specializuar. Të dhënat tregojnë se trafikantët shqiptarë nuk operojnë me një partner të vetëm, por me rrjete të shumta bashkëpunimi. Një element tjetër kyç është aftësia e tyre si poliglotë.
“Trafikanti mesatar shqiptar flet katër deri në pesë gjuhë, një avantazh i rëndësishëm në një zinxhir furnizimi global,” tha Scaturro. “Ndërsa bashkëpunimi mes shqiptarësh mbetet i rëndësishëm, ata lidhen gjithnjë e më shumë edhe me aktorë të tjerë ndërkombëtarë,” shtoi ai.
Tonelata me kokainë
Nëse do të shpërndahej ndonjë kupë për biznesin e paligjshëm të trafikut të kokainës mes grupeve të krimit të organizuar shqiptar, organizata kriminale e njohur si klani Çela-Çopja, padyshim do ta fitonte atë – në meritë të sasive rekord të markotikëve të trafikuara drejt Europës.
Kjo strukturë kriminale e specializuar në trafikun e kokainës ka dy figura kryesore: Ervis Çela, një 41-vjeçar me origjinë nga fshati Fatish i Peqinit, i cili është ndërmjetësi kryesor i kokainës në Amerikën Latine, dhe Franc Çopja, 36 vjeç, nga Elbasani, i cili është financuesi dhe drejtuesi logjistik në Europë.
Kjo strukturë kriminale vepron në të gjithë zinxhirin e vlerës së trafikut të kokainës, nga financimi dhe blerja e saj në zonat më të thella të Paraguajit, të njohura ndryshe si “kuzhina” ose laboratorë të prodhimit të kokainës, deri te logjistika e transportit nga pika e nisjes drejt porteve europiane si Anversa dhe Hamburgu.
Pavarësisht sekuestrimit të një sasie rekord kokaine prej 16 tonësh nga autoritete gjermane në shkurt 2021, sipas të dhënave të Sky ECC në dosjen penale të SPAK, kjo organizatë kriminale arriti të trafikonte 36.4 ton kokainë drejt Europës vetëm në një periudhë 6 mujore, ndërkohë që kishte magazinuar dhe 22 ton të tjera – gati për t’u trafikuar – në Paraguaj.
Sipas Altin Dumanit, ish-drejtues i SPAK, klani Çela-Çopja është organizata më e madhe shqiptare – për nga volumi – e trafikut të kokainës në Europë, por jo e vetmja. Vetëm gjatë vitit të fundit, SPAK ka njoftuar goditjen e 9 organizatave të tjera kriminale të akuzara për trafikimin e 16.2 tonëve të tjera kokainë, nga Amerika Latine drejt Europës.
Fabian Zhilla thotë se suksesi i grupeve kriminale shqiptare bazohet në një kombinim faktorësh strukturorë dhe funksionalë, si prania e tyre në Amerikën Latine dhe partneritetet me kartelet vendore të drogës, si dhe kontrolli i segmenteve kyçe të importit dhe shpërndarjes së kokainës në vendet e Bashkimit Europian.
Një tjetër faktor dhe karakteristikë e rëndësishme e tyre, është aftësia e grupeve kriminale shqiptare për të korruptuar punonjës në portet hyrëse në Europë dhe për të neutralizuar strukturat ligjzbatuese në disa nivele – kryesisht në Amerikën Latine, në Bashkimin Europian dhe në Shqipëri.
Zhilla thekson se grupet kriminale shqiptare trafikojnë sasi të mëdha kokaine dhe operojnë në pika strategjike hyrëse përmes rrugëve tokësore, detare dhe ajrore – si në Holandë, Belgjikë, Spanjë, Gjermani, Itali, Greqi, Britani të Madhe, Mal të Zi dhe Shqipëri, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në Europë.
“Ky akses dhe sasitë e konsiderueshme të kokainës u kanë mundësuar atyre të ndikojnë në stabilitetin e furnizimit, në cilësinë e produktit në treg dhe, për rrjedhojë, në çmimin përfundimtar në tregjet lokale apo rajonale në vendet ku ata janë më aktivë,” tha ai.
Lidhja me mafian italiane
Ekspansioni i grupeve kriminale shqiptare drejt Amerikës Latine – përjashtuar Ekuadorin, ku mafia italiane nuk ka qenë e pranishme – konsiderohet gjerësisht si një proces i mundësuar fillimisht nga mafia kalabreze, Ndrangheta.
Sipas Ruggero Scaturros, Italia ka pasur një rol historik në formësimin e diasporës kriminale shqipfolëse. Shumë prej trafikantëve shqiptarë – përfshirë Ervis Çelën dhe Franc Çopjan – e kanë nisur aktivitetin e tyre kriminal pikërisht në Itali.
Scaturro thekson se lidhjet e grupeve kriminale shqiptare me klanet e rajonit të Pulias janë edhe më të hershme sesa ato me Ndranghetën, por kjo e fundit ka luajtur një rol veçanërisht të rëndësishëm falë rrjetit të saj ndërkombëtar. Përtej Amerikës Latine, Ndrangheta ka ndihmuar shtrirjen e grupeve shqiptare në Afrikën Perëndimore, duke u ofruar atyre akses në infrastrukturën dhe kontaktet që kishte ndërtuar atje. Në të njëjtën kohë, shqiptarët kanë shfrytëzuar edhe diasporën kalabreze në Gjermani, Holandë dhe Belgjikë për të zgjeruar aktivitetin e tyre kriminal.
“Profili tipik i trafikantit shqiptar të arrestuar është një burrë në të 40-at, me të paktën 5 deri në 15 vite qëndrimi në Itali dhe me lidhje të forta në këtë vend,” tha Scaturro.
Ndryshe nga disa vende të tjera europiane, të paktën në Itali, grupet kriminale shqiptare janë detyruar të krijojnë marrëdhënie me grupet mafioze vendase për shpërndarjen me pakicë të kokainës. Në Romë, veçanërisht, shqiptarët emigrantë të gjeneratës së dytë veprojnë shpesh si pjesë e klaneve kriminale lokale, duke u përfshirë në një gamë të gjerë veprimtarish kriminale – si fajdet apo shantazhi – përtej trafikut të drogës.
Sipas Dr. Anna Sergit, profesore e Sociologjisë së Ligjit në Universitetin e Bolonjës në Itali dhe autore e disa librave mbi mafian dhe krimin e organizuar, grupet kriminale shqiptare dhe mafiet italiane e kanë thelluar ndjeshëm bashkëpunimin mes tyre gjatë dy dekadave të fundit.
Sergi thekson se organizatat italiane kanë shfrytëzuar aksesin e tyre të konsoliduar në tregun europian dhe lidhjet me portet për t’u bërë partnerë me grupet shqiptare, të cilat synonin të zgjeronin aktivitetin e tyre duke kryer “punën në terren”.
“Marrëdhënia ka evoluar nga një raport mentorimi në një partneritet të integruar, ku grupet shqiptare tashmë negociojnë në mënyrë të pavarur me burimet në Amerikën e Jugut, ndërsa bashkërendojnë aktivitetin me shpërndarësit italianë,” tha Sergi.
“Nuk ka asnjë operacion droge në Itali, të lidhur me Ndranghetan, që të mos ketë një partneritet me grupe shqiptare ose nga Ballkani Perëndimor,” shtoi ajo.
Megjithë bashkëpunimin e ngushtë, sipas Sergit, ekzistojnë dallime thelbësore mes grupeve kriminale shqiptare dhe atyre italiane.
“Grupet e krimit të organizuar shqiptar funksionojnë si rrjete të decentralizuara, të ndërtuara mbi projekte specifike dhe me aftësi të lartë përshtatjeje, ndërsa organizatat kriminale italiane ruajnë struktura hierarkike, të lidhura ngushtë me territore të caktuara dhe me depërtim të thellë politik,” tha ajo.
Sipas Sergit, grupet kriminale italiane – në mënyrë të veçantë Ndrangheta – menaxhojnë një spektër të gjerë aktivitetesh kriminale, ndërsa grupet shqiptare fokusohen kryesisht në forma të specializuara të trafikut të narkotikëve.
“Të dyja palët përdorin komunikime të koduara, përfshirë aplikacionin Sky ECC, por rrjetet shqiptare shfaqin shpejtësi më të madhe operacionale dhe fleksibilitet gjeografik, ndërsa grupet italiane, veçanërisht ato kalabreze, mbeten më të lidhura me norma dhe praktika tradicionale të funksionimit kriminal,” shtoi ajo.
Zinxhiri i furnizimit
Zgjerimi i tregut të kokainës në Europë është nxitur nga një shtim i ndjeshëm i prodhimit dhe furnizimit nga Amerika Latine, veçanërisht pas vitit 2016. Pas marrëveshjeve të paqes me gueriljen e FARC-ut në Kolumbi, kultivimi i bimës së kokës është rritur në mënyrë të vazhdueshme, sidomos në Kolumbi, ndërsa ka mbetur relativisht i qëndrueshëm edhe në vende të tjera si Peruja dhe Bolivia. Ky zhvillim ka çuar në një mbiprodhim të kokainës, i reflektuar edhe në rënien e çmimeve në vendet e origjinës.
Paralelisht me shtimin e prodhimit, kërkimi i tregjeve të reja në Europë ka sjellë një rritje të vazhdueshme të të gjithë treguesve, si në anën e furnizimit ashtu edhe të kërkesës brenda Bashkimit Europian. Për gati një dekadë, treguesit krysorë të fluksit të kokainës në Europë kanë shënuar rritje të vazhdueshme, përfshirë shtimin masiv të sekuestrimeve – të cilat pësuan rënie për herë të parë vetëm vitin e kaluar, si dhe rritje të qartë të treguesve të konsumit.
Ekspertët theksojnë se grupet kriminale shqiptare nuk e kontrollojnë domosdoshmërisht të gjithë zinxhirin e trafikut të kokainës nga fillimi në fund, por ofrojnë shërbime të specializuara dhe luajnë role të ndryshme përgjatë tij.
“Shumica e grupeve kriminale europiane operojnë vetëm në segmente të caktuara të zinxhirit – transport, shpërndarje ose pastrim parash,” tha Fabian Zhilla.
“Në rastin e grupeve shqiptare, vihet re një integrim vertikal, që përfshin, sigurimin e lëndës narkotike në Amerikën Latine, transportin ndërkontinental, përzierjen dhe shpërndarjen në Evropë, dhe pastrimin e të ardhurave në Shqipëri ose vende të tjera,” shtoi ai.
Në Amerikën Latine gjenden ndërmjetës të kokainës nga Shqipëria, ose shqipfolës, por edhe aktorë të tjerë europianë, të cilët janë pranishëm në porte kyçe të origjinës, si në Ekuador apo Brazil – ky i fundit më shpesh i lidhur me grupet kriminale serbe. Edhe në Kolumbi prania e trafikantëve shqiptarë të drogës është gjithashtu e vazhdueshme.
Rrjetet kriminale shqipfolëse kanë gjithashtu një prani të fortë në portet kryesore të hyrjes së kokainës në Europë. Tradicionalisht, këto kanë qenë Roterdami, Anversa dhe Hamburgu.
Kjo nuk do të thotë se ata janë gjithmonë pronarë të ngarkesës, por kanë kapacitetin të paguhen për të siguruar daljen e një kontejneri nga porti, për të organizuar transportin e sasive më të vogla të kokainës brenda Europës përmes mjeteve të kontrabandës me hapësira të fshehta, si dhe për të garantuar korrupsionin e personave të duhur.
Në skajin tjetër të zinxhirit të furnizimit, ata gjithashtu luajnë rol në lëvizjen e drogës nga Kolumbia drejt Ekuadorit dhe më tej, nga portet ekuadoriane drejt Europës, me kontejnerët e kompanive të frutave – kryesisht banane.
“Shqiptarët gjenden në pika kyçe të zinxhirit të furnizimit, duke vepruar si nyje të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës,” tha Brombacher.
Dr.Anna Sergi shpjegon se rrjetet moderne të trafikut të kokainës funksionojnë mbi bazën e specializimit komplementar. Për shembull, grupet e krimit të organizuar shqiptar merren kryesisht me logjistikën transkontinentale dhe operacionet në porte, ndërsa sindikatat italiane menaxhojnë financimin në Europë, shpërndarjen dhe një pjesë të rrjeteve të shitjes me pakicë. Ajo thekson se zgjerimi i furnizimit me kokainë gjatë dekadës së fundit i tejkaloi kapacitetet tradicionale të shpërndarjes të sindikatave kriminale italiane, duke krijuar hapësirë për grupe të tjera, mes tyre dhe shqiptarët.
“Grupet shqiptare zotëronin avantazhe gjeografike, si portet e Ballkanit dhe rrjetet e diasporës, një ekspozim më të ulët ndaj autoriteteve ligjzbatuese dhe një fleksibilitet të lartë organizativ,” tha ajo.
“Në vend që të zëvendësonin sindikatat italiane, ato mbushën hapësira të caktuara operacionale, duke krijuar partneritete të qëndrueshme dhe jo marrëdhënie konkurruese,” shtoi Sergi.
Studiuesit vërejnë se disa prej drejtuesve të krimit të organizuar shqiptar e kanë nisur “karrierën” e tyre kriminale duke bashkëpunuar me ’Ndragetën” dhe më pas duke u shkëputur gradualisht prej saj, për shkak të ekspozimit të lartë të klaneve kalabreze ndaj autoriteteve ligjzbatuese.
Një tjetër veçori dalluese e grupeve shqiptare është vështirësia për të siguruar bashkëpunëtorë të drejtësisë, pasi ato funksionojnë në klane të vogla, shpesh me lidhje familjare, me 10–20 anëtarë në maksimum.
Edhe kur disa anëtarë largohen dhe krijojnë grupe të reja, këto mbeten qeliza të vogla dhe të ndërlidhura, çka e bën depërtimin e tyre shumë të vështirë për hetuesit dhe ngadalëson ndjeshëm procesin e sigurimit të dëshmive nga brenda rrjetit kriminal.
‘Kapitalizëm i egër’
Sipas Agjencisë Europiane të Drogës, tregu i kokainës në Europë vlen më shumë se 10 miliardë euro dhe konsumi vjetor vlerësohet midis 200 deri në 400 ton. Vetëm gjatë vitit 2023, në Europë u sekuestruan rreth 400 ton kokainë. Ndërkohë, tregu i kokainës në Mbretërinë e Bashkuar vlerësohet në 200 ton nga autoritet vendase.
Vlerësimet e konsumit total në Europë bazohen kryesisht në sasitë e sekuestruara, të dhënat e prevalencës së konsumit dhe në të dhënat e analizave të ujërave të zeza. Megjithatë, sipas studiuesve, asnjë metodë nuk ofron një pasqyrë të plotë dhe të besueshme.
“Kujt numrave mund t’i referohemi, kjo është pyetja 1 milionë dollarëshe,” thotë Daniel Brombacher.
Një “rregull i përgjithshëm” në luftën kundër narkotikëve sugjeron se autoritetet kapin vetëm 10–20 për qind të kokainës që qarkullon drejt Europës, por edhe vetë ekspertët pranojnë se kjo nuk është një qasje shkencore. Analizat e ujërave të ndotura japin sinjale të forta rritjeje të tregut, veçanërisht në qytetet e Europës Perëndimore, por ato janë të kufizuara dhe zakonisht përfshinë qytete ku problemi tashmë dihet. Ndërkohë, të dhënat e prevalencës, të bazuara në intervista me popullatën, nënvlerësojnë ndjeshëm konsumin real, pasi përdoruesit priren të mos jenë të sinqertë.
Tipari dallues i tregut të kokainës, në krahasim me drogërat e tjera, është nivel i lartë i fitimit. Brombacher thekson se ajo çfarë e bën kokainën jashtëzakonisht fitimprurësë nuk lidhet me koston e prodhimit – e cila është e krahasueshme me atë të heroinës, por me nivelin shumë të lartë të rrezikut përgjatë gjithë zinxhirit të trafikut.
“Çdo hallkë e rrjetit kriminal e faturon rrezikun e sekuestrimit, arrestimit apo dhunës, duke e bërë kokainën një mall të shtrenjtë dhe, për pasojë, shumë fitimprurës,” tha ai.
Megjithatë, vitet e fundit tregu europian ka shënuar një rënie të fortë të çmimeve me shumicë, veçanërisht në Europën Perëndimore. Nga nivelet rreth 28-30 mijë euro për kilogram në Holandë dhe deri në 40 mijë euro në vende të tjera, çmimet kanë zbritur deri në 18 mijë euro, madje edhe 14 mijë euro për kilogram në Anversë.
Kjo rënie sugjeron një furnizim masiv dhe një ulje të rrezikut për trafikantët, pavarësisht sekuestrimeve të mëdha, duke treguar se krimi i organizuar ka arritur të përshtatet dhe të tejkalojë përpjekjet e organeve ligjzbatuese, përmes përdorimit të rrugëve të reja, fshehjes më të sofistikuar dhe dërgesave më të vogla.
Ndërsa çmimet me pakicë mbeten relativisht të qëndrueshme për shkak të “çmimeve historike” të pritshme nga konsumatorët, rënia e kostos në nivel shumice ka rritur ndjeshëm marzhet e fitimit për rrjetet kriminale. Ky bum në tregun e kokainës, sipas Brombacher, ka sjellë rritjen e kapitalit investues – si kurrë më parë në treg.
“Ky “boom” i kokainës ka çuar në një situatë ku krimi i organizuar ka më shumë akses në kapital t’u investuar në një ekosistem të trafikut të kokainës që është më pak i rrezikshëm, më i organizuar dhe më mirë i mbrojtur,” tha ai.
Brombacher nënvizoi se krimi i organizuar është forma më e pastër dhe brutale e kapitalizmit që gjendet në tokë.
“Është një kapitalizëm i egër, që nuk interesohet aspak për konsumatorët dhe për pasojat që ata përjetojnë,” tha ai. “Konkurrenca në treg zgjidhet zakonisht ose përmes dominimit, ose përmes dhunës,” shtoi Brombacher, ndërsa theksoi se “në këtë kuptim, është një lloj kapitalizmi Hobbsian.”
Edhe pse filozofi anglez, Thomas Hobbes nuk ka shkruar për kapitalizmin, Brombacher i referohet përshkrimit të tij të natyrës njerëzore si thelbësisht egoiste dhe gjendjes njerëzore, pa autoritet, si të egër.
Edhe pse në disa raste ka bashkëpunim në këtë treg, siç është rasti i Superkartelit të Dubait, ku grupe nga Ballkani Perëndimor, grupe holandeze, italiane dhe irlandeze bashkëpunojnë së bashku në mënyrë paqësore – ky është më tepër përjashtimi që konfirmon rregullin.
“Në biznesin e kokainës, i cili është transnacional dhe shtrihet përtej kufijve shtetërorë, me një zinxhir furnizimi shumë të gjatë dhe me shumë aktorë, nuk ekziston një fuqi e tillë rregulluese,” tha Brombacher. “Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me kapitalizëm të pastër, ku secili përpiqet të mposhtë tjetrin,” shtoi ai.
Pastrimi i parave
Autoritetet italiane raportojnë se rrjetet kriminale shqiptare mbeten ndër më të fuqishmet në Europë, me degë të konsoliduara në Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë dhe Europën Qendrore, duke u zhvendosur gjithnjë e më shumë nga kanabisi drejt trafikut të kokainës dhe heroinës, për shkak të fitimeve më të larta dhe rrezikut më të ulët operacional.
Sipas ekspertëve, roli i Shqipërisë në këtë panoramë lidhet kryesisht me pastrimin e të ardhurave kriminale, por jo si vend ku trafikantët ndërtojnë baza apo strehohen për një kohë të gjatë. Trafikantët janë të vetëdijshëm se Shqipëria nuk është më një vend i sigurt për t’u fshehur, por mbetet tërheqëse për riciklimin e parave, e cila sjell një listë të gjatë pasojash negative në ekonominë lokale.
“Një nga pasojat kryesore është kapja e institucioneve shtetërore përmes korrupsionit sistemik, gjë që dobëson funksionimin normal të organeve të qeverisjes dhe drejtësisë,” tha Fabian Zhilla.
“Po ashtu, kapitali i krijuar nga aktiviteti kriminal, kur pasurohet dhe integrohet në ekonominë formale, shkakton një deformim të tregut dhe ekonomisë së vendit, duke krijuar avantazhe të për grupet kriminale dhe duke minuar konkurrencën e ligjshme,” shtoi ai.
Në këndvështrimin social, ndikimi i krimit të organizuar kontribuon në normalizimin e kulturës së mosndëshkimit, ku veprat penale konsiderohen të pranueshme, veçanërisht në komunitete periferike ku këto strukturat kriminale kanë prani të fortë.
“Imazhi i shtetit ligjor në publik dëmtohet, duke pësuar një erozion të legjitimitetit të tij moral,” theksoi Zhilla.
Shumë nga këto grupe kriminale përdorin sistem ‘hawala’ për të transferuar paratë e paligjshme, i cili është një sistem i bazuar tek besimi.
Qasja tradicionale kundër pastrimit të parave bazohet te monitorimi i transaksioneve brenda sistemit bankar të ligjshëm – por kur nuk ka transaksione, nuk ka as çfarë të monitorohet. Kjo e bën sistem ‘hawala’ një mënyrë ideale për të transferuar dhe kanalizuar të ardhurat kriminale, pa i kaluar ato përmes kanaleve formale.
Sipas Ruggero Scaturros, hetimet e bazuara në Sky ECC, krijimi i SPAK-ut dhe goditjet ndërkombëtare ndaj trafikut të kokainës kanë sjellë një tronditje reale për grupet kriminale shqiptare, duke zbuluar dhe dobësuar rrjete që më parë ishin pothuajse të panjohura për autoritetet. Megjithatë, ndikimi i tyre pritet të jetë kryesisht i përkohshëm.
“Strukturat kriminale shqiptare nuk vuajnë nga mungesa e “ushtarëve”, tha Scaturro. “Pas më shumë se dy dekadash të përfshirjes së tyre në zinxhirin global të kokainës, niveli i sofistikimit që kanë arritur i bën ato të vështira për t’u zëvendësuar dhe sugjeron se prania e tyre në këtë treg do të vijojë edhe në të ardhmen,” shtoi ai.
Edhe nëse disa klane shpërbëhen, Scaturro thekson se infrastruktura e tyre mbetet funksionale dhe zëvendësimi ndodh shpejt, pasi grupet shqiptare operojnë si rrjete fleksibël, pa hierarki të ngurta, të bazuara në lidhje personale dhe role të specializuara ndërmjetësimi.
“Për sa kohë kërkesa për kokainë në Europë vazhdon të rritet, do të ketë gjithmonë oferta për ta përmbushur atë,” përfundoi ai./ Nga Besar Likmeta dhe Klodiana Lala për Reporter.al
Rruga Press

