Lajme

Si e pasqyruan mediat e huaja eksperimentin e Ramës me frustrimin nga BE

Pas 8 vitesh nëpërkëmbje, përpjekje, lobime, kushte dhe refuzime nga Bashkimi Europian, Edi Rama ka shfryrë dufin me sa mundej në Bruksel, duke shfrytëzuar faktin që liderëve europianë u kanë mbaruar pretekstet e ngërçit në integrimin e Shqipërisë.

Me deklaratat e kësaj të enjteje në Bruksel, kryeministri i shkeli me të dyja këmbët vijat e kuqe me të cilat BE e ka mbajtur nën presion kaq kohë. Me shfaqjen që dha në Bruksel, Rama grisi përfundimisht imazhin e përfaqësuesit të vendit të vogël me bindje proeuropiane, që është i dënuar të qëndrojë pafundësisht në pritje, deri kur të mbërrijë Godo.

Herët në mëngjes, ai ofendoi gazetarët bullgarë, të cilët i konsideroi një “turp”, më pas i krahasoi liderëve europianë me “priftërinjtë që flisnin për seksin e ëngjëjve ndërkohë që muret e Konstandinopojës shembeshin”, e deri te mbrojtja absurde, që i bëri vendimit të Vuçiçit, për të mos i vendosur sanksione Rusisë.

Pohimet e pazakonta për një kryeministër shqiptar, Rama i kishte paralajmëruar si “ndryshim kursi”.

Por a pati jehonë tentativa e kryeministrit të Shqipërisë, për t’u shfaqur cinik dhe kontrovers në lidhje me Bashkimin Europian?

Zëri i Amerikës i ka dhënë një hapësirë të konsiderueshme zhgënjimit të Ramës.

“Zoti Rama e quajti një turp faktin që “një vend i NATO-s që merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë, dhe po ashtu nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku”. Ai shtoi më tej se “agresioni rus kundër Ukrainës po merr kështu një ndihmë mjaft bujare dhe të pakërkuar nga një vend i NATO-s, Bullgaria, për të destabilizuar një vend tjetër të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe për të fryrë më tej mllefin, pakënaqësinë në një fqinjësi si e jona, që është një hallkë e dobët në gjithë këtë situatë”, shkruan Zëri i Amerikës.

Në shkrim vihet në dukja dalja e treshes Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski me projektin e Ballkanit të Hapur.

“Serbia thjeshtë nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt dhe çuarja deri në kufij, do t’i japë efektin e kundërt dhe pastaj ajo çfarë do të ketë kosto, është agjenda europiane e Serbisë, për çka do të jetë kosto për popullin e rajonit” citohet Rama teksa mbron pozicionin e Vuçiçit në lidhje me luftën e Ukrainës.

“Ballkani Perëndimor rebelohet ndaj BE” është nëntitulli i Deutche Welle, që përcjell frustrimin e Ramës dhe Kovaçevskit.

“Rama nuk i përmendi qytetarët e vendit të tij por e nisi me ironinë: “Më lejoni të shpreh keqardhjen e thellë për Bashkimin Europian. Më vjen keq për ta dhe shpresoj që të mund t’i ndihmojmë”. Retorika e tij e ashpër ndaj rezultatit të këtij samiti, u komentua edhe nga homologu i tij serb Vuçiç, i cili i buzëqeshur, e komentoi sjelljen e Ramës “si të frustruar” shkruan DW.

Një hapësirë e veçantë i jepet edhe Ballkanit të Hapur dhe asaj që Vuçiç dalloi në sallë.

Lexo më shumë  Merz: Rendi i ri botëror nuk duhet të pengojë procesin e zgjerimit të BE-së

“Kur filluam këtë proces, vetëm dy ose tre gazetarë kishin interes për të. Shihni tani, salla është mbushur plot” – citohet të ketë thënë Vuçiç me krenari.

Ndërkohë agjensia e lajmeve AFP raporton se qëllimi i vendeve të BE-së ishte të jepte një mesazh inkurajimi për ballkanasit, por nuk ia doli.

“BE-ja, një klub politik dhe ekonomik që mburret me tregun e vetëm më të madh në botë, dëshiron të qetësojë vendet në Ballkan që kanë pritur vite të tëra për pranimin se dyert e bllokut mbeten të hapura” shkruan AFP që citon Ramën të komentojë vendimin për Ukrainën.

“Është një gjë e mirë të jepet statusi i kandidatit, por shpresoj se populli ukrainas nuk do të bëjë shumë iluzione për këtë”, thotë Rama.

Lexo më shumë  Libia synon të bëhet furnizues serioz i gazit natyror për Evropën deri në vitin 2030

Pikërisht këto “shpresa të rreme” për Ukrainën, i vë në dukje edhe BBC, që citon të njëjtin pasazh nga Edi Rama.

Deklaratat e forta në Bruksel kanë pasur jehonë jo të vogël në mediat ndërkombëtare dhe janë raportuar si shprehje e frustrimit, që vjen nga pritja e gjatë. Por a është vetëm kaq?

Pak kohë më parë, në një nga konferencat e përbashkëta për mediat, Rama fliste me zili për pozicionin e Vuçiçit përballë Bashkimit Europian. Sipas Ramës populli serb i kishte dhënë Vuçiçit mundësinë të zgjidhte mes Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa kryeministri shqiptar ishte i “dënuar” të shihte veç në njërën anë.

Përmes projektit të Ballkanit të Hapur, përmes njehsimit me politikat e Vuçiçit dhe me cinizmin ndaj Bashkimit Europian, Rama po tenton të krijojë iluzionin tek europianët sikur dielli i shqiptarëve mund të lindë edhe ndokund tjetër përveç perëndimit. Mbetet për t’u parë se çfarë efekti do të ketë në politikën e brendshme një eksperiment i tillë./lapsi/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *